Sazani, ishulli që flet përmes natyrës

Ishulli i Sazanit është destinacioni më i madh ishullor i Shqipërisë, ku natyra, peizazhi dhe gjurmët e së kaluarës bashkëjetojnë në një hapësirë të vetme. I hapur për vizitorët që prej vitit 2015, ai është kthyer në një nga ndalesat më të veçanta të turizmit detar në Gjirin e Vlorës.

Përballë hyrjes së Gjirit të Vlorës, Sazani është ishulli më i madh i bregdetit shqiptar dhe pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. I vendosur rreth 9 milje detare nga Porti i Vlorës, ai ka shërbyer ndër shekuj si pikë me rëndësi strategjike falë pozicionit të tij mes ngushticës së Otrantos dhe brigjeve shqiptare. Sot, ishulli përfaqëson një nga destinacionet më të veçanta të turizmit natyror në vend.

Porti i Ishullit të Sazanit. Foto: Media Amfora

Relievi i Sazanit karakterizohet nga shpate shkëmbore, dy maja kryesore dhe gjire natyrore që krijojnë një peizazh të veçantë mesdhetar. Ishulli është formuar nga shkëmbinj gëlqerorë, ndërsa pjesa lindore zbret më butë drejt bregut, ku ndodhen edhe Gjiri i Shën Nikollës dhe Gjiri i Japrakut. Këto karakteristika natyrore kanë ndikuar në ruajtjen e një biodiversiteti të pasur dhe peizazhi pothuajse të paprekur.