Mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike: “Vendim arbitrar, u njohëm me anë të medias”

Mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe kalimi i saj në varësinë e Akademisë së Shkencave, ka shkaktuar debate midis përfaqësuesve të qeverisë dhe kërkuesve shkencorë. Brikena Shkodra, arkeologe dhe studiuese pranë kësaj akademie e ka cilësuar vendimin aspak etik dhe të ndërrmarë pa konsultime publike. 

Lajmi i vendimit të qeverisë për mbylljen e Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) dhe për kalimin e saj nën varësinë e Akademisë së Shkencave, u përhap me shpejtësi të mërkurën e kaluar. 

Opinioni publik u njoftua nëpërmjet Ministres së Arsimit, Evis Kushi, për mbylljen e këtij institucioni të rëndësishëm të kërkimit shkencor në vend. Në fjalën e saj Kushi foli për një riorganizmin të akademisë, ndërkohë që reagimet kanë qenë të shumta.  

“Ne sot me vendim të qeverisë po e riorganizojmë këtë akademi, duke i vendosur institutet e saj si institucione autonome pranë Akademisë së Shkencave”, u shpreh Kushi pas mbledhjes së qeverisë.

Media Amfora analizoi me Brikena Shkodrën, drejtuese e Departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës ne Institutin e Arkeologjisë, vendimin e qeverisë për mbylljen e ASA-s, që sipas saj ishte shumë i papritur dhe aspak etik.

“Në planin përmbajtësor, është e pashpjegueshme se si kontributi shkencor i një grupi studiuesish dhe personalitetesh akademik të shkencave të Albanologjisë të jetë kaq i pallogaritshëm në indeksin e vlerave të Ministrisë së Arsimit”, tha Shhkodra për Median Amfora.  

Ajo tregoi se Akademia e Studimeve Albanologjike është institucioni i vetëm kërkimor dhe arsimor me prodhimin më kualitativ dhe sasior në vendin tonë. Sipas saj këto janë misione prioritare në kuptimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republiken e Shqipërisë. 

Për Shkodrën Akademia e Studimeve Albanologjike, kaq kuptimplotë në emrin që mban, është institucioni që ka në thelb të misionit të saj studimet e thelluara në drejtim të çështjeve dhe problematikave të lidhura me identitetin kombëtar.

Në Akademinë e Studimeve Albanologjike bëjnë pjesë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare.

Për arkeologen dhe kërkuesen shkencore Brikena Shkodra, nga ana ligjore nuk është marrë në konsideratë detyrimi ligjor për konsultime mes palëve. 

“Ishte tronditëse befasia me të cilën u njohëm për një vendim të tillë përmes medias, të menjëhershëm e aspak transparent, së pari me stafin akademik dhe studiuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe pse jo më gjerë me grupe të ndryshme interesi në kontekstin edukativ dhe publik”, u shpreh Shkodra.  

Teksa më herët ministrja Kushi në fjalën e saj tha se vendimi kishte ardhur pas një kontrolli të institucionit që ajo drejton në janar të këtij viti, ku ishin konstatuar parregullsi, shkelje të rënda ligjore në organizimin e strukturës dhe në mënyrën e funksionimit administrativ dhe financiar.

“Edhe pse u mbështet nga ministria, ajo nuk arriti asnjëherë të riorganizohej për të qenë në respekt të ligjit”, tha Kushi për mediat. 

Për Shkodrën një model i tillë vendimmarrës dhe thellësisht jo transparent është i njëanshëm, kur asetet intelektuale të një vendi trajtohen si ‘plaçkë lufte’që mund të zhvendosen nga një krijesë oreksesh politiko-humoristike në tjetrën, është ekstremisht fyese dhe demotivuese për çdo studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike. 

Shkodra ngre pikpyetje rreth këtij vendimi, se si mund të ndodhë kjo në një vend demokratik, nga institucioni që orienton strategjinë e edukimit dhe kërkimit.

“E kam të vështirë të besoj se një qasje e tillë ndaj elitës intelektuale të vendit, ndaj shkencës dhe kërkimit shkencor, vjen nga ministria e saj e linjës”, tha ajo.  

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha në fjalën e saj gjithashtu se shkeljet thelbësore kishin të bënin me mungesën e një fakulteti të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

“Nuk ka mësimdhënie në njësitë përbërëse të saj, është e paakredituar në programet e studimit”, komentoi ministrja Kushi.

Arkeologia Shkodra tha në lidhje me këtë pretendim se nuk mendon se kemi të bëjmë me shkelje thelbësore, por me përpjekje për t’i krijuar ato. 

Sipas saj që prej krijimit të institucionit si pjesë e Ligjit për Arsimin e Lartë, fillimisht si Qendra e Studimeve Albanologjike e më tej Akademia e Studimeve Albanologjike, drejtuesit dhe stafi Akademik i ASA-s kanë kërkuar dhe kanë bërë çdo përpjekje për të pasur status të veçantë si institucioni i vetëm kombëtar për shkencat Albanologjike, me orientim prioritar kërkimin e thelluar shkencor dhe sekondar, kontributin arsimor në drejtim të përgatitjes së studiuesve të rinj përmes cikleve të dytë dhe të tretë të studimit pasuniversitar. 

“Statuti i ASA-s, hartuar në mbështetje të plotë të Ligjit nr. 80/2015 ‘Për Arsimin e Lartë’ dhe të miratuar në vitin 2018 nga ministri i kohës për arsimin, përcakton qartazi se ASA ka në fokus të saj punën kërkimore-shkencore dhe formimin e thelluar akademik-universitar dhe përfshin në sistemin e vet institute shkencore dhe grupe kërkimore”, theksoi Shkodra.

“Në asnjë rresht të këtij statuti nuk përmendet angazhimi kundrejt krijimit të fakultetit dhe kjo jo për të mos respektuar Ligjin e Arsimit të Lartë, por në mbështetje të një strategjie efikase për nevojat e arsimit në vend, me inflacion të ndjeshëm në drejtim të ciklit universitar”, argumentoi ajo më tej.

Sipas saj vendit i duhen më shumë mundësi studimesh të specializuara në nivele më të avancuara të kërkimit dhe për të cilën ASA i ka të gjitha kapacitetet për t’i ofruar. 

“Për këtë arsye është kërkuar vijimësisht nga Ministria e Arsimit statusi i veçantë për ASA-n dhe plotësimi i bazës ligjore në këtë drejtim, paralelisht janë propozuar programe studimi në bashkëpunim me universitete kombëtare, programe studimesh pasuniversitare, të cilat nuk kanë gjetur mbështetje nga Ministria e Arsimit”, përfundoi Shkodra.