Skulptura në rërë, risia artistike në bregdetin e Durrësit

Artistë vendas dhe të huaj krijuan në bregdetin e Durrësit mbi 10 skulptura prej rëre, një aktivitet artistik që vjen për herë të parë. Juria vlerësoi me çmime artistët pjesëmarrës, të cilët sfiduan veten në përdorimin e rërës për të krijuar skulptura.

Artistë vendas dhe të huaj sollën në Durrës një eksperiencë ndryshe të krijimit të skulpturave, duke sjellë mbi 10 vepra arti në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.

Ky aktivitet u zhvillua në Durrës për herë të parë, duke sjellë përmes rërës vepra artistike me motive që ndërthurnin krijesat ujore me portretet njerëzore. 

Skulpturat e rërës në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”. Foto: Media Amforadefault

“Ne kemi paraqitur një çift, pra vetveten, ku nënkuptoj veten dhe të dashurën time. E kemi paraqitur përmes oktapodit, shtrëngimi i tij përmes tentakulave, si një mesazh përqafimi i frymëzuar nga dashuria”, tregoi Selam Kastrati.

Artisti nga Kosova mori vlerësimin e parë nga juria profesioniste, për veprën e tij dedikuar dashurisë, që e solli përmes krijimit të një skulpture prej rëre që shfaqte dy oktapodë në ndërveprim.

“Është ideja e të dashurës sime dhe për mua ishte hera e parë që po e punoja në rërë dhe kisha dilema nëse do ja dilja ta realizoja në mënyrë profesionale”, përfundoi artisti i ri nga Kosova.

Ata u përballën me sfidën e krijimit të një vepre arti në rërë, që sipas tyre është një terren dhe material tepër delikat për krijimin e skulpturave, ndikuar edhe nga faktorët atmosferikë.

Skulpturat e rërës në bregdetin e Durrësit. Foto: Media Amfora

Në aktivitetin që zgjati 3 ditë morën pjesë mbi 15 artistë nga Shqipëria, Kosova, Kina, Italia dhe vende të tjera të rajonit. Juria e aktivitetit përbëhej nga skulptori Qazim Kërtusha, piktori Artan Shabani, skulptori Alfred Mirashi, arkitekti Alket Meslani dhe piktorja Keidi Sejdiu.

“Uroj që ndër vite të vijojë ky koncept i realizimit të skulpturave në rërë dhe që të ketë kontribut më të shumtë nga artistët që punojnë vetëm në rërë sepse është e ndarë për ata që janë të specializuar në këtë fushë”, tregoi për Amforën, Avni Demiri.

Skulptori Avni Demiri duke punuar në veprën e tij. Foto: Media Amfora

Artisti 29 vjeçar shpjegoi më tej se publiku kishte pasur interes të lartë për veprat e realizuara. Aktiviteti artistik i titulluar “Sand Art Durrës” u realizua nën kujdesin e arkitektit Indrit Hamiti, në bashkëpunim me “Inceptio Studio” dhe “Rotaract Club Durrës”, me mbështetjen e Bashkisë Durrës.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109