Nata në qytetin e një mbi një dritareve, kartolina e Beratit
Lagjet muzeale “Mangalem” dhe “Goricë”, përmes banesave monumentale ofrojnë një kartolinë gjatë mbrëmjeve për vizitorët e shumtë të Beratit. Qyteti pasuri e UNESCO-s shndërrin nën hijen e natës edhe përmes objekteve të kultit dhe Urës së Goricës.
Berati është një nga perlat e arkitekturës shqiptare, i gjendur në në juglindje të Shqipërisë, në vitin 2008 ai u rregjistrua në listën e UNESCO-s si një nga pasuritë botërore të trashëgimisë kulturore materiale.
Shembull i rrallë i arkitekturës tipike të periudhës osmane, qyteti nis t’i tërheqi vizitorët e shumtë sapo futen në pjesën historike, aty ku eleganca e Urës së Goricës ndan dy lagjet muzeale.
Dëshmi e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, Berati duket i bukur në çdo stinë, por qetësia që të ofron përgjatë muajit mars, të mundëson që të shijosh çdo copëz të tij.
Ndriçimi mbi banesat që i ka dhënë edhe emrin “qyteti i një mbi një dritareve”, e bën zonën që ndahet nga Lumi Osum, “Mangalemi’ dhe “Gorica”, gati magjike. Ndërsa në krye të zonës historike, Lagja “Kala” qëndron si kurorë që mban pasuri të njerëzimit.
Qyteti është dëshmimtar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Këtë e dëshmojnë kishat dhe xhamitë që ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, duke krijuar mbrëmjeve një harmoni perfekte midis tyre.
Ura e Goricës është një nga më të vjetrat në vend. Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ajo është ndërtuar me plot elegancë që prej shekullit XVIII. Fillimisht prej druri dhe më pas në vitin 1780, në kohën e Ahmet Pashës, u rindërtua me gurë, duke pësuar edhe një herë transformime në vitet’ 20.
Në krah të djathtë të rrugës kryesore dhe të vetme që përshkon qytetin, gjendet lagja muzeale “Goricë”, që veçohet jo vetëm për banesat e ansamblit historik, por edhe për objektet e kultit.
Përballë saj ngrihet lagjja tjetër, “Mangalemi”, me të njëjtin stil banesash, me prezencë gjithashtu të objekteve të kultit. Mbi lagje qëndron si “mbretëreshë” kisha mbi shkëmb, e Shën Mëhillit.
Xhamia e Beqarëve, gjendet në anën e poshtme të lagjes Mangalem dhe u ndërtua në shek. XIX. Xhamia është ndërtuar në një terren të pjerrët dhe paraqet vlera artistike të pikturimit dhe të gdhendjes në dru.