Rikualifikimi i “Pazarit të Ri” në Tiranë, nxorri në dritë një zbulim arkeologjik

VËZHGIM/

Në janar të 2016-ës nisën punimet për realizimin e projektit “Rikualifikimi Urban i Pazarit të Tiranës dhe sheshit ‘Avni Rustemi’”.

Në këtë projekt u angazhuan tre institucione, bashkia e Tiranës, qeveria dhe Fondi Amerikan i Zhvillimit, që investuan 6.5 milionë euro.

Gjatë punimeve në rrugën pranë hyrjes së pazarit, pranë sheshit “Avni Rustemi”, në muajin prill të këtij viti, doli në dritë një strukturë prej guri.

Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA), bën me dije për Amfora.al se kemi të bëjmë me një strukturë-shtrojë, në formë kalldrëmi. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) i kërkoi bashkisë Tiranë që të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e strukturës, deri sa të merrej një vendim përfundimtar në lidhje me të.

Bashkia Tiranë shprehet se në momentin e zbulimit të strukturës, vendosi në dijeni ASHA-n, e cila paraqiti pranë KKA-së informacionin mbi rastin.

Fillimisht për shkak të pozicioni të zbulimit, në hyrje të “Pazarit të Ri”, u asfaltua hapësira rreth kontureve të strukturës së zbuluar, duke mos e dëmtuar atë.

Nga vëzhgimet në harkun tre mujor të Amfora.al, rezultoi se kjo strukturë u “rehabilitua” përfundimisht, duke u niveluar me nivelin e ri të rrugës dhe është ndërhyrë në mbushjen e hapësirave midis gurëve. Kjo megjithëse KKA-ja nuk nxorri një vendim në mbledhjen e radhës, mbi mënyrën se si do të veprohej me këtë zbulim.

Por ky fragment që na vjen i ruajtur nga shekulli i kaluar, për shumë kënd është i panjohur, duke lindur kështu nevoja që pranë tij të vendoset një tabelë informuese dhe marrja nën mbrojtjen e shtetit, duke i dhënë një status të veçantë .

Qershor 2017

“Pazari i Ri” u ndërtua në vitin 1931, si nevojë e shtimit të aktivitetit tregtar, i cili nuk mund të përballohej vetëm me ‘Pazarin e Vjetër’. Pas prishjes së “Pazarit të Vjetër”, në vitin 1959-të, ‘Pazari i Ri’ mbeti për shumë kohë qendra e vetme, e madhe e tregtisë së mishit, peshkut, perimeve e frutave në Tiranë.

Sipas informacionit në faqen e bashkisë së kryeqytetit, ky pazar ndodhet në atë zonë të Tiranës, që së bashku me “lagjen e Mujos” përfaqëson një nga zonat më të vjetra të qytetit. Edhe sot “Pazari i Ri” vazhdon të mbetet një nga tregjet më të mëdhenj për tregtimin e mishit, peshkut, perimeve e frutave në kryeqytet.