Koloneli holandez që dha jetën për shqiptarët
Koloneli holandez Tomson pati një karrierë të shkëlqyer ushtarake dhe politike. Ai erdhi për herë të parë në Shqipëri më 7 nëntor 1912 dhe u rikthye më vonë. Tomsoni shërbeu në Shqipëri me mision ruajtjen e paqes dhe ndihmoi në përmirësimin e forcave ushtarake, deri sa humbi jetën 109 vite më parë, më 15 qershor 1914, teksa mbronte Durrësin nga forcat kryengritëse.
Origjina dhe rinia
Lodewijk Willem Johan Karel Thomson lindi në lagjen Klein Rouwkoop të fshatit Forshoten në Voorschoten, më 11 qershor 1869, në një familje aristokrate me tradita të hershme ushtarake. Gjyshi i tij, Jan Jacob Thomson kishte marrë pjesë në betejën e famshme të Vaterlosë dhe ishte dekoruar me medaljen më prestigjoze, “Militaire Willems-Orde”. I ati Bernard Heidenreich Thomson ishte mjek i shtabit të përgjithshëm të marinës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Nëna e tij quhej Maria Vilelmina Pompe fan Mirderfor dhe ishte gjithashtu me origjinë fisnike.
Mësimet e para i mori privatisht nën kujdesin e së ëmës. Më pas ndoqi mësimin në Bergen op Zoon e më tutje në gjimnazin e përgjithshëm Hogere Burgerschool, në Rotterdam. Në vitin 1883 u pranua në Akademinë Ushtarake Koninklijke Militaire Academie në Breda. Më 5 nëntor 1884 mori gradën kadet; Më 21 qershor 1885 u bë rreshter; Më 15 korrik 1886 mori gradën kapter, ndërsa më 25 korrik 1888 bëri betimin si nëntoger në Regjimentin V të Këmbësorisë në Nijmegen. Më 8 nëntor 1892 mori gradën toger dhe dekoratën “Kryq i Nderit”, kur ai ishte vetëm 23 vjeç.
Kishte pasion vizatimin, kartografinë, kiminë dhe notin. Vuante që i ri nga gastriti dhe mjekët i kishin ndaluar frekuentimin e kafeneve dhe bareve.
Familja
Thomson u martua në vitin 1895 me bashkëmoshataren e tij Henriette Lambertina Slotemaker, në qytetin e Arnhemit dhe u trashëguan me dy vajza. Fatkeqësisht njëra prej tyre vdiq ende e re, duke i lënë Thomsonit një plagë të hapur e cila nuk u mbyll kurrë.
Karriera ushtarake
Më 9 dhjetor 1893 mori detyrën e parë 5 vjeçare në Batavi, kryeqytetin e indive holandeze (Indonezi). Udhëtimi zgjati 1 muaj të plotë deri më 15 janar 1894. Me të mbërritur atje Thomson u integrua në Batalionin XVIII. Luftimet e para të vërteta i pati në kryengritjen e frikshme të Teuku Omar. Për rreth një vit Thomson tregoi trimëri të jashtëzakonshme. Aktet heroike të tij u shpërblyen me dekorimin me titullin “Kalorës i Parë”, dekoratën “Militaire Willems-Orde”,të cilën më parë e mbante edhe gjyshi i tij.
Në shtator të vitit 1896 detyrohet të kthehet në Hollandë për shkak të një sëmundje që për pak i mori jetën. Vetëm një muaj më pas, në tetor të vitit 1896, u rikthye në Rezervën Koloniale (le-Reconvalescenten-Compagnie) në Zutphen, të Gelderlandit.
Më 22 dhjetor 1899 u nis me shërbim në Afrikën e Jugut ku mbuloi detyrën e atasheut ushtarak. Atje duhej të monitoronte Luftën e Dytë Anglo-Boere. Detyrën e ushtroi për një vit deri sa më tetor të vitit 1900 u kthye përsëri në Holandë ku kësaj here u caktua në Arkivin e Historisë së Luftës në Shtabin Madhor të ushtrisë.
Më 26 gusht 1901 u caktua në Regjimentin e Granadierëve, ndërsa më 1 tetor 1903 mori gradën Kapiten. Deri në mars 1904 ai ishte komandant i Kompanisë II në Batalionin I të Regjimentit të IX të Këmbësorisë.
Kritik me mënyrën se si shteti dhe ushtria holandeze po e menaxhonte luftën në Indonezi dhe në Afrikën e Jugut, ai propozoi disa reforma të cilat nuk u panë me sy të mirë në Shtabin Madhor të ushtrisë. Për këtë u përplas disa herë me eprorët e tij, të cilët shkuan dei aty sa të përplaseshin me të në gjyqin ushtarak. Aty nga fundi i vitit 1904 edhe pse kishte fituar gjyqin me eprorët, vendosi i zhgënjyer të pezullonte karrierën e tij ushtarake dhe t’i futej politikës.
Karriera politike
Më 15 shtator të vitit 1905 Thomson u zgjodh përfaqësues i krahinës Leeuwarden në Parlamentin e Mbretërisë Holandeze. Nën siglën e partisë së djathtë Bashkimi Liberal mundi në zgjedhje socialistin F. M. Wibaut, me 3674 vota përkundrejt 2740 votave që mori ai, duke marrë kështu pëlqimin e 57% të elektoratit. Në parlament nuk rreshti së propozuari reforma për ushtrinë.
Ai u rizgjodh si përfaqësues i krahinës Leeuwarden në Parlament edhe në vitin 1909, për një tjetër mandat 4 vjeçar, deri në vitin 1913. Kësaj here fitorja ishte ndaj socialistit të famshëm holandez Pieter Jelles Troelstra, të cilin e mundi me votat e partisë kristiane. Sukses të cilin nuk arriti ta përsëriste në vitin 1913, kur Troelstra e mundi ngusht Thomsonin. Në vjeshtën e vitit 1912 mori gradën e Majorit.
Gjatë këtyre viteve, bashkë me Johan Hendrik Ram ai publikoi revistën ushtarake “Militaire Gids, Organ für Widerstand und Nation”. Reforma në ushtri e propozuar prej tij u miratua në Parlament 1 ditë para ditëlindjes së tij të 45-të dhe 5 ditë para se ai të vritej në Shqipëri, më 10 qershor 1914.
Në Shqipëri
Në Shqipëri për herë të parë erdhi më 7 nëntor 1912 si vëzhgues ushtarak në Luftën e Parë Ballkanike. Duke qenë ende deputet i parlamentit holandez, nuk ndenji këtu veçse pak muaj. Më 1 shtator 1913 pasi humbi zgjedhjet, hyri përsëri në shërbimin aktiv ushtarak si pjesë e Regjimentit XII të Këmbësorisë.
Thomson u rikthye në Shqipëri më 10 nëntor 1913, kësaj here si pjesë e misionit ushtarak holandez, me në krye kolonelin V. I. H. De Veer. Ishin gjithsej 17 oficer holandez të cilët ishin kishin marrë detyrë nga Fuqitë e Mëdha për të vendosur rregull në Shqipërinë kaotike të atyre viteve. Të gjithë oficerët që kishin ardhur në Shqipëri u liruan formalisht për 3 vjet nga ushtria holandeze. Ndërkohë Thomson kishte marrë gradën e Kolonelit.
Pak pasi zbarkoi në Vlorë, Thomson dha sinjalet e para të një profesionalizmi dhe aftësie të jashtëzakonshme, duke ndihmuar në dekonspirimin e grushtit të shtetit që kishin organizuar osmanët me në krye Beqir Grebenin.
Me ardhjen e mbretit Wilhelm Vid në Durrës, në mars 1914 u caktua në detyrën e Komisarit të Jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut. Atij ju caktua marrja në dorëzim e qyteteve të Korçës, Gjirokastrës dhe lirimi i të gjitha tokave që ishin pushtuar nga Greqia. Pas disa keqkuptimesh diplomatike Thomson u caktua me detyrë në ngritjen e xhandarmërisë shqiptare. Falë punës së tij u arrit në pak muaj ngrija e një force xhandarmërie e përbërë prej 800 vullnetarësh të sigurtë.
Situata sidoqoftë u bë e rrezikshme për misionin holandez dhe shtetin shqiptar në përgjithësi kur më 18 maj 1914 nisi ajo që në historiografi njihet si Kryengritja e Shqipërisë së Mesme.
Në Durrës
Në Durrës kolonel Thomson erdhi aty nga data 21 maj. Besnikëria ndaj detyrës dhe Shqipërisë e shtyu të drejtonte me dorë të fortë dhe me guxim xhandarmërinë. Kështu organizoi disa operacione për arrestimin e atyre që i konsideronte si tradhëtarë apo për të cilët kishte informacione të sigurta se po punonin kundër Shqipërisë. Në këtë kuadër u tentua arrestimi në Berat i Aziz Pashës dhe i Bektash Zavalanit, si edhe u krye arrestimi dhe më pas shoqërimi jashtë Shqipërisë i Esat Toptanit.
Më 29 maj Kolonel Thomson u caktua komandat i trupave ushtarake që po mbronin qytetin nga forcat rebele të prapatokës. Të nesërmen ai kishte në dispozicion 300 xhandarë dhe rreth 100 nacionalistë, pa llogaritur vullnetarët e huaj gjermanë, austriak, etj. Forca e vullnetarëve të ngritur nga Koloneli Tomson arriti të thyente të gjitha sulmet e kryengritësve në ditët dhe javët që pasuan 15 qershorin e vitit 1914.
Vdekja
Në orët e para të mëngjesit të 15 qershorit 1914 rreth 3000 kryengritës rrethuan Durrësin. 400 syresh kapërcyen kënetën dhe kaluan Portën Romane. 800 të tjerë sulmuan Urën e Dajlanit, ndërsa pjesa tjetër u pozicionua në prapavijë duke u projektuar si forcë rezervë.
Në orën 03:30 të mëngjesit, ende pa lindur dielli, u shkrep pushka e parë dhe nisi sulmi i kryengritësve. Kolonel Thomson, i cili ishte vënë në krye të kundërsulmit për t’i dhënë forcë dhe guxim burrave që qendronin pas tij, u vra në orën 06:30 të mëngjesit më 15 qershor 1914. Ai mori një plumb në kraharor dhe u dorëzua në krahët e majorit tjetër hollandez, Roelfsemman. Ndërroi jetë pak sekonda më pas me fjalët e fundit që iu drejtuan majorit Kroon, të cilin e ftoi të merrte drejtimin e kundërsulmit.
Tituj dhe Dekorata
- “Kryq i Nderit”;
- “Kalorës i Parë”;
- “Militaire Willems-Orde”;
- “Kalorës i Urdhërit të Oranje Nassau me shpatat”;
- “Oficer i Legjionit të Nderit”;
- “Kalorës i Urdhërit të Luanit të Holandës”;
- “Kalorës i Urdhërit me Shpatën e Suedisë”, etj.
Kanë thënë për Kolonel Thomson:
* “I gjallë dhe energjik” – Konsulli Austro-Hungarez Mayerhauser (1914);
* “Te ura, te Ura,
Vajtoni, o burra,
…
Thomsonin e ngratë që ju vet’ e vratë,
Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,
Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe” – Fan Noli (1914);
* “E deshi Shqipërinë tonë si Holandën vetë. Më të madhen sakrificë që mund të bënte, ia bëri kombit tonë. Vlera e njerëzve si Thomson ndjehet, çmohet e kërkohet sa herë që dëgjohet rënkimi i popujve të robëruar. Ai ishtë një zemër trime dhe bujare” – Skënder Luarasi (1929);
* “Thomson ishte aq i dashur nga të gjithë sa që çdo njeri do të kishte dhënë jetën për të” – Jan Fabius;
* “Humbja e Kolonel Tomsonit ishte më tragjikja jo vetëm për shumë nga miqtë e tij, por mbi të gjitha për Shqipërinë. Ai bëri emër në këtë vend dhe ishte padyshim shërbyesi më i aftë i Mbretit” – Heaton Amstrong;
* “Thirrjet e tij [Thomsonit] ushtrojnë një ndikim magjik ngaqë gëzon simpatinë e njerëzve” – Ferdinando Salleo;
* “Askush prej nesh nuk mund të mos ketë për të një mendim tjetër përveç atij të një admirimi mallëngjyes. Në kujtim të tij shkon përshëndetja që u takon trimave dhe guximtarëve”- Italo Sullioti.