Mbrojtja e arkeologjisë, qytetarët protestojnë kundër punimeve tek “Veliera”

Paraditen e djeshme qytetarë të Durrësit dhe të Tiranës, janë mbledhur në sheshin ku po kryhen punimet për ndërtimin e “Velierës”, duke i kërkuar bashkisë Durrës që firma e kontraktuar prej saj të ndalojë punimet pranë gjetjeve arkeologjike.

Kjo sipas tyre, bazuar në urdhërin e gjykatës administrative, për të ndaluar punimet pranë kësaj zone.

Në vijim të protestës, nëpërmjet bulevardit ata ju drejtuan bashkisë Durrës.

Ashtu siç ka raportuar më herët edhe Amfora.al, ky urdhër është shkelur, duke derdhur beton shumë pranë zbulimeve arkeologjike.

Protestës ju bashkuan edhe përfaqësues vendor të opozitës, të cilët më herët e kanë kundërshtuar projektin me votë, në Këshillin Bashkiak Durrës.

Kjo është protesta e katërt e organizuar për shpëtimin e zbulimeve arkeologjike, nga shoqëria civile dhe grupimi qytetar rinor, “Aktiv për Durrësin”.