Organizatat e medias thirrje për heqjen e masave ndaj “Focus Media Group”

Një grup organizatash ndërkombëtare dhe vendase për lirinë e medias i kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të heqin masat ndaj “Focus Media Group”, pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit më 9 gusht – që ndërpreu transmetimin e News 24 dhe pengoi punën e gazetarëve. Deklarata kërkon transparencë ligjore, mbrojtjen e pajisjeve, të drejtave të punonjësve, si edhe reagimin e kompanisë me një plan konkret.

Rrjeti “Safe Journalists”, partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat shqiptare për lirinë e medias, dolën me një deklaratë të përbashkët të martën dhe i bënë thirrje autoriteteve shqiptare që të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar, sigurinë e tyre duke shprehur shqetësimin mbi pengimin policor dhe ngjarjet pasuese që prekën “Focus Media Group”.

Rrjeti i organizatave për lirinë e medias në Shqipëri, që firmosën deklaratën mes të cilave edhe Media Amfora, kërkuan që të ofrohet një shpjegim i plotë dhe publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë dhe urgjencën e operacionit të ndërmarrë në orët e para të së shtunës, më 9 gusht 2025, kur Policia e Shtetit zbarkoi në mjediset e “Focus Media Group” – Që përfshin mediat Balkanweb, Televizioni News 24, Televizioni dhe Gazeta Panorama, Panorama Sport, Gazeta Shqiptare dhe Radio RASH”.

“Të heqin kordonin policor, të rikthejnë furnizimin me energji elektrike dhe të lejojnë hyrje të lirë dhe pa pengesa në redaksi dhe vendet e raportimit, pa frikësim ose ndërhyrje”, shkruhej në deklaratën e shpërndarë nga rrjeti dhe drejtuar autoriteteve shqiptare.

Në deklaratë u kërkua që të mbrohen materialet dhe infrastruktura gazetareske, duke bërë thirrje për përmbajtje nga çdo sekuestrim ose dëmtim, duke siguruar akses të plotë në pajisje, arkiva dhe lidhjet e transmetimit.

Rrjeti e vuri theksin në deklaratë për mbrojtjen e të drejtave të punës të punonjësve, duke kërkuar bashkëpunim me Inspektoratin e Punës.

“Të mbrojnë të drejtat e punës gjatë ndërprerjes, duke bashkëpunuar me Inspektoratin e Punës që pagat dhe kontributet shoqërore të shlyhen dhe të mundësohen ambiente të përkohshme dhe masa për vazhdimësinë e punës”, shpjegohej në deklaratë.

Punonjësit e “Focus Media Group”, së bashku me kolegët gazetarë, profesionistë dhe deputetë të opozitës zhvilluan një protestë të hënën përpara ndërtesës të Televizionit News 24 dhe Gazetës Panorama, pas marrjes së tyre nga Policia e Shtetit dhe “Kompania KAYO”. 

Deklarata e rrjetit të gazetarëve kërkoi përcaktimin e afatit dhe kushtet për heqjen e masave të marra me qëllim që të krijohet një mundësi për ankimim. 

“Të ofrojnë garanci efektive ligjore, duke publikuar bazën ligjore dhe urdhërat, duke përcaktuar afatin dhe kushtet për heqjen e masave, duke siguruar një mundësi të qasshme për ankim me efekt pezullues kur është e zbatueshme, si dhe duke bashkëpunuar me AMA-n duke përdorur mjetet më pak kufizuese për të ruajtur vazhdimësinë e shërbimit të lajmeve”, shtoi deklarata.

Rrjeti kërkoi që të hetohet çdo pengesë ndaj gazetarëve dhe të sigurohet llogaridhënie dhe të komunikojnë rregullisht me publikun.

Organizatat mediatike i bënë hirrje edhe pronarëve dhe drejtuesve të “Focus Media Group”, që të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe të drejtat e punonjësve, të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale, si edhe të sigurojnë ambiente të përkohshme, me plane vazhdimësie për të mbrojtur stafin dhe për të ruajtur aksesin e publikut në informacion.

“Të angazhohen në mënyrë konstruktive me autoritetet për të zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë ligjore dhe transparente, me sa më pak ndërprerje të jetë e mundur në punën gazetareske dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar”, shtoi deklarata.

Përmes saj u kërkua që pronarët të sigurojnë shlyerjen e pagave dhe kontributeve shoqërore, aksesin e sigurt në pajisje dhe të dhëna, si edhe të mos ndërmarrin masa hakmarrëse ndaj stafit gjatë kësaj ndërprerjeje.

Nisur nga reagimi publik rreth kësaj situate rrjeti kërkoi në deklaratë që të ofrohet transparencë e plotë mbi situatën ligjore dhe kontraktuale, në mënyrë që punonjësit dhe publiku të kuptojnë bazën e mosmarrëveshjes.

Në orët e para të 9 gushtit, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesat e “Focus Media Group”, në lagjen Shkozë në kryeqytet ku ushtrojnë veprimtarinë këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe pengoi qasjen për gazetarët dhe stafin.

Kjo lëvizje e beftë ndërpreu transmetimin televiziv të News 24 në kohë reale dhe sipas pretendimeve të “Focus Media Group” nuk ishte dhënë asnjë paralajmërim paraprak për ndërprerjen efektive të sinjalit të transmetimit. Deri më 12 gusht 2025, ende nuk ka qartësi se kur do të rifillojë transmetimi, as mbi të ardhmen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe stafit mbështetës të “Focus Media Group”.