Të shumtë në numër, por të padukshëm në qytet. Barrierat sociale vështirësojnë aktivizmin studentor

Shumica e qyteteve në Shqipëri kanë brenda tyre një “bërthamë energjie” të pashtershme. Nga Veriu në Jug gjenden 7 universitete në zemër të qyteteve më të mëdha të vendit. Studentët pas dijeve që marrin arrijnë t’i kthejnë shoqërisë një kontribut të vyer, që nuk lidhet direkt me angazhimin e tyre profesional.

Ajo përkufizohet në atë që njihet si “aktivizmi studentor”. “Do të thotë të lëvizësh, të kesh frymë dhe energji për të bërë ndryshim, një grup njerëzish që bashkohen duke krijuar fuqinë e cila sjell rezultatin e kërkuar”, përkufizon Dajana Gërdani, studente në Universitetin e Durrësit.

Shumica e studiuesve sot bashkohen në idenë se aktivizmi përbën një veprim në emër të një kauze, i cili shkon përtej rutinës së përditshme. Aktivizmi i studentëve përgjatë historisë ka shkaktuar ndryshime politike, mjedisore, ekonomike dhe sociale.

Dhjetori i vitit 2018 tronditi thellë qeverisjen në Shqipëri, duke sjellë në shesh protestat pa lider. Mijëra studentë u rreshtuan përpara ministrisë së Arsimit me disa kërkesa që lidheshin me arsimin e lartë në vend, duke detyruar qeverinë të ndërmerrte një sërë masash që lidheshin me tarifat në universitetet shtetërore dhe kushtet e konvikteve.

Mijëra studentë duke protestuar para ministrisë së Arsimit për uljen e tarifave, më 7 dhjetor 2018. Foto: Geri Emiri

Plot me energji, por të dyzuar nga rrethanat

Më 4 qershor Dajana Gërdani bënte ecejake të shumta në sheshin qendror të qytetit të Durrësit. Përveç adresimit të një shqetësimi social, duhej të sigurohej edhe për respektimin e masave mbrojtëse nga pjesëmarrësit ndaj koronavirusit të ri, SARS-CoV-2.

Së bashku me të dhjetëra të rinj marshuan në rrugët e qytetit pas abuzimit seksual prej të paktën 2 vitesh me një vazjë 15 vjeçare, nga roja 65 vjeçar i shkollës ku ajo mësonte, si edhe nga disa të rinj që u nxitën nga i moshuari.

Me pankarta dhe thirrje studentët në Durrës denoncuan abuzimet seksuale në shkolla, vendet e punës dhe mungesën e reagimit nga autoritetet. “Jam surprizuar shumë nga pjesëmarrja pothuajse dyfish e të rinjve. Kishte shumë qytetarë të thjeshtë, jo aktivistë. Kishte edhe djem që zbrisnin nga makinat, pyesnin për qëllimin dhe na bashkoheshin”, kujton e emocionuar Dajana.

Emocioni i saj ishte dyfish pasi në marshimin e 8 marsit kundër dhunës ndaj vajzave e grave u bashkuan një grusht njerëzish. “Kur e marrin vesh që bëhet diçka shumë e madhe, kur arrihet deri tek përdhunimi, vetëm atëherë reagojnë. Nuk e kanë ndërgjegjësimin që ta parandalojnë”, analizon 21 vjeçarja.

Në të majtë Dajana Gërdani, e cila së bashku me dhjetëra të rinj më 4 qershor marshuan në rrugët e qytetit pas abuzimit seksualisht të një 15 vjeçare nga roja i shkollës. Foto: Geri Emiri

Studentët përgjatë historisë janë kthyer në promotor të ndryshimeve politike, sociale dhe ekonomike. Në vitin e largët 1507, profesorët në Universitetin e Padovës anuluan pushimet e studentëve për festimin e Karnevaleve, duke i kërkuar që të ndiqnin leksione mbi filozofinë.

Papritur auditorët u kthyen në shesh trazirash, duke shkatërruar sallat e leksioneve dhe sulmuar anëtarët e fakultetit. E ngjashme me atë që më vonë u përkufizua si “aktivizmi studentor”, lëvizja mjaftoi që universitetet të mos e çonin më përmend të anulonin pushimet e pranverës.

Altin Gjeçi i ka realizuar studimet në fushën e ekonomisë në dy prej qyteteve kryesore në vend, në Elbasan dhe Durrës. Teksa kujton angazhimin studentor, rrëfen se në punë vullnetare angazhoheshin kryesisht studentët e infermierisë dhe të shkencave sociale. “Por nuk është se kishte ndonjë ndikim në qytet angazhimi i studentëve”, tregon ai prerazi.

Altin Gjeçi duke marshuar në rrugët e qytetit në qershor të këtij viti pas abuzimit seksualisht të një 15 vjeçare nga roja i shkollës. Foto: Geri Emiri

Teksa analizon situatën, parashtron se shumica e studentëve ishin nga Elbasani dhe për ata që vinin nga rrethet e tjera ishte i vështirë integrimi social, duke u kthyer në një barrierë që nuk lejonte ngjizjen e nismave që synonin përmirësimin e jetesës në qytet.

“Domosdo një person që kryente një aferë korruptive në qytet, qëllonte patjetër i njohur i pjesës më të madhe të studentëve dhe normalisht njohjet e zbusnin çdo lloj reagimi që mund të lindte nga studentët e tjerë”, analizon ai.

Pasiguria për të ardhmen duket të jetë një tjetër faktor që zbeh dëshirën e studentëve për tu angazhuar në çështje që kanë dobi për komunitetin.

“Sidomos vitet e fundit studentët janë bërë të plogësht, nuk janë shumë të interesuar, mbase edhe ideja se shumica po largohen jashtë vendit, kudo që shkon e dëgjon këtë refren, ‘ne do të mbarojmë dhe do ikim’”, tregon lektorja në Departamentin e Turizmit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), Brunilda Liçaj.

Për Altin Gjeçin studentët janë treguar aktiv të paktën për çështje që lidhen drejtpërdrejtë me ta. “Të vetmet protesta që kanë bërë studentët e Elbasanit kanë qenë për aferat korruptive të pedagogëve”, tregon ai për 3 vitet e studimit në ciklin “Bachelor”, për “financë-bankë”.

Vitet e studimit në ciklin “Master” në Durrës, i ofruan një panoramë më të detajuar mbi raportin e studentëve dhe aktivizmit. Një tarifë prej 120 mijë lekësh të vjetra që duhej paguar për një provim të bartur ishte kthyer në një barrë të madhe financiare për studentët.

“Ndërkohë që universitetet e tjera nuk e aplikonin fare këtë tarifë, bashkë me disa shokë nga Tirana menduam të organizonim një peticion për këtë kauzë”, tregon i riu.

“Fillimisht hasëm në shumë pasivitet nga studentët, kishin frikë, mosbesim, u lidhëm edhe me programet e tjera të studimit dhe e bëmë peticionin, i mblodhëm firmat dhe arritëm që ta anulojmë tarifën”, shpjegon Altini, që përfundoi studimet për “Financë-kontabilitet” në Durrës.

Modelet shoqërore thellojnë hendekun me aktivizmin

Aktivizmi studentor shpesh herë është parë si më pranë ideologjive të majta, por jo të pakta kanë qenë rastet që janë përkrahur edhe nga lëvizjet e djathta. Në vendet me demokraci të brishtë apo sisteme totalitare, ato janë të fokusuara drejt ndryshimeve politike dhe lirive themelore.

Në vendet me demokraci të konsoliduar aktivizmi studentor fokusohet tek kushtet më të mira në universitete dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Në shkurt 2018 në SHBA pas të shtënave me armë që i morën jetën 15 nëxnësve në Shkollën e Mesme “Stoneman Douglas”, në Florida, mijëra studentë organizuan protesta kundër krimeve me armë.

Të rinjtë në Durrës duke marshuar në rrugët e qytetit më 4 qershor, pas rastit të një vajze 15 vjeçare që u abuzua seksualisht nga roja i shkollës ku ajo mësonte. Foto: Geri Emiri

“Njeriu që kur lind mëson një sërë interesash që kultivohen nga familja, shkolla dhe shoqëria. Ato lidhen me fusha të ndryshme, si ekonomia, arti apo kultura”, analizon sociologu Rubin Begeja.

“Në shoqëritë që ne jetojmë sidomos pas rënies së ideologjive të mëdha, si fashizmi, komunizmi, ranë edhe çështjet e idealeve në shoqëri, modeleve dhe ky nuk është vetëm një problem shqiptar”, tregon Begeja për modelet e vlerave dhe sfidat me të cilat po përballen kombet.

Individi nis krijimin e përvojave të para jetësore në familje. Duket se sistemi politik i instaluar në Shqipëri për gati gjysmë shekulli ka lënë gjurmë të thella në formimin e brezave të të rinjve.

“Ka një distancim nga emri vullnetarizëm, jemi ende në 30 vjeçarin e kohës pas komunizmit, që ende kanë frikë dhe skepticizëm kur thonë vullnetar, vetëm në kohën e komunizmit bëhej vullnetarizëm, nuk e dinë që ajo bëhet kudo në botë”, analizon pedagogia Brunilda Liçaj.

Gjatë studimeve në Itali ajo kujton se kishte gjithmonë vullnetarë për gjithçka që ndodhte në qytet. Përtej konceptit të aktivizmit, vullnetarizmit edhe ai për shtetin duke i projektuar nën një perspektivë inferioriteti.

“Së pari ndikon kultura familjare, mua më thonë shpesh që mos e shaj shtetin, mos u merr me të, mos e kundërshto. Janë ende me kulturën e komunizmit, që po fole dënohesh dhe përfundon keq e më keq”, rrëfen Altin Gjeçi, duke theksuar se kjo mënyrë te menduari transferohet vazhdimisht nga prindërit tek fëmijët.

Modelet që ofron shoqëria dhe idealet që ajo përcjell duket vendimtare në formimin e brezave të të rinjve. “Ne jo vetëm që nuk ofrojmë një mode, ideal që t’i referohen të rinjtë, por për më tepër i ofrojmë një anti-model. Sado që t’i zhvillohen interesat për të lexuar, mësuar, në ambientin shoqëror ka një model që promovon jetën luksoze”, analizon Rubin Begeja, i angazhuar në mësimdhënie dhe në shoqërinë civile prej 17 vitesh.

Dajana Gërdani në vitet e para të universitetit nisi të ngjizte ide me bashkëmoshatarët, duke u angazhuar në çështje social-kulturore. Në drejtimin e “Klubit social” brenda UAMD-së, së bashku me studentë të tjerë ajo u angazhua në ndihmë të të moshuarve, fëmijëve jetimë dhe familjeve në nevojë.

“Kemi dy ekstremitete, ka një masë që janë tërësisht indiferent dhe një tjetër që janë shumë aktiv, thjesht nuk gjejnë habitatin që të zhvillohen”, rrëfen ajo për angazhimin e studentëve.

Për Altin Gjeçin pikërisht studentët janë elementi më i fortë i një shoqërie dhe të pa kërcënueshëm në aspektin financiar, si largimi nga vendi i punës. “Ata mund të vendosin gjithçka për arsye se janë pjesa më e madhe në numër, të bashkuar, kanë autonomi në të menduar, pra nuk pranojnë që t’i injektosh ide që atyre nuk i pëlqejnë”, shpjegon Altini.

Roli i politikës duket gati si një agjenturë me qëllimin e vetëm të pengimit të aktivizmit studentor, kjo në planin e përfshirjes së të rinjve në forumet partiake dhe së dyti duke ofruar modelin e institucioneve që nuk reagojnë ndaj kërkesave të aktivistëve.

“Në përgjithësi ata që janë futur nëpër kauza kanë pretenduar të kalojnë në politikë. Njerëzit janë lodhur, mendojnë se përse t’i shkojnë nga pas kauzës dhe në fund nuk përfitojnë asgjë, madje mund të marrin urrejtjen e dikujt”, shpjegon lektorja Liçaj, duke vendosur theksin se ka nevojë të sillet një model aktivizmi studentor që nuk interferon në asnjë pikë me interesat politike.

“Është edhe pesimizmi që thonë se edhe x-i apo y-i protestoi por nuk bëri asgjë”, tregon ish-studenti Altin Gjeçi. “Pra mos reagimi nga institucionet është faktori thelbësor sepse njerëzit janë zhgënjyer, por nëse dorëzohemi i bie të mos përpiqemi të që ndryshojmë”, shton me shqetësim studentja Dajana Gërdani.

Për sociologun Rubin Begeja kjo sjellje nuk është rastësore. “Politika uzurpon zyrën dhe nuk e hap më derën. Ai që ka detyrën nuk bën atë për të cilën paguhet dhe nuk e gjen asgjë edhe nëse e dërgon në instanca të tjera, duke krijuar një rreth të mbyllur”, analizon Begeja.

Studentët e Fakultetit të Histori-Filologjisë bojkotuan auditorët dhe bllokuan hollin kryesor, duke kërkuar zgjidhjen e kërkesave parashtruar qeverisë. Foto: Geri Emiri

Infrastruktura pengon ndërveprimin e të rinjve

Altin Gjeçi kujton kur shkoi për herë të parë nën petkun e studentit në qytetin e Elbasanit. “Nuk kisha as edhe një lloj vendi ku të njihesha me njerëzit apo ku të bisedoja, duke krijuar rrjetet studentore. Kisha 2-3 orë pushim dhe nuk kisha se ku të rrija edhe kjo ishte kosto dhe nga ana tjetër ishte kohë e humbur”, shpjegon ai.

Studentët në qytetet shqiptare përballen edhe me mungesat e qendrave rinore, hapësirave sportive apo kinemave ku të socializohen dhe shkëmbejnë ide për çështje me rëndësi shoqërore.

“Nëse do të ishin këto hapësira, do të kishte më shumë mundësi që të rinjtë të njiheshin dhe të diskutonin për të ngritur kauza të caktuara, ndërsa sot ka shumë mungesë të frymës së bashkëpunimit”, shpjegon Dajana Gërdani, që studion në degën “Gjuhë-letërsi-anglisht”, në Universitetin e Durrësit.

“Pra një ide do të përkrahej dhe do të organizoheshin atje. Kurse tani mbaron mësimi dhe shpërndahet secili nëpër shtëpi ose bare”, shpjegon pedagogia Liçaj për rëndësinë e hapësirave dedikuar të rinjve.

Ajo sjell edhe nevojën e bashkëpunimit të institucioneve me studentët. “Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri deri vitin e kaluar ka pësuar një rritje të numrit të vizitorëve dhe stafi është i limituar, i cili e përballon ngarkesën gjatë vitit, por jo gjatë verës”, shpjegon ajo, duke treguar se studentët në mënyrë vullnetare u angazhuan për disa muaj në Muzeun Arkeologjik Durrës.

______

*Foto në krye: Mijëra studentë duke protestuar para ministrisë së Arsimit për uljen e tarifave, më 7 dhjetor 2018. Foto: Geri Emiri.

* Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e aktivizmit në Shqipëri, përmes shembujve konkretë, që paraqesin sfidat e arritjet për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe organeve qeverisëse. Shkrimi u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare të Aktivizmit” (22 tetor 2020).