SHBA rikthehet në UNESCO pas 5 vitesh mungesë 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rikthyen si vendi i 194-ët në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, e njohur si UNESCO. Më herët SHBA-ja dhe Izraeli ndaluan financimin e UNESCO-s pas votimit për pranimin e Palestinës dhe Administrata Trump vendosi në vitin 2017 të tërhiqej plotësisht nga organizata.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 25 korriku i këtij viti janë përsëri pjesë e UNESCO-s, duke u bërë vendi i 194-ët që bën pjesë në organizatë, pas një mungese prej gati 5 vitesh. 

Lajmi u njoftua edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, me anë të një postimi në rrjetet sociale. 

“Shtetet e Bashkuara u ribashkuan zyrtarisht në UNESCO javën e kaluar, kur Zonja e Parë Jill Biden, mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit të SHBA-së në selinë e UNESCO-s në Paris”, shkruante njoftimi i ambasadës. 

Sipas njoftimit Zonja e Parë e SHBA-së ka thënë se ceremonia e rikthimit pas një mungese 5 vjeçare ishte simbol i përkushtimit të shtetit amerikan ndaj UNESCO-s.  

“Sot ne po shkruajmë faqen e parë të një kapitulli të ri në historinë e UNESCO-s”, u shpreh në ceremoninë e ngritjes së flamurit amerikan në selinë qendrore, Forest Whitaker, i dërguari special i UNESCO-s për paqen dhe pajtimin.

“Në kohën e ndarjeve, përçarjeve dhe kërcënimeve ekzistenciale, ne riafirmojmë bashkimin tonë sot këtu (…) Kthimi i Shteteve të Bashkuara ka një kuptim më të madh se UNESCO”, u shpreh në Paris, Audrey Azoulay, drejtoresha e përgjithshëm e UNESCO.

Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden, duke folur në selinë e UNESCO-s në Paris, Francë. Foto: UNESCO, Flickr

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, e njohur si UNESCO, ka për qëllim kontributin për paqen dhe sigurinë në botë, duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës.

“Kthimi i Shteteve të Bashkuara në UNESCO luan një rol të rëndësishëm në një të ardhme që përputhet fort me vlerat thelbësore të shumë kombeve dhe me ndjekjen e mëtejshme të UNESCO-s për të drejtat e njeriut, trashëgiminë kulturore dhe arsimin për të gjithë”, shtoi njoftimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.  

Më herët SHBA-ja dhe Izraeli ndaluan financimin e UNESCO-s pas votimit për përfshirjen në organizatë të Palestinës në vitin 2011. Ishte Administrata e Presidentit Trump që vendosi në vitin 2017 të tërhiqej plotësisht nga organizata, duke përmendur qëndrimet e njëanshme sipas tij kundër Izraelit, të mbajtura nga UNESCO për një kohë të gjatë dhe problemet e menaxhimit. Vendim i cili u finalizua nga SHBA një vit më vonë.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109