SPAK çon në gjyq dosjen e inceneratorit të Tiranës, 12 persona dhe dy kompani nën akuzë

SPAK dërgoi në gjykatë 12 persona dhe dy kompani, të akuzuar për mashtrim, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal në zbatimin e kontratës koncesionare të landfillit dhe inceneratorit të Tiranës. Sipas Prokurorisë, kompania koncesionare arkëtoi mbi 11.3 miliardë lekë deri në vitin 2023, ndërsa për ndërtimin e objektit u investuan rreth 21 milionë euro.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të enjten se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme dosjen për koncesionin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës. Mes të pandehurve janë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe dhjetë persona të tjerë, si edhe dy kompani, të cilët akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

“Nga provat e administruara… nga momenti i lidhjes së kontratës deri në vitin 2023… janë siguruar të ardhura në vlerën 11,319,754,405 lekë, ndërsa është investuar për ndërtimin e objektit vetëm vlera 21,017,157 euro”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, kontrata koncesionare për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë kishte një vlerë të parashikuar prej 128.2 milionë euro, pa TVSH. Hetimi pretendon se, megjithëse kompania koncesionare përfitoi miliarda lekë nga zbatimi i kontratës, investimet e kryera për ndërtimin e objektit ishin dukshëm më të ulëta.

“Nga hetimi ka rezultuar se pronarët ‘de facto’ të shoqërisë koncesionare ‘Integrated Energy B.V. S.P.V.’ sh.p.k., të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përfituar në mënyrë të parregullt vlera të mëdha monetare të siguruara nga zbatimi i kontratës koncesionare, duke mos bërë investime për realizimin e veprës”, shkruhet në njoftim.

Prokuroria pretendon se përfitimet financiare janë realizuar përmes një skeme mashtrimi që përfshinte fatura fiktive, shoqëri të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si edhe tërheqje të shumave të konsiderueshme në para cash. Sipas hetimit, në këtë mënyrë janë nxjerrë 1.28 miliardë lekë dhe 16.6 milionë euro nga llogaritë e shoqërisë koncesionare.

“Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë përdorur mekanizmin e nxjerrjes së shumave monetare nga llogaritë e shoqërisë koncesionare, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shfrytëzimit të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes transferimeve në vlera cash”, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK, për realizimin e kësaj skeme dyshohet se bashkëpunuan edhe persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj, të cilët akuzohen për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Mes tyre janë Dashamir Ymeraj, Arjola Kodra, Denisa Tollkuçi, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja, si edhe shtetasit e huaj Giuseppe Ciaffaglione, Marc Richard Lappat dhe Michael Peter Druijts.

“Nga hetimi është evidentuar fakti se për të arritur qëllimin kriminal të pastrimit të parave… Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kanë vepruar në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal”, njoftoi institucioni.

SPAK kujton se në procedime të ndara të kësaj dosjeje janë dërguar më herët për gjykim dhe janë gjykuar me vendime të formës së prerë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në procedurën e dhënies së koncesionit.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, të dhënë në korrik 2023, janë vendosur gjithashtu masa të sekuestros preventive mbi pasuritë e Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe të kompanive “Integrated Energy B.V. S.P.V.”, “Integrated TechnologyService” dhe “F.M.O.”. Ndërkohë, SPAK njoftoi se hetimet vijojnë në një procedim të ndarë për të identifikuar fakte të tjera penale dhe persona të tjerë që mund të kenë pasur rol në dhënien dhe zbatimin e kontratës koncesionare.

Dosja e inceneratorëve është një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK-ut, nga e cila janë ndarë disa procedime penale që kanë çuar në gjykim dhe dënim të ish-zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në procedurat koncesionare.