Fushata “Dhuro gjak, bëhu arsyeja pse dikush buzëqesh sërish”, nis në UAMD 

“Dhuro gjak, bëhu arsyeja pse dikush buzëqesh sërish”, në këtë moto Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka nisur në Universitetin “Aleksandër Mosiu” Durrës fushatën vullnetare të dhurimit të gjakut.

“Dhuro gjak, bëhu arsyeja pse dikush buzëqesh sërish”, në këtë moto Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka nisur në Universitetin “Aleksandër Mosiu” Durrës fushatën vullnetare të dhurimit të gjakut. 

Të hënën nisi dita e parë e dhurimit të gjakut në mjediset e Universitetit “Aleksandër Moisu” në Currila dhe interesi i studentëve nuk mungoi, gjatë nismës e cila do të zgjari për disa ditë.

Të hënën dhe të martën, fushata e dhurimit të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemik regjistroi dhuruesit e parë në godinën universitare në Currila. Ndërsa, në vijim, në datat 16, 17 dhe 18 prill, stafi mjekësor i Qendrës Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, do të vendoset në Kampusin Universitar në Spitallë, aty ku edhe dhuruesit pritet që të jenë më të shumtë. 

Kristo Raca, mjek pranë Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, foli rreth rëndësisë që ka procesi i dhurimit të gjakut për njerëzit në nevojë, veçanërisht për fëmijët talasemik.

“Pjesëmarrja duket e kënaqshme dhe kjo vlen për tu përmendur. Dhurimi i gjakut është një akt human, shpëton një jetë, bën që të buzëqeshin më shumë fëmijët talasemikë dhe njerëzit në nevojë”, tha mjeku. 

Fushata “Dhuro gjak, bëhu arsyeja pse dikush buzëqesh sërish” synon që të shtojë dhuruesit gjatë javës së saj në Durrës, të fokusuar tek studentët. Edhe vetë studentët që dhuruan gjak, u shprehën të kënaqur që u bënë pjesë e kësaj nisme. 

“Ndihem shumë mirë që dhurova gjak për herë të parë, sepse kam shpëtuar një jetë”, u shpreh një prej studenteve të përfshira në këtë nismë.