9 vatra aktive: Pyjet e Pukës nën flakë, situatë e vështirë në Dukat të Vlorës

Banorët në zonën Gojan-Gjegjan në Pukë u evakuuan, ndërsa era e fortë dhe terreni i thyer po vështirësojnë ndërhyrjen për shuarjen e zjarreve. Organizata për mbrojtjen e mjedisit, PPNEA, paralajmëroi për rrezikun ndaj familjeve, si edhe për dëmtimin e pyjeve dhe habitateve. Situata mbetet e vështirë edhe në Dukat të Vlorës.

Konflikti i parandaluar mes grupeve, procedohen 28 të mitur në Tiranë

Një konflikt i dyshuar mes disa grupeve të të miturve u parandalua nga policia në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Në përfundim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë 28 të mitur të moshave 13-17 vjeç, ndërsa u sekuestruan pesë armë të ftohta dhe mjete të mprehta.

Raporti i KLSH-së evidentoi problematika me fondet publike dhe investimet e Ministrisë së Kulturës

Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi problematika në politikat, financimet dhe investimet në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, gjatë auditimit të (ish-)Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjetjet prekën nga Strategjia e Kulturës dhe financimi i projekteve artistike, te Bonusi i Rijetëzimit dhe ndërhyrjet në disa objekte të trashëgimisë kulturore.

“Shkarkimi” i myftiut të Vlorës, qëndrimet kritike përballë narrativave dezinformuese

Lajme që e paraqitën si “shkarkim” transferimin e myftiut të Vlorës, Ardit Hoxhllaku, e lidhën lëvizjen me qëndrimet e tij për hebrenjtë dhe Palestinën, si edhe me presione të pretenduara nga qeveria dhe kërkesa nga Ambasada e Izraelit. Ndërkohë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e përfshiu Hoxhllakun në një proces më të gjerë lëvizjesh brenda institucionit. Myftiu, i njohur për qëndrimet kritike ndaj çështjeve politike, kombëtare dhe problematikave të komunitetit, u transferua në Peqin.

Dëm i pallogaritshëm nga zjarret, Policia e Shtetit me strukturë për krimet mjedisore

Policia e Shtetit do të ketë një strukturë të specializuar për krimet mjedisore, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e cilësoi të pallogaritshëm dëmin e shkaktuar nga zjarret e këtij viti në fondin pyjor. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raportoi të hënën 33 vatra zjarri në 24 orët e fundit, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 5 në monitorim.

Rruga e restauruar “Naim Frashëri” në Pogradec nuk i shpëtoi përmbytjes nga reshjet

Rruga “Naim Frashëri” në Pogradec u përmbyt të premten pas reshjeve të shiut, pak kohë pas ndërhyrjes për restaurimin dhe rikualifikimin e zonës historike. Projekti ishte përballur më herët me kritika për mënyrën se si ndërhyrja kishte trajtuar identitetin arkitekturor të rrugës, ndërsa përmbytja riktheu vëmendjen te infrastruktura e zonës.

Trafik armësh nga Kosova për grupet kriminale, dy të arrestuar në Durrës

Policia e Durrësit arrestoi dy persona në Maminas, pasi në automjetin ku udhëtonin u gjetën 3 pistoleta dhe 34 fishekë. Armët dyshohet se u trafikuan nga Kosova me qëllim shitjen te grupet kriminale në Shqipëri, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

14 shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan në kufirin shqiptar

14 shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova u refuzuan në kufirin shqiptar në tre vitet e fundit. Raste të tjera në kufi dhe shpalljet “non grata” nxitën debat publik, duke u lidhur me protestat e “Revolucionit të Flamingove”, por asnjë prej 14 refuzimeve nuk kishte si shkak kërcënimin ndaj sigurisë kombëtare apo rendit publik.