Rrëshqitje dhe dëmtime në Manastirin e Ardenicës, projekti i restaurimit nuk zbatohet prej 2 vitesh 

Manastiri i Shën Mërisë në Ardenicë rrezikohet prej kohësh si pasojë e erozionit dhe rrëshqitjes së dherave. Dëmtimet në strukturën e jashtme dhe të brendshme janë adresuar edhe në një projekt për restaurimin e tij, por ai nuk po zbatohet që prej vitit 2021.

I ngritur mbi një kodër shumë pranë fshatit Ardenicë, midis Lushnjës dhe Fierit gjendet Manastiri i Shën Mërisë, që më së shumti njihet me emrin “Manastiri i Ardenicës”.

Monumenti ka pozitë dominuese midis kodrave me ullinj, në lartësinë 237 metra mbi nivelin e detit dhe prej kohësh është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik. Nga aty vëzhgohet qartësisht Fusha e Myzeqesë në njërën anë dhe në tjetrën peizazhi shkon deri në Adriatik.  

Sipas informacionit zyrtar të institucioneve të kulturës mendohet se ai u themelua në kohën e Despotatit të Epirit, në shekujt XIII-XIV. Vitet e fundit monumenti po përballet me rrezikun e shembjes së mureve për shkak të erozionit, por edhe pse problematika është trashëguar ndër vite nuk janë kryer ndërhyrje restauruese që nga vitet ’70-80.

Rrëshqitja e dherava gjatë muajve të fundit është bërë edhe më problematike në zonën e mureve rrethuese, dëmtime që cenojnë qëndrueshmërinë e godinës në elementët e mureve mbrojtëse nga rrëshqitjet dhe rreziqet e tjera, të njohura si kontraforte.

Dëmtimet e mureve mbrojtëse nga rrëshqitjet, të njohura si kontraforte. Burimi: DRTK Vlorë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) në Vlorë, që e ka në juridiksionin e saj këtë pasuri kulturore, bëri për Median Amfora se vetëm gjatë muajit tetor janë kryer dy inspektime të manastirit, ku janë konstatuar edhe problematikat.  

“Specialistët e DRTK Vlorë kanë inspektuar gjendjen e objektit në datën 02.10.2023 dhe 30.10.2023 dhe janë vërejtur probleme me kontrafortet e muraturës perimetrale”, shpjegoi përgjigja zyrtare.

“Problematikat e hasura në objekt i kemi adresuar në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore”, shtoi përgjigja e DRTK Vlorë. 

Manastiri përfaqëson një ansambël arkitekturor të vendosur në një planimetri trekëndore, me në qendër kishën. Kompleksi përbëhet nga kapela e “Shën Triadhës” në verilindje, Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në jugperëndim të saj dhe konakët përqark tyre, forma planimetrike e të cilave është përshtatur me terrenin.

Plasaritjet si pasojë e erozionit dhe rrëshqitjeve të dherave kanë dobësuar kontrafortet, elementët mbajtës, duke u shoqëruar me rënie të tyre, shkëputje dhe degradime të tjera janë kosntatuar edhe në ambientet e brendshme sipas projektit të restaurimit, që Media Amfora lexoi.

“Objekti ka projekt restaurimi, miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore nr. 526, datë 11.08.2021”, sqaroi DRTK Vlorë. 

Projekti i restaurimit për Manastirin e Ardenicës. Burimi: DRTK Vlorë

Projekti restaurues që është miratuar prej dy vitesh përfshin punime për riparimin e degradimit të muraturës në disa pjesë të brendshme të Manastirit të Ardenicës, përfshirë edhe ndërhyrjet për elementët e tjerë të rëndësishëm në strukturë dhe në elementët prej druri.  

Vendimi i miratimit në vitin 2021 nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale parashikon dy ndërhyrje restauruese, “Projekt restaurimi i Manastirit të Shën Mërisë, Ardenicë” dhe “Projekt për ndërhyrjet në pikturën murale të kishës ‘Lindja e Shën Mërisë’, në Manastirin e Ardenicës”, Monument Kulture i Kategorisë së Parë. 

Dy vite pas hartimit projekti nuk ka nisur të zbatohet dhe me nisjen e sezonit të shirave monumenti vijon të përballet me rrezikun e dëmtimeve dhe shembjeve të mëtejshme. 

Gojëdhënat e identifikojnë Manastirin e Ardenicës si vendin ku është kryer ceremonia martesore e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, në vitin 1451. Gjithashtu mbishkrimi që mban datën 1 maj 1477 dëshmon për ekzistencën e manastirit në këtë periudhë. Çdo 8 shtator në Manastirin e Ardenicës zhvillohet një festë ku marrin pjesë shumë priftërinjë edhe episkopë të Kishës Ortodokse.