Balet në kohë lufte, “Princesha e akullit” bashkon publikun shqiptar dhe ukrainas 

“Trupa e Baletit Klasik Ukrainas Etoile” interpretoi për publikun shqiptar dhe ukrainas “Princeshën e akullit”, inspiruar nga përralla e shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen dhe nga filmi i animuar “Frozen”. Trupa e baletit u vlerësua edhe me “Certifikatën e Mirënjohjes” nga Bashkia Durrës.

Larg zhurmës mbytëse të predhave dhe artilerisë që dëgjohet në fushëbeteja, “Trupa e Baletit Klasik Ukrainas Etoile” dëshmoi në skenën e Durrësit se arti triumfon gjithmonë përballë krizave shoqërore, si një manifestim i lirisë.   

Inspiruar nga përralla “Mbretëresha e dëborës”, e shkrimtarit danez, Hans Kristian Andersen dhe nga filmi i animuar “Frozen”, për më shumë se një orë u interpretua përmes baletit tregimi në fund të së cilit triumfon dashuria.

Balerina e parë, Irina Khandazhevskaya, tregoi pas shfaqjes se përgatitja nuk ishte e lehtë, pasi gjithçka ishte realizuar në 11 ditë, pa asnjë mbështetje financiare dhe larg vendit të saj. 

“Jam shumë e emocionuar dhe i jam falënderuese Zotit për këtë mundësi. Jam shumë falënderuese për drejtuesit, gjithë stafin e Teatrit Aleksandër Mosiu’, autoritetet në Durrës, për këtë mundësi”, u shpreh Khandazhevskaya.

Interpretimi i “Trupës së Baletit Klasik Ukrainas Etoile” bashkoi në sallën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” artdashësit vendas dhe shumë familje ukrainase, të cilat janë vendosur në vendin tonë që pas agresionit rus.

Përmes dy akteve nga 45 minuta secila, u përcollën për publikun emocionet e një dashurie me momente sa të bukura edhe të vështira, sfidat që duhet të kalojnë në “luftën” midis së mirës dhe së keqes, ku si në çdo fund përalle triumfon dashuria. 

Koreografi Andreas Heise u shpreh se kjo ishte një periudhë mjaft intensive dhe e limituar. 

“Ishte një kënaqësi e madhe dhe u ndjemë të mirëpritur në Shqipëri, veçanërisht në Durrës. Mikpritja e teatrit të Durrësit ishte e mrekullueshme dhe ne jemi falënderues dhe mirëkuptues sepse sollëm një pjesë të përgatitur në shumë pak kohë”, u rrëfeu ai.  

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodimir Shkurov, vlerësoi këtë arritje të trupës së baletit klasik të vendit të tij, interpretuar në kohë lufte.

“Të bësh art në këto kohë të vështira për Ukrainën është një sakrificë e vërtetë. Por arti kalon çdo vështirësi dhe kjo u tregua sot këtu në Durrës”, tha ai. 

Drejtori i Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Elio Bajramaj, i dorëzoi trupës së baletit një “Certifikatë mirënjohje”, akorduar nga Bashkia Durrës.  

Në fund të performancës balerinët shpalosën flamurin e vendit të tyre dhe të Shqipërisë, duke u përgatitur më tej për udhëtimin drejt Tokios, duke vijuar interpretimin në skenat botërore.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109