Media Amfora nderohet me titullin “Mirënjohja e Qytetit” të Durrësit
Në 5 vjetorin e themelimit të Medias Amfora, ajo u nderua me titullin e lartë, “Mirënjohja e Qytetit”, dorëzuar nga Shoqata Durrësi Autokton, “Për kontributin në informimin me paanësi dhe profesionalizëm të problemeve në fushën e trashëgimisë kulturore, si edhe ekspozimin e tyre në rajonin e Durrësit”.
Mbrëmjen e 11 shkurtit Media Amfora u nderua me titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit”, dorëzuar nga Shoqata Durrësi Autokton.
Kryetari i shoqatës, Abdulla Deliallisi, e çmoi si të suksesshme punën e Medias Amfora në këto vite dhe vlerësoi cilësinë e raportimit prej saj.
“Është një guxim i madh, një iniciativë e madhe dhe aftësi e inteligjencë e këtyre të rinjve, të cilët marrin përsipër të tilla angazhime, e sidomos në atë që ka edhe në statusin e vet Shoqata Durrësi, në lidhje me ruajtjen e vlerave kulturore, arkeologjike, historike të qytetit”, u shpreh Deliallisi.
Titulli ju dorëzua në emër të Medias Amfora, themeluesit dhe drejtuesit të saj, Geri Emiri, me motivacionin: “Për kontributin në informimin me paanësi dhe profesionalizëm të problemeve në fushën e trashëgimisë kulturore, si edhe ekspozimin e tyre në rajonin e Durrësit”.
“Ky vlerësim është një kontribut që shkon jo vetëm për qytetin e Durrësit, por për të gjithë ne që jemi në këtë ceremoni dhe ‘kemi vendosur nga një tullë’ në atë që Media Amfora përfaqëson sot”, deklaroi drejtuesi i Medias Amfora, Geri Emiri.
“Do të mundohemi ta vazhdojmë misionin tonë për informimin me objektivitet, paanësi dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, përfundoi ai përpara të pranishmëve.
Ceremonia u zhvillua në 5 vjetorin e themelimit të Medias Amfora, më 11 shkurt 2017. Të pranishmit ishin nga fusha e medias, arkeologjisë, trashëgimisë kulturore pedagogjisë, shoqërisë civile dhe trashëgimisë kulturore.
“Amfora.al” ka në fokus raportimin me karakter hulumtues mbi abuzimin me arkeologjinë dhe monumentet e kulturës.
Gjithashtu ajo ka qasjen promovuese të trashëgimisë sonë kulturore, me misionin për: Ekspozimin, ruajtjen dhe promovimin e arkeologjisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, me fokus në rajonin e Durrësit.
_________
Foto në krye: Gjatë dorëzimit të titullit “Mirënjohja e Qytetit” të Durrësit, nga kryetari i Shoqatës Durrësi Autokton, Abdulla Deliallisi, tek përfaqësuesit e Medias Amfora, Geri Emiri dhe Livia Kreko. Foto: Griseld Hoxha.