“Xhamia e Plumbit” shkëlqen sërish, përfundon restaurimi i objektit simbolik të Shkodrës

Xhamia e Plumbit në Shkodër, Monument Kulture i Kategorisë së Parë është restauruar duke i ardhur në shërbim besimtarëve. Pas tre vitesh nga nisja e punimeve xhamia ka hapur dyert, duke pritur jo vetëm besimtarë për falje, por edhe vizitorë të huaj e vendas.

"Xhamia e Plumbit" pas restaurimit. Foto: Myftinia e Shkodrës në "Facebook"

Një prej monumenteve më të rëndësishme të arkitekturës mesjetare në Shqipëri, “Xhamia e Plumbit” në Shkodër, ka nisur të presi vizitorët e parë pas rihapjes më 8 maj, me përfundimin e punimeve të restaurimit.

Pas marrëveshjes së firmosur janarin e vitit 2022 mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke, objekti ju nënshtrua rikonstruksionit total, punime të cilat kanë përfunduar së fundmi pas një sërë vonesash. E njohur më së shumti për përmbytjen gjatë shirave të dendur, një sistem i ri drenimi duket se do të shpëtojë objektin e kultit nga përmbytjet e shpeshta nga Lumi Drin.

Gjatë ceremonisë së përurimit të punimeve. Foto: Myftinia e Shkodrës në "Facebook"
Gjatë ceremonisë së përurimit të punimeve. Foto: Myftinia e Shkodrës në “Facebook”

Xhamia e Plumbit pësoi dëmtime të mëdha më së shumti pas përmbytjes së ndodhur nëntorin e vitit 2022. Media Amfora ka raportuar disa herë për gjendjen e këtij monumenti kulture të rrallë të trashëgimisë sonë kulturore, që po degradonte dita-ditës.

E ndërtuar në vitin 1773, pranë hyrjes së Kalasë së Rozafës, Xhamia e Plumbit mori këtë emër për shkak të mbulesës së saj me plumb – një element që i dha rezistencë dhe elegancë strukturës. Ajo i përket stilit klasik osman, që përfshin një kupolë qëndrore, katër kupola më të vogla dhe një minare elegante, që u ringrit gjatë restaurimit me fondet e qeverisë turke. Mjedisi përreth saj reflekton një harmoni mes historisë dhe natyrës.

"Xhamia e Plumbit" në pjesën e brendshme. Foto: Myftinia e Shkodrës në "Facebook"
“Xhamia e Plumbit” në pjesën e brendshme. Foto: Myftinia e Shkodrës në “Facebook”

Projekti për restaurimin e Xhamisë së Plumbit dhe zgjidhja e problemit të përmbytjes u zbatua falë donacionit të qeverisë turke, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve, në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë.   

“Xhamia e Plumbit” i rihapi dyert për besimtarët myslimanë më 16 nëntor të vitit 1990, një ditë xhumaje (e premte), në të cilën mbi 55 mijë shkodranë morën pjesë në faljen e namazit të parë të xhumasë pas 23 vitesh ndalimi nga sistemi komunist.