Përkujtohet në Durrës kontributi i kolonelit holandez Tomson

Në Durrës u organizua një ceremoni përkujtimore në 109 vjetorin e ndarjes nga jeta të kolonelit holandez Lodewijk WJK Thomson, i cili shërbeu  me mision ruajtjen e paqes dhe ndihmoi në përmirësimin e forcave ushtarake të Shqipërisë, deri sa humbi jetën në frontin e betejës, më 15 qershorin e vitit 1914.

Koloneli holandez Lodewijk WJK Thomson pati një karrierë të shkëlqyer ushtarake dhe politike në vendin e tij të lindjes, duke lënë gjurmë më tej edhe në historinë e Shqipërisë.

Ai erdhi për herë të parë në Shqipëri më 7 nëntor 1912 dhe u rikthye më vonë.  Tomsoni shërbeu në Shqipëri me mision ruajtjen e paqes dhe ndihmoi në përmirësimin e forcave ushtarake, deri sa humbi jetën 109 vite më parë, më 15 qershor 1914, teksa mbronte Durrësin nga forcat kryengritëse.

Në përvjetorin e tij të humbjes së jetës Ambasada e Holandës në vendin tonë, në bashkëpunim me shoqatën “Miqtë e Thomsonit” organizoi në Durrës një ceremoni në nderim të kontributit të Tomsonit. 

Ambasadori holandez Reinout Vos në ceremoninë e përkujtimit të kolonelit holandez Tomson. Foto: Erjola Azizolli/ Amfora.al

Në ceremoninë e zhvilluar në “Shëtitoren Taulantia”, ku ndodhet edhe busti përkujtimor i Kolonelit Tomson, morri pjesë ambasadori  i Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Reinout Vos,  përfaqësues të forcave të armatosura shqiptare dhe atyre të Holandës, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, personalitete të fushave të historisë, artit dhe kulturës.

Ambasadori holandez Reinout Vos, shprehu vlerësimet për nderimet që ju bënë kolonelit holandez në Shqipëri, duke ngritur lart vlerat që e kanë karakterizuar atë.   

Aktiviteti vijoi më tej në Torrën Veneciane, ku u mbajt një panel diskutimi me historianë të cilët diskutuan për rolin e misionit paqeruajtës holandez në Shqipëri dhe të kolonelit Tomson.

Për më shumë për jetën dhe kontributin e kolonelit Lodewijk WJK Thomson, lexoni edhe artikullin studimor në gjuhën shqipe (klikoni këtu).