Ura e Zonjës në Libohovë mbetet në pritje të rikthimit të hijeshisë

E papërdorshme si pasojë e dëmtimit të një prej këmbëve, Ura e Zonjës është Monument Kulture i Kategorisë së Parë në Libohovë dhe një prej atraksioneve turistike tërheqëse jashtë qytetit të gurtë të Gjirokastrës. Megjithatë objekti që po degradohet mbetet në pritje të zbatimit të një projekti restaurimi, që nuk dihet se kur do të nisi.

E ndodhur në qendër të një fushe poshtë rrugës së fshatit Labovë e Kryqit, në Qarkun e Gjirokastrës, Ura e Zonjës ka një pamje vërtetë mbresëlënëse. 

Së pari ishin kushtet natyrore që ndikuan në ndryshimin e gjendjes së saj, fill pas spostimit të shtratit të lumit. Brigjet ranore fundosën një pjesë të rëndësishme të saj, atë të anës veriore.

Ura ka pamjen e emrit që mban dhe është e formuar nga një sistem harqesh që ndahet më tej me harqe më të vegjël, mes tyre edhe katër harqe të plotë nga drejtimi jugor dhe një tjetër i dëmtuar në kulmin verior.

Ura e Zonjës është një monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë së parë, që u miratua në vitin 1980.  Ajo është e gjatë 70 metra dhe e larë 7 metra, ndërsa gjerësia shkon në 3.8 metra. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), pranoi gjendjen kritike në të cilën është degraduar monumenti. 

“Ura e Zonjës sot është e papërdorshme se një nga këmbët mbështetëse është e dëmtuar. Pjesa tjeter si rezultat i largimit të rrjedhës së ujit në krahun e majave nuk është më funksionale”, shpjegoi MEKI në një përgjigje zyrtare për Median Amfora. 

Qemerët e dritareve shkarkuese e kanë karakteristike formën e tyre, që dëshmon ndikimin oriental, me qemerët me majë. Nuk ishte devijimi i shtratit sa vetë shëmbja e njërës prej këmbëve që e nxorri atë jashtë funksionit.

Ura e Zonjës në Libohovë. Foto nga “Google Maps”: Ardis Duka

Institucioni më i rëndësishëm i kulturës në vend, MEKI, shtoi se ekziston një projekt restaurimi për këtë monument, por që nuk dihet se kur do të vihet në zbatim për të shpëtuar pjesën e mbetur të monumentit në zonën e Libohovës.

“Ka një projekt restaurimi të realizuar nga Instituti kombëtar i Trashëgimisë Kulturore  (IKTK),  i cili konsiston në ngritjen e këmbës dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ka ura”, shpjegoi MEKI. 

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Gjirokastër, për shkak të mungesës së fondeve nuk ka mundur të ndërhyë në monument, por ka realizuar në mënyrë të vazhdueshme pastrimin nga vegjetacioni.

“Ështe realizuar vijmësisht pastrimi përreth i urës nga vegjetacioni. Në maj të këtij viti ka qenë hera e fundit që kemi bërë pastrimin”, tha drejtori i DRTK Gjirokastër, Ardis Duka. 

Megjithëse në gjendje të keqe dhe e papërdorshme, ura tërheq vëmendjen e vizitorëve, sa për shkak të emrit hijerëndë, sa për shkak të pamjes mahnitëse. 

“Pamja e urës, vendndodhja në rrugën e vjetër Tepelenë-Janinë, emri i saj, bëjnë që monumenti të tërheqi vëmendjen e vizitorëve”, shpjegoi Duka për Median Amfora. 

Muratura e këtij monumenti është ndërtuar me gurë të bardhë gëlqeror. Ndërsa në pjesët e këmbëve të mbetura bie në sy përdorimi i gurëve ranorë konglomerat, me përmasa më të mëdha. 

Kurrizi i urës dikur ka qenë i kalueshëm dhe i shtruar me kalldrëm, i vendosur në forma të ndryshme përgjatë saj, duke kombinuar gurët e zinj me ato të lumit, në formë të rrumbullakët.

DRTK Gjirokastër ka në administrim 19 ura monument kulture, të shpërndara në shumë zona, disa prej të cilave kanë nevojë urgjente për restaurim, siç është ura e Shën Kollit në Lazarat, që është pjesë e ansamblit të Ujësjellësit të Gjirokastrës, që është në gjendje të rrënuar.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109