Regjistrohen ankesa të reja ndaj RTSH-së, por ende asnjë reagim për largimet nga puna

Sindikatat e medias në Shqipëri dhe organizatat rajonale ende nuk kanë marrë asnjë reagim institucional nga RTSH në lidhje me ankesat e ngritura në emër të gazetarëve për largime të padrejta nga puna, ndërkohë që raste të reja janë regjistruar dhe vendi po bën hapa pas në lirinë e shtypit.

Më 19 korrik të këtij viti Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) doli me një deklaratë për shtyp, e cila erdhi pas ankesave të shumta për largime të padrejta nga puna në televizionin që aktivitetin e ushtron falë taksave të shqiptarëve, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). 

Deklarata erdhi pasi UGSH gjatë dhjetë ditëve të fundit u vu në dijeni dhe morri një numër të konsiderueshëm ankesash nga gazetarë dhe punonjës të RTSH-së për ndëshkime administrative dhe ndërprerje të marrëdhënieve të punës, me firmën e drejtorit të ri të përgjithshëm, Alfred Peza.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, tha se nuk ka pasur asnjë reagim institucional nga RTSH pas deklaratës së bërë publike.

“Nuk ka reagim nga institucioni, përjashto nja dy shkrime të porositura në mbrojtje të drejtorit”, tha Çipa për Median Amfora.

Ai tregoi se ankesat vijojnë edhe pas bërjes publike të deklaratës, çka tregon se ndërprerjet e kontratave të punësimit në RTSH vazhdojnë. “Ka pasur dhe dy ankesa të tjera nga operatorë dhe gazetarë”, shtoi Çipa.

Sipas deklaratës së unionit në 15 ditëshin e parë të muajit korrik ishin disa dhjetra punonjës të RTSH-së që u përballën me vendime të formës së prerë për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës dhe ndërprerjen e kontratës. Reagime në lidhje me këtë situatë erdhën edhe nga “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt”.

Ata i dërguan një letër shqetësimi RTSH-së, Kuvendit të Shqipërisë dhe Autoritetit të Medias Audiovizive, për një shkelje të mundshme të procesit të rregullt në lidhje me shkarkimin dhe punësimin e stafit të medias.

Rrjeti kërkoi informacion për situatën aktuale në RTSH, duke ritheksuar se çdo reformim i strukturës organizative dhe programit në RTSH duhet të bëhet duke garantuar respektimin e të drejtave të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke ndjekur një proces të rregullt dhe në transparencë të plotë. Megjithatë ende pranë rrjetit nuk ka mbërritur asnjë reagim nga transmetuesi publik.

“Nuk kemi marrë përgjigje institucionale nga RTSH, fare. Por situata vazhdon mendoj njësoj si me pushimet dhe me largimet nga puna”, tregoi Blerjana Bino, përfaqësuese e “Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt”.

Mos reagimi institucional përballë organizmave për mbrojtjen e gazetarëve dhe ankesat që vazhdojnë, tregon për përkeqësimin e situatës menaxheriale të medias publike.

“Nga informacionet që kemi ende situata është me debate. Tre prej punonjësve të larguar nga puna kanë nisur procedurën e ankesës juridike në Gjykatën Administrative”, tha Çipa.

Situata në sektorin e medias është përkeqësuar dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë ardhur në rritje muajin e fundit.

Gazetarja Ola Xama u përball me sulme verbale  nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj,  pas publikimit të një artikulli investigativ në median Reporter.al (BIRN) që bazohej në hetimet e SPAK për koncesionin e mbetjeve në Tiranë, ku evidentohej roli i Veliajt në procedurat e kontratës koncesionare për trajtimin e mbetjeve në kryeqytet.

Ndërsa pas saj gazetarja e Televizionit “Syri”, Marsi Korreshi, së bashku me ekipin e xhirimit u penguan që të raportonin të dielën e kaluar, teksa ishin në lidhje direkte për një takim elektoral të kandidatit socialist, Edison Memolla.

Ndërsa më herët në shkurt të këtij viti një grup xhirimi i emisionit “Fiks Fare” dhe gazetarja Antela Lika, u sulmuan nga disa persona ndërsa filmonin marrjen e inerteve nga lumi Zezë në Fushë-Krujë. Policia shpalli në kërkim tre persona të dyshuar për kërcënimin dhe nisi procedimin ndaj dy drejtuesve të kamionëve.

Për të gjitha këto raste organizatat mediatike vendase dhe ndërkombëtare kanë shprehur rregullisht shqetësime dhe kanë kërkuar marrjen e masave.

Ndërsa pak ditë më parë gazetarët e medias komunitare në Kamëz, “Nyje.al”, u ndaluan verbalisht nga kryebashkiaku Rakip Suli që të ndiqnin mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kamëz, situatë që u përsërit edhe me ndalimin e gazetarëve të “Citizens Channel”, nga punonjësit e Bashkisë Tiranë, teksa ata donin të ndiqnin mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë.

Në vitin 2022 Shqipëria ra me 20 vende në indeksin e lirisë së shtypit të përpiluar nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur nga vendi i 83-të, në vendin e 103-të.

Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët në Shqipëri janë në shënjestër të grupeve të krimit të organizuar, madje edhe nga dhuna policore dhe se shteti nuk po arrin t’i mbrojë ata, ndërsa mediat private janë në pronësi të biznesmenëve që kanë lidhje me politikanë.