Tuma e Kamenicës, trashëgimia prehistorike e Shqipërisë

Tuma e Kamenicës është një prej monumenteve prehistorike më të mëdha e më të rëndësishme në Shqipëri, me një histori rreth 800-vjeçare. Ajo ndodhet në Qarkun e Korçës dhe ka shërbyer si varrezë e një komuniteti rural që jetoi mes epokës së Bronzit dhe Hekurit. Gërmimet arkeologjike të viteve 2000-2007 zbuluan më shumë se 400 varre, qindra skelete dhe mijëra objekte, duke na treguar shumë për jetën, aktivitetin dhe të përditshmen e këtij komuniteti.

Në një nga fushat e shumta me aluvionale që shtrihen përgjatë luginës së Devollit, ndodhet Tuma e Kamenicës, ose siç njihet ndryshe një kodërvarr artificial. Ajo gjendet në pjesën veriore të Fushës së Korçës, pranë fshatit Kamenicë, rreth 8 km në veri të qytetit. Pozicioni gjeografik dhe mjedisor ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendosjen dhe zhvillimin e vendbanimeve prehistorike, duke ofruar kushte të përshtatshme për jetesë, si tokë pjellore për bujqësi, kullota për blegtori dhe burime ujore të afërta.

Fusha e Korçës ka qenë një nyje lidhëse ndërmjet rajoneve bregdetare dhe atyre të brendshme, duke favorizuar kontaktet dhe shkëmbimet kulturore që nga prehistoria. Këto kushte kanë ndikuar që kjo zonë të jetë e populluar në mënyrë të vazhdueshme dhe të zhvillojë një trashëgimi të pasur arkeologjike, ku bën pjesë edhe Tuma e Kamenicës, një nga monumentet më përfaqësuese të kulturës tumulare në Shqipëri.

Zbulimi dhe gërmimet

Kërkimet sistematike arkeologjike janë ndërmarrë këtu në periudhën 2000-2007 nga një grup i gjerë kërkuesish vendas dhe ndërkombëtar. Natyra ndërdisiplinore e këtij studimi ka siguruar mbledhjen e një baze të konsiderueshme faktesh arkeologjike që hedhin dritë mbi historitë individuale dhe kolektive të komuniteteve prehistorike të Shqipërisë së jugut.

Skelet njerëzor i ekspozuar në Muzeun e Tumës së Kamenicës. Foto; Media Amfora
Skelet njerëzor i ekspozuar në Muzeun e Tumës së Kamenicës. Foto: Media Amfora

Ky projekt kërkimi, bashkë me konservimin dhe prezantimin e mëpasshëm të sitit arkeologjik, u mbështet financiarisht nga “Packard Humanities Institute” dhe nga institucione të tjera kërkimore shqiptare dhe të huaja, si Qendra Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare, Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Universiteti i Tiranës, “Michigan State University” dhe “British Museum”.

Kronologjia

Tuma kalon në tri faza kryesore: Faza e parë në Bronzin e Vonë (rreth viteve 1250–1050/1025 p.e.s.), kur nis ndërtimi i kodërvarrit. Faza e dytë në Hekurin e Hershëm (1050/1025–650/625 p.e.s.), kur tuma lartohet dhe shërben si varrezë për breza të tërë. Faza e tretë në Hekurin e Zhvilluar (650/625–550 p.e.s.), kur varreza zgjerohet dhe ndërtohet në një formë të re.

Furra e bukës dhe oxhaku me karakter didaktik në ambientet muzeale të Tumës së Kamenicës. Foto: Media Amfora

Analizat antropologjike

Analiza e skeletëve tregoi se shumica e të varrosurve ishin të rritur, me një raport pothuajse të barabartë burrë–grua. Përkundër pritshmërive, numri i fëmijëve të varrosur ishte i vogël; studiuesit mendojnë se ata ose u varrosën me të rriturit, ose nuk u ruajtën si skelete më vete. Këto të dhëna pasqyrojnë një jetesë të vështirë, me punë të rënda fizike dhe jetëgjatësi të ulët.

Organizimi shoqëror

Varret dhe objektet e gjetura tregojnë një shoqëri patriarkale të organizuar në klane familjare, me diferencime shoqërore të reflektuara në madhësinë dhe dekorimin e varreve. Vajzat martoheshin jashtë fshatit, ndërsa djemtë mbanin lidhjen me familjen e origjinës. Pozicioni shoqëror i fituar gjatë jetës reflektohej edhe në mënyrën e varrimit.

Ekspozita e Kamenicës  artefakte dhe veshje e lashtë. Foto; Media Amfora
Ekspozita me artefakte autentike dhe veshje të rikrijuara. Foto: Media Amfora

Gjetjet nga Tuma e Kamenicës kanë hapur drejtime të reja në studimin e prehistorisë shqiptare. Ato përfshijnë rindërtimin e identitetit kulturor dhe biologjik të komuniteteve, përdorimin e ADN-së antike për të kuptuar lidhjet familjare, studimin e kulturës materiale si produkt shoqëror, dhe ribërjen e zakoneve mortore për të kuptuar konceptet e jetës dhe vdekjes.

Tuma e Kamenicës nuk është vetëm një monument i madh në Fushën e Korçës, por një dëshmi e gjallë e një jete të humbur prej kohësh. Zbulimet dhe analizat e kryera aty pasqyrojnë dinamizmin dhe diversitetin e një komuniteti të lashtë, duke na treguar sa shumë mund të mësojmë për të kaluarën duke ruajtur dhe studiuar trashëgiminë tonë.

Artefakte arkeologjike prej bronzi të ekspozuara në muze. Foto: Media Amfora

Gjatë udhëtimit nëpër sitin arkeologjik mund të vizitohen, qendra e informacionit të vizitorëve, struktura arkeologjike si rrethi i madh qëndror i tumës, grupet e “varreve monumentale” dhe pjesa e paçmontuar e tumës, si edhe zona e arkeologjisë eksperimentale.

Skelet gruaje së bashku me bizhuteritë e gjetura. Foto: Media Amfora

Në Qendrën e Informimit të Vizitorëve jepet një përshkrim i shkurtër i historisë së varrezës dhe i rezultateve më të rëndësishme të kërkimeve. Falë paneleve përshkruese, riprodhimeve të varreve, objekteve, një maketi të rikonstruksionit të tumës dhe materialeve multimediale, vizitorët kanë mundësi të ndërmarrin një udhëtim të shkurtër në kohë, rreth 3000–2500 vite më parë. Aty paraqiten shumë histori personale dhe kolektive të një komuniteti prehistorik, i cili synonte jo vetëm mbijetesën, por edhe formimin e një identiteti kulturor të qëndrueshëm.

Maket i Tumës së Kamenicës, paraqitje e strukturës dhe varrezave. Foto: Media Amfora

Një nga aktivitetet kryesore të kësaj zone arkeologjike është organizimi i ditëve të hapura” për vizitorët. Së bashku me aktivitetet edukative për të rinjtë, të cilat zhvillohen në zonën e arkeologjisë eksperimentale, organizohen edhe demonstrime të teknikave të hershme arkeologjike dhe aktivitete prodhuese sipas metodave të lashta.