“Shkarkimi” i myftiut të Vlorës, qëndrimet kritike përballë narrativave dezinformuese
Lajme që e paraqitën si “shkarkim” transferimin e myftiut të Vlorës, Ardit Hoxhllaku, e lidhën lëvizjen me qëndrimet e tij për hebrenjtë dhe Palestinën, por edhe me presione të pretenduara nga qeveria dhe kërkesa nga Ambasada e Izraelit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfshiu në një proces lëvizjesh edhe Hoxhllakun, një zë kritik për çështje politike, kombëtare dhe problematika të komunitetit, i cili u transferua në Peqin.
Grafikë ilustruese. Përgatiti: Media Amfora
“Kundërshtoi tezën se Vlora ka qenë 90% hebreje, shkarkohet myftiu i Vlorës”, ishte titulli i një lajmi të publikuar më 8 gusht nga portali “JOQ Albania” për Ardit Hoxhllakun, i cili deri në fillim të gushtit drejtonte Myftininë e Vlorës. Por Hoxhllaku nuk ishte shkarkuar nga detyra e myftiut. Dy ditë përpara publikimit të lajmit, më 6 gusht, ai kishte njoftuar vetë përmes një videoje në rrjetet sociale se po transferohej nga Vlora në Peqin.
“Nga sot e prapa jam myfti i Peqinit, me të njëjtën përgjegjësi dhe të njëjtin përkushtim”, tha Hoxhllaku në videon e publikuar më 6 gusht.
Edhe pse titulli i lajmit e paraqiste lëvizjen si “shkarkim”, në brendësi të artikullit shkruhej se Hoxhllaku ishte “transferuar urgjentisht drejt Peqinit”.
Ky nuk ishte një raportim i izoluar. Lajmi për “shkarkimin” e myftiut të Vlorës u përhap nga dhjetëra media gjatë 10 ditëve të para të gushtit. Ndërsa disa prej tyre, pavarësisht titullit për “shkarkim”, sqaronin në brendësi të lajmit se Hoxhllaku ishte transferuar në Peqin, në raportime të tjera ky fakt mungonte. Gazeta Telegraf, portali Alfax dhe një artikull i Gazetës Impakt e paraqitën Hoxhllakun si të shkarkuar apo të larguar nga drejtimi i Myftinisë së Vlorës, pa sqaruar se ai ishte transferuar në Peqin dhe vazhdonte detyrën si myfti.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë konfirmoi se më 3 gusht ishte marrë vendimi për ndryshimin në drejtimin e Myftinisë së Vlorës dhe se Kliton Malaj ishte emëruar drejtues i saj.
“Ka pasur ndryshim në drejtimin e Myftinisë së Vlorës. Vendimi për ndryshimin është marrë më 3 gusht 2026, në kuadër të procesit të riorganizimit të strukturave të KMSH-së”, tha KMSH-ja në një përgjigje zyrtare për Media Amfora.
Sipas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndryshimi në Vlorë nuk ishte një rast i vetëm. Gjatë gushtit, institucioni kreu ndryshime në drejtimin e disa myftinive në vend, të cilat i lidhi me një proces riorganizimi dhe ristrukturimi të strukturave të tij.
“Në këtë proces janë përfshirë këto myftini: Durrës, Korçë, Vlorë, Gramsh, Peqin, Vorë dhe Përmet”, bëri të ditur KMSH-ja, duke sqaruar se vendimmarrja për transferimet, emërimet apo zëvendësimet bëhet mbi bazën e nevojave institucionale, funksionalitetit të strukturave, përvojës dhe aftësive profesionale të drejtuesve.
Vetë Hoxhllaku e cilësoi lëvizjen nga Vlora në Peqin si transferim dhe e lidhi atë me praktikën e brendshme të KMSH-së.
“Transferimi është rutinë e institucionit (KMSH), i cili, sipas situatave apo rrethanave, mendon se duhen bërë lëvizje”, tha Hoxhllaku më 10 gusht, në një komunikim me Media Amfora përmes një aplikacioni të mesazheve.
Qëndrimet publike dhe narrativat për “shkarkimin”
Qëndrimet publike të Ardit Hoxhllakut u përdorën në lajmet për “shkarkimin” për të ngritur narrativa mbi shkaqet e transferimit të tij nga Vlora. Raportimet pretendonin se “shkëndija” kishte qenë reagimi i Hoxhllakut ndaj një videoje të mjekes hebreje vlonjate Anna Kohen, ndërsa lëvizja e tij u paraqit edhe si “masë ndëshkuese”.
“Gjithçka nisi kur myftiu Hoxhllaku kundërshtoi publikisht deklaratën e mjekes hebreje vlonjate Anna Kohen, e cila pretendonte se Vlora e dikurshme kishte qenë 90% hebreje dhe vetëm 10% shqiptare”, shkroi portali informativ Alfax, me seli në Shkup.
Videoja e vendosur në qendër të kësaj narrative nuk përmbante një deklaratë të re të Kohen. Fragmenti ishte shkëputur nga një intervistë e saj në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, realizuar në vitin 2022, dhe ishte rikthyer në qarkullim në rrjetet sociale. Në fragmentin e shpërndarë, Kohen dëgjohet të flasë për praninë historike të hebrenjve në Vlorë dhe të thotë se, në një periudhë që nuk e përcakton saktë gjatë videos, Vlora kishte qenë “90% hebrenj”.
Më 29 qershor 2026, Hoxhllaku e shpërndau këtë fragment në rrjetet e tij sociale dhe e kundërshtoi. “Kjo mundohet të mashtrojë, por faktet flasin ndryshe”, shkroi ai, duke iu referuar më pas regjistrave osmanë të tahririt të shekullit XVI dhe studiuesit Machiel Kiel për të argumentuar se të dhënat mbi popullsinë e Vlorës ishin të ndryshme nga ato të paraqitura në fragment.
Në lajmet dhe rishpërndarjet për “shkarkimin” mori peshë edhe pretendimi për ndërhyrje të jashtme në vendimmarrjen e KMSH-së. Në disa raportime, transferimi i Hoxhllakut nga Vlora u lidh me presione të qeverisë Rama dhe kërkesa të Ambasadës së Izraelit.
“Burimet nga xhemati e lidhin shkarkimin edhe me presionet e qeverisë Rama dhe kërkesat e ambasadës izraelite”, shkruhet në artikullin e portalit informativ Alfax, publikuar më 10 gusht.
Megjithatë, në lajmet e analizuara nga Media Amfora nuk paraqiteshin dokumente, komunikime, deklarata të identifikuara apo prova të tjera që të dëshmonin ndërhyrje të tilla në vendimin për transferimin e Hoxhllakut.
KMSH-ja mohoi pretendimet për ndërhyrje nga jashtë institucionit.
“Nuk ka pasur kërkesa, komunikime apo ndërhyrje nga institucione shtetërore, përfaqësi diplomatike apo palë të tjera të jashtme lidhur me ndryshimin në drejtimin e Myftinisë së Vlorës”, bëri të ditur KMSH-ja.
Hoxhllaku kishte mbajtur një sërë qëndrimesh kritike gjatë drejtimit të Myftinisë së Vlorës dhe reagimi ndaj videos së Kohen ishte vetëm një prej tyre. Por në raportimet e analizuara nga Media Amfora nuk dokumentohet një lidhje mes këtyre qëndrimeve dhe transferimit të tij në Peqin, aq më pak me një “shkarkim” nga detyra, siç u paraqit në disa media.
Postimet e tij tregojnë reagime për çështje politike, kombëtare, sociale dhe problematika të komunitetit. Hoxhllaku kishte mbështetur edhe protestën “Revolucioni i Flamingove”, kundër projektit të zhvillimit në Sazan dhe Zvërnec.
Më 7 qershor, duke iu përgjigjur kritikave për përfshirjen e hoxhallarëve në politikë, shkroi se “nuk merremi me politikë, por luftojmë politikën e kalbur”. Më 14 qershor reagoi për mungesën e ujit të pijshëm në fshatin Dardhë, duke shkruar se “t’i marrësh banorëve të fshatit ujin e pijshëm nuk është asgjë tjetër veçse krim”.
Më 16 qershor reagoi ndaj ndërhyrjes në një librari në Shkodër, ndërsa më 27 qershor shkroi për Çamërinë, të cilën e quajti “plaga e pashëruar” e kombit shqiptar. Qëndrimet kritike shtriheshin edhe më herët: në mars reagoi ndaj kopertinës së librit të kryeministrit Edi Rama, “Në sofrën e Hënës”, ndërsa në maj kundërshtoi udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin hormonal të personave transgjinorë.
I pyetur nëse qëndrimet publike të Hoxhllakut kishin ndikuar në vendimmarrje, KMSH-ja e mohoi një lidhje të tillë.
“Qëndrimet apo deklaratat publike të drejtuesit të mëparshëm nuk kanë ndikuar në vendimmarrjen për ndryshimin në drejtimin e Myftinisë së Vlorës”, tha KMSH-ja.
Hoxhllaku është teolog i diplomuar në Universitetin Uludağ në Turqi, ku përfundoi studimet në vitin 2006. Biografia e tij e publikuar nga Myftinia e Tepelenës dokumenton se ai e kishte nisur detyrën si myfti në Tepelenë në vitin 2008. Përpara Vlorës drejtoi për disa vite Myftininë e Librazhdit, ndërsa Myftininë e Vlorës e drejtoi për rreth dy vite.
Njoftimi i tij për transferimin nga Vlora në Peqin më 6 gusht u shoqërua me mbi 100 komente, shumë prej tyre mbështetëse për Hoxhllakun dhe veprimtarinë e tij përtej detyrës fetare. Në një prej tyre vlerësohej pikërisht angazhimi i tij publik për çështje që preknin një rreth më të gjerë se besimtarët.
“S’ka dyshim në përkushtimin tuaj në misionin fisnik të myftiut dhe hoxhës […] ju përveç këtij misioni keni shkëlqyer edhe në një aspekt tjetër, në atë të mbrojtjes së kauzave që prekin jo vetëm besimtarët, por mbarë popullin dhe kombin”, shkruante një prej komentuesve në videon ku Hoxhllaku njoftoi transferimin.
Media Amfora i kërkoi Hoxhllakut sqarime të mëtejshme për arsyet e transferimit dhe nëse ai mendonte se vendimi lidhej me qëndrimet e tij publike, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.
Në vend të Hoxhllakut, drejtimin e Myftinisë së Vlorës e mori Kliton Malaj, më herët imam i Xhamisë “Mahmud Vrapi” në Tiranë, detyrë e dokumentuar edhe nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Ndryshe nga aktiviteti publik i Hoxhllakut, në postimet e shqyrtuara të Malajt nuk u gjetën qëndrime për çështje politike, kombëtare apo problematika të komunitetit, ndërsa përmbajtjet e tij përqendroheshin te temat fetare.