Kukësi, simbol i zanafillës së jetës dhe mikpritjes

FOTOREPORTAZH/

Qyteti i Kukësit pozicionohet në verilindje të Shqipërisë. “Kukësi i Ri” është vendosur në këmbët e malit të Gjallicës, rreth 2400 mbi nivelin e detit. “I ri” sepse dikur banorët e qytetit jetonin në ‘Kukësin e Vjetër’, që sot gjendet i mbuluar nga ujërat e liqenit të Fierzës, nga ku prodhohet energji elektrike nëpërmjet hidrocentralit me të njëjtin emër.

Por fshatrat e Kukësit ruajnë me fanatizëm gjurmët e një qytetërimi shumë larg përcaktimit “i vjetër apo i ri”. Fillimet e jetës këtu janë dokumentuar që në periudhën neolitike (6000-4000 para Krishtit.). Sipas informacionit që gjendet në Wikipedia, zbulimet arkeologjike dëshmojnë për vendbanime të pandërprera të kësaj hapësire që nga periudha e neolitit. Studimet historike dhe gjetjet arkeologjike thonë se në territorin e Kukësit ka jetuar fisi ilir i Sikulotëve.

Zbulimi i një vendbanimi shpellor në fshatin Dajç, tregon për vijimësinë e gjurmëve të jetës në këto zona, duke dokumentuar banimin në periudhën eneolitike (2600-2100 para Kr.).

Gërmimet e kryera në vendbanimin e “Pusit të Thatë”, ofruan të dhëna të reja mbi periudhën e bronzit të hershëm (2100-1200 para Kr.). Në ecurinë e kërkimeve arkeologjike të krahinës së Kukësit, janë studiuar edhe vendbanimet e periudhës protoqytetare dhe qytetare ilire, ku mund të përmendim vendbanimin në Kodrën e Pecës si qendër të shek. IV-II para Kr. Zbulimet arkeologjike kanë provuar vijimin e banimit të kësaj treve edhe përgjatë periudhave të mëvona.

Sot në qendër të qytetit ngrihet një monument në formë kulle, që simbolizon një tipar të banorëve të këtyre anëve, mikpritjen. Në vitin 1999-të, përgjatë Luftës së Kosovës, këtu u strehuan dhe kaluan rreth 450 mijë kosovarë. Në vitin 2000, në shenjë falenderimi për ndihmën e tij humanitare, Kukësi u bë qyteti i parë i cili u propozua për çmimin “Nobel” për paqe, por që nuk u aprovua.

“Kulla e Qëndresës” përmban fotografi që dëshmojnë lëvizjen e detyruar të shqiptarëve të Kosovës, nga lufta që nisi Serbia, ngjarje që vendosi edhe njëherë fatin e shqiptarëve dhe trojeve ku ata jetojnë.