Rikthimi i turistëve i gjen kalatë dhe parqet arkeologjike pa ciceronë

Në kalatë dhe parqet arkeologjike të vendit numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm pas krizës që shkaktoi pandemia e COVID-19, por në përgjigjet e qytetarëve që ju përgjigjën një pyetësori online të Medias Amfora, identifikuan si problem edhe mungesën e ciceronëve në këto site të trashëgimisë kulturore.

Berati dhe Gjirokastra, dy qytete të banuara që nga kohërat e lashta e deri në ditët e sotme dhe të shpallura pasuri për njerëzimin nga organizata UNESCO që prej vitit 2005, po rikthehen në vëmendjen e vizitorëve kryesisht të huaj pas një mungese për shkak të pandemisë së COVID-19.

Në dy qytetet e gurta, të pasura me monumente dhe banesa urbane të panumërta të ndërtuara që gjatë periudhës klasike otomane e që vazhdimësinë e kanë tek kulturat mesjetare, turizmi po lulëzon me shpejtësi gjatë viteve të fundit.

Shtimi i turistëve ka nxjerrë në pah edhe nevojat që ata kanë, si infrastruktura, pastërtia në monumente dhe shpjegimi për historikun e tyre.

Vizitorët gjatë turit të tyre në kalatë dhe parqet arkeologjike në vend përballen me mungesën e ciceronëve që shpjegojnë mbi monumentet dhe historinë e tyre. Pasi paguajnë biletën për të hyrë në Kalanë e Beratit dhe të Gjirokastrës, vizitorët duhet të gjejnë informacion vetë ose të marrin një guidë private lokale.

Mungesën e ciceronëve e konfirmuan shumë qytetarë dhe vizitorë që u bënë pjesë e një pyetësori online që Media Amfora zhvilloi përgjatë muajit gusht, duke i ftuar të japin përshtypjet e tyre dhe të raportojnë për kalatë dhe parqet arkeologjike në vend.

Nga 27 qytetarë që raportuan, 14 prej tyre shkruajtën se gjatë pesë viteve të fundit kishin vizituar parqet arkeologjike dhe 9 prej tyre kalatë e vendit. 4 persona u shprehën për përshtypjet e tyre në  Kalanë e Beratit dhe 3 për të Gjirokastrës.

Duke ndarë përvojën e tyre nga vizita në parqet arkeologjike dhe kalatë e vendit, 19 prej tyre raportuan se mungonin ciceronët.

Media Amfora mësoi nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Berat se gjatë periudhës Janar-Korrik 2021 qytetin e Beratit e kanë vizituar 30.034 vizitorë nga e gjithë bota, ku dominojnë ata nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Institucionet vendore të trashëgimisë kulturore në Berat dhe Gjirokastër lidhur me mungesën e ciceronëve në kalatë e qyteteve, shprehen se deri më tani kjo është zgjidhur me guidat lokale që operojnë në qytet, të cilat janë të licensuara nga Ministria e Kulturës.

Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, brenda Kalasë së Beratit. Foto: Media Amfora

Zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat shpjeguan se prej vitesh për të hyrë në kala pritet një biletë dhe në Muzen Kombëtar Onufri ka ciceronë, ndërsa brenda në kala shërbejnë tabelat informuese, ndërsa kohët e fundit shërbejnë edhe guidat lokale.

Shifrat e numrit të vizitorëve kanë një trend rritës pas një viti të vështirë për shkak të pandemisë, ndërkohë që optimiste është situata edhe në qytetin simotër, Gjirokastër.

Sipas shifrave të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër nga muaji prill deri në gusht 2021, rreth 50 mijë vizitorë, vizituan objektet më me vlera të qytetit të Gjirokastrës, duke shtuar shpresat për rikthimin e turizmit pas një vitit të vështirë për shkak të pandemisë.

Në Kalanë e Gjirokastrës pritshmëritë për shoqërimin e vizitorëve me shpjegimet e ciceronëve duket se mbeten tek një projekt i ri që do të hartohet së shpejti për mënyrën e menaxhimit të kalasë.

Kalaja e Gjirokastrës mbi qytetin e gurtë. Foto: Media Amfora

“Projekti i ri që do të nis nga puna shumë shpejt me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do të përfshijë gjithë mënyrën se si menaxhohet Kalaja e Gjirokastrës”, u shpreh për Median Amfora, Pezana Rexha, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.  

“Pjesë e këtij projekti do të jetë padyshim edhe mënyra se si do të ofrohet guida në kala, me ciceronë apo me mënyra të tjera të teknologjisë, si shpjegimet audio etj.”, përfundoi ajo.

Me shpresën për rikthimin e  turizmit në shifrat përpara pandemisë, dy qytete e gurta synojnë zhvillimin nëpërmjet sektorit të turizmit, që është fokusuar në atë arkeologjik, historik dhe trashëgimisë kulturore. 

Biletaria në Kalanë e Himarës. Foto: Media Amfora

Nga një vëzhgim i Medias Amfora mungesa e ciceronëve është edhe në kala të tjera të vendit, si ajo e Kaninës, Himarës, Porto-Palermos apo parqet arkeologjike, si Butrinti, Finiqi dhe Orikumi.

_________

Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësor që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.

Foto në krye: Qyteti i Beratit. Foto: Media Amfora


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109