Sazani, ishulli që flet përmes natyrës

Ishulli i Sazanit është destinacioni më i madh ishullor i Shqipërisë, ku natyra, peizazhi dhe gjurmët e së kaluarës bashkëjetojnë në një hapësirë të vetme. I hapur për vizitorët që prej vitit 2015, ai është kthyer në një nga ndalesat më të veçanta të turizmit detar në vend.

Përballë hyrjes së Gjirit të Vlorës, Sazani është ishulli më i madh i bregdetit shqiptar dhe pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. I vendosur rreth 9 milje detare nga Porti i Vlorës, ai ka shërbyer ndër dekada si pikë me rëndësi strategjike falë pozicionit të tij mes ngushticës së Otrantos dhe brigjeve shqiptare. Sot, ishulli përfaqëson një nga destinacionet më të veçanta të turizmit natyror në vend.

Porti i Ishullit të Sazanit. Foto: Media Amfora

Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.

Pamje e Gjirit të Shën Nikollës. Foto: Media Amfora

Për dekada me radhë, Sazani funksion si bazë ushtarake dhe hyrja në ishull ishte e ndaluar për publikun për shumë vite. Edhe sot ruhen bunkerë, tunele, magazina dhe ndërtesa që dëshmojnë periudhën kur ishulli kishte një rol strategjik në mbrojtjen bregdetare të Shqipërisë. Historia e ishullit dhe transformimi i tij kanë bërë që të trajtohet si postblloku turistik i Vlorës. 

Objekte të bazës ushtarake në Ishullin e Sazanit. Foto: Media Amfora

Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.

Vegjetacioni mesdhetar në Ishullin e Sazanit. Foto: Media Amfora

Prej vitit 2015, Ishulli i Sazanit është i hapur për vizitorët përmes tureve ditore me anije dhe gomone nga Vlora. Edhe pse ishulli mbetet zonë ushtarake, turistët mund ta vizitojnë duke ndjekur itineraret e përcaktuara, ndërsa në disa sektorë ruhen ende tabela që sinjalizojnë monitorimin me kamera dhe kufizime të caktuara për aksesin. Në ishull nuk ka bare, restorante apo markete, ndaj vizitorët duhet të marrin me vete ujë dhe ushqime përpara nisjes.

Vizitorë gjatë turit në Ishullin e Sazanit. Foto: Media Amfora 

Krahas peizazhit dhe historisë, Sazani njihet edhe për pasurinë e florës dhe faunës, të ruajtur falë izolimit të tij për dekada. Studimet kanë evidentuar vlera të rëndësishme të biodiversitetit, por edhe nevojën për mbrojtjen e ekosistemit nga ndërhyrjet që mund të cenojnë ekuilibrin natyror. Ruajtja e kësaj pasurie mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të ishullit.

Në brendësi të Sazanit. Foto: Media Amfora

Sot, Sazani mbetet një nga pasuritë më të veçanta natyrore të Shqipërisë, ku peizazhi, biodiversiteti dhe gjurmët e së kaluarës bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë. Natyra vazhdon të jetë dëshmitarja më e mirë e historisë së ishullit, duke i dhënë Sazanit një identitet që vijon të tërheqë vizitorë dhe studiues.

Redaksia - Amfora.al

Amfora.al është një media online kushtuar arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës në Shqipëri, me fokus në qytetin e Durrësit. Ne synojnë informimin e qytetarëve për zhvillimet mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e redaksisë së Medias Amfora.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Certifikuar në perputhje me standarded JTI

 

 

 

The Media Outlet has benn independently certified according to the JTI Programme and CWA 17493:2019