Rrëshqitje dhe dëmtime në Manastirin e Ardenicës, projekti i restaurimit nuk zbatohet prej 2 vitesh
Manastiri i Shën Mërisë në Ardenicë rrezikohet prej kohësh si pasojë e erozionit dhe rrëshqitjes së dherave. Dëmtimet në strukturën e jashtme dhe të brendshme janë adresuar edhe në një projekt për restaurimin e tij, por ai nuk po zbatohet që prej vitit 2021.
I ngritur mbi një kodër shumë pranë fshatit Ardenicë, midis Lushnjës dhe Fierit gjendet Manastiri i Shën Mërisë, që më së shumti njihet me emrin “Manastiri i Ardenicës”.
Monumenti ka pozitë dominuese midis kodrave me ullinj, në lartësinë 237 metra mbi nivelin e detit dhe prej kohësh është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik. Nga aty vëzhgohet qartësisht Fusha e Myzeqesë në njërën anë dhe në tjetrën peizazhi shkon deri në Adriatik.
Sipas informacionit zyrtar të institucioneve të kulturës mendohet se ai u themelua në kohën e Despotatit të Epirit, në shekujt XIII-XIV. Vitet e fundit monumenti po përballet me rrezikun e shembjes së mureve për shkak të erozionit, por edhe pse problematika është trashëguar ndër vite nuk janë kryer ndërhyrje restauruese që nga vitet ’70-80.
Rrëshqitja e dherava gjatë muajve të fundit është bërë edhe më problematike në zonën e mureve rrethuese, dëmtime që cenojnë qëndrueshmërinë e godinës në elementët e mureve mbrojtëse nga rrëshqitjet dhe rreziqet e tjera, të njohura si kontraforte.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Vlorë, që e ka në juridiksionin e saj këtë pasuri kulturore, bëri për Median Amfora se vetëm gjatë muajit tetor janë kryer dy inspektime të manastirit, ku janë konstatuar edhe problematikat.
“Specialistët e DRTK Vlorë kanë inspektuar gjendjen e objektit në datën 02.10.2023 dhe 30.10.2023 dhe janë vërejtur probleme me kontrafortet e muraturës perimetrale”, shpjegoi përgjigja zyrtare.
“Problematikat e hasura në objekt i kemi adresuar në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore”, shtoi përgjigja e DRTK Vlorë.
Manastiri përfaqëson një ansambël arkitekturor të vendosur në një planimetri trekëndore, me në qendër kishën. Kompleksi përbëhet nga kapela e “Shën Triadhës” në verilindje, Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në jugperëndim të saj dhe konakët përqark tyre, forma planimetrike e të cilave është përshtatur me terrenin.
Plasaritjet si pasojë e erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave kanë dobësuar kontrafortet, elementët mbajtës, duke u shoqëruar me rënie të tyre, shkëputje dhe degradime të tjera janë kosntatuar edhe në ambientet e brendshme sipas projektit të restaurimit, që Media Amfora lexoi.
“Objekti ka projekt restaurimi, miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore nr. 526, datë 11.08.2021”, sqaroi DRTK Vlorë.
Projekti restaurues që është miratuar prej dy vitesh përfshin punime për riparimin e degradimit të muraturës në disa pjesë të brendshme të Manastirit të Ardenicës, përfshirë edhe ndërhyrjet për elementët e tjerë të rëndësishëm në strukturë dhe në elementët prej druri.
Vendimi i miratimit në vitin 2021 nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale parashikon dy ndërhyrje restauruese, “Projekt restaurimi i Manastirit të Shën Mërisë, Ardenicë” dhe “Projekt për ndërhyrjet në pikturën murale të kishës ‘Lindja e Shën Mërisë’, në Manastirin e Ardenicës”, Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Dy vite pas hartimit projekti nuk ka nisur të zbatohet dhe me nisjen e sezonit të shirave monumenti vijon të përballet me rrezikun e dëmtimeve dhe shembjeve të mëtejshme.
Gojëdhënat e identifikojnë Manastirin e Ardenicës si vendin ku është kryer ceremonia martesore e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, në vitin 1451. Gjithashtu mbishkrimi që mban datën 1 maj 1477 dëshmon për ekzistencën e manastirit në këtë periudhë. Çdo 8 shtator në Manastirin e Ardenicës zhvillohet një festë ku marrin pjesë shumë priftërinjë edhe episkopë të Kishës Ortodokse.