Çaste nga Durrësi pas tërmetit dhe pandemisë, sjellë në një ekspozitë fotografike
Dy prej krizave më të mëdha natyrore për Durrësin dekadat e fundit, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19 u sollën në një ekspozitë fotografike nga të rinjtë, duke synuar të nxisin edhe reflektimin 2 vite pas ndodhive.
Të rinjtë e qytetit të Durrësit çelën mbrëmjen e së premtes një ekspozitë fotografike kushtuar jetës social-ekonomike dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, e ndjekur edhe nga pandemia e COVID-19.
Fotot e shkrepura nga të rinjtë gjatë përditshmërisë shprehnin përvojat e tyre gjatë këtyre viteve sfiduese për qytetin, përballë 2 krizave natyrore.
“Janë fotografi të realizuara në terren dhe kemi synuar të sjellim një këndvështrim tjetër të qytetit”, shpjegon për Median Amfora, Griseld Hoxha, i cili ishte nismëtari i ekspozitës.
“Kemi luajtur me detajet në foto dhe me kompozimin, duke sjellë një miks fotografish, sa aktuale por edhe tematike”, përfundon Hoxha.
Ekspozita e titulluar “Jeta Urbane në Durrës”, solli në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” 75 foto, të cilat ngjallën interesin e fotografëve të vjetër e të rinj të qytetit, por edhe të shumë banorëve të tjerë.
“Ne si Qendra Durrësi Aktiv në kuadër të mbështetjes nga PNUD Shqipëri kemi synuar që të nxisim të rinjtë në angazhimin komunitar nëpërmjet ndërmarrjes së nismave nga ana e tyre”, shpjegon Livia Kreko nga Qendra Durrësi Aktiv.
“Ne kemi mirëpritur propozimet e Klubi Rinor për Angazhim Komunitar (KRAK), të cilët dëshironin të transmetonin për qytetarët qytetin sipas këndvështrimit të tyre, duke e përcjellë përmes fotove”, shtoi Kreko.
Ekspozita solli këndvështrime të ndryshme të ndikimit në jetën e qytetarëve të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, duke synuar edhe të krijojë një ide më të plotë të transformimeve të sjella nga 2 fenomenet natyrore.
Fotot e shkrepura nga 5 vullnetarë në Durrës u sollën në teknikën bardhezi, cila tërhoqi edhe vëmendjen e grupeve të turistëve të huaj të cilët po vizitojnë qytetin këto ditë. Ekspozitës ju bashkua edhe 1 vullnetar nga Shijaku, i cili solli në foto ndikimet e tërmetit në qytezën e Shqipërisë së Mesme.
“Fotografitë janë konvertuar në bardhezi për të sjell një mesazh më emocionues, duke i sjellë më pranë njerëzve emocionet që foto synon të përcjellë dhe të jetë audienca ajo e cila i jep kuptim dhe ngjyra fotos”, komentoi për mesazhin e ekspozitës fotografi Griseld Hoxha.
Ekspozita e cila fton vizitorët të pozojnë në një kënd dedikuar aparatit fotografik do të qëndrojë e hapur nga data 20 deri në 28 maj, në oraret 09:00-13:00 dhe 13:00-19:00.
“Bashkia Durrës është përfituese nga programi ESPR dhe kemi bashkëpunuar për organizimin dhe logjistikën e ekspozitës”, përfundoi Livia Kreko, nga Qendra Durrësi Aktiv.
Ky shkrim synon njohjen me angazhimin e të rinjve dhe reagimin pas fatkeqësive natyrore. Ai u përgatit me mbështetjen e Qendrës Durrësi Aktiv, në kuadër të projektit “Angazhimi i vullnetarëve të rinj në aktivizimin e komunitetit dhe reagimit ndaj fatkeqësive”, si pjesë e programit të “Reagimit të Mbrojtjes Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Mendimet dhe opinionet e shprehura në artikull i përkasin autorit dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e donatorit.
Foto në krye: Të rinjtë e qytetit të Durrësit çelën mbrëmjen e së premtes një ekspozitë fotografike kushtuar jetës social-ekonomike dy vjet pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.