Kushte të vështira pune brenda dhe jashtë redaksive, 18 gazetarë u sulmuan gjatë vitit 2022
Gazetaria e pavarur e konsideruar si pushteti i katërt, ajo e thelluar që dëshirojmë të gjithë, nuk ka bërë hapa përpara edhe gjatë vitit të kaluar. Raporti i publikuar së fundmi me titullin, “Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri 2022”, tregon se ende lidhjet mes medias, politikës dhe biznesit vazhdojnë ta përkeqësojnë situatën për gazetarët, ndërsa dominon media klienteliste.
Në raportin e publikuar nga “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri” rezulton se përgjatë vitit të kaluar kushtet e punës për gazetarët nuk kanë pasur përmisime dhe janë përkeqësuar të drejtat në punë.
“Vonesat e pagave, marrja e pagave në rrugë informale, parregullsi në pagesat e sigurimeve shoqërore, mungesa e pushimeve javore, vjetore, orët e zgjatura të punës dhe çështjet e pushimit nga puna në kundështim me ligjin”, vazhdojnë të dominojnë sipas raportit me autore studiuesen Blerjana Bino.
“Mbrojtja ligjore”, “Pozicioni i gazetarëve në redaksitë e lajmeve” dhe Siguria e gazetarëve”, janë disa nga përmbajtjet e temave që janë analizuar në raportin e publikuar, të titulluar “Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri 2022”.
Mediat në internet vazhdojnë të jenë problematike në vend sipas raportit, pasi gazetarët e rinj në profesion punojnë pa kontrata të rregullta pune. Po njësoj mbetet edhe mos respektimi i Kodit të Punës, thelbësor për ecurinë e punës së gazetarëve.
“Muajt e fundit të vitit 2022, ‘Safe Journalists’ mori raportime nga stafi i medias së ‘Euro News’ Albania në lidhje me shkarkimin e supozuar të rreth 30 punonjësve, si rezultat i ndryshimit të drejtuesve të kësaj medieje. Pjesa më e madhe e personelit të prekur u detyruan që të jepnin dorëheqjen, ndërkohë që një numër i vogël punonjësish u pushuan menjëherë nga puna”, konstatoi raporti.
Pushimet nga puna përveç mediave komerciale kanë përfshirë dhe transmetuesin publik sipas raportit të përgatitur në bashkëpunim me eksperten e medias në Shqipëri, Kristina Voko dhe më eksperten ligjore, Erida Skëndaj.
Në janar të këtij viti rezulton se “Rrjeti për Gazetarët e Sigurt” mori raportime nga gazetarë dhe punonjës të mediave të Radio Televizionit Shqiptar, që tregonin për pushime nga puna për shkak të ristukturimit të strukturës, pas ardhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm.
Vija editoriale është padyshim “fytyra” e një medieje, pasi është frtyi i punës së një armate gazetarësh, redaktorësh dhe kryeredaktorësh. Pavarësia e linjës editoriale duket se vijon të jetë e cenuar.
“Mediat private me më shumë ndikim zotërohen nga një pjesë e vogël kompanish, të cilat kanë lidhje me politikanë. Këto kompani në të njëjtën kohë operojnë në sektorë shumë të rregulluar, të tillla si ndërtimi, gjë që mund të kompesojë më tej pavarsinë editoriale”, thuhet në raport.
Vetëcensurimi vazhdon të mbetet i përhapur sipas gjetjeve. Po kështu edhe vajzat dhe gratë punonjëse në media raportojnë për kushte pune më të këqija krahasuar me kolegët burra. Gjithashtu vijojnë pabarazitë në pagesat dhe trajtimin midis gazetareve dhe gazetarëve.
“Sipas raportimeve dhe fokus grupeve me gazetarë, gazetaret femra shpesh paguhen më pak se homologët e tyre meshkuj për të njëjtën punë”, konstatohet në dokument.
Muajt e fundit janë hasur më shpesh lajme që lidhen me dhunën ndaj operatorëve, gazetarëve dhe siguria e punonjësve të medias është ulur duke u reflektuar me shifrat në rritje.
Rrjeti ka regjistruar 18 raste të sulmeve kundër gazetarëve (12 kundër gazetarëve burra dhe 6 kundër gazetareve gra) dhe hetimet kanë qenë me ritme të ngadalta, duke mos arritur zbardhjen e plotë dhe ndalimin e autorëve të të gjitha ngjarjeve.
E ndërsa në tërësi ai sjell një panoramë jo pozitive të medias në Shqipëri, hap pozitiv shihet vetëm çështja e tërheqjes nga qeveria të paketës antishpifje.
Please wait while flipbook is loading. For more related info, FAQs and issues please refer to DearFlip WordPress Flipbook Plugin Help documentation.