Objektet arkeologjike dergjen rrugëve, autoritetet larg mbledhjes së tyre

Objekte arkeologjike që mendohet se i përkasin periudhës së antikitetit dhe të mesjetës janë konstatuar së fundmi përbri rrugëve të Durrësit. Drejtoria e Kulturës Tiranë u mjaftua me konstatimin e rasteve dhe deklaroi se ndodheshin përtej zonifikimit arkeologjik të qytetit.

Pjesa e një kolone prej mermeri të bardhë me damarë në ngjyrë gri, ruhet ende në gjysmën e gjatësisë së saj, së bashku me elementin metalik që siguronte lidhjen me bazën apo kapitelin dhe është lënë përbri rrugës “Miqësia”, pranë zonës së Spitallës në Durrës.

“Ky element arkitektonik me shumë gjasë vjen nga antikiteti dhe ishte i hedhur në skarpatën e një rruge, e cila ishte në fazë rikonstruksioni”, komentoi arkitekti Mikel Nushi, që i raportoi rastet në Median Amfora. 

Jo larg nga aty, në Rrugën “Shkodra” ai konstatoi një tjetër objekt arkeologjik në formë sferike. Një gjyle prej guri, që shërbente si pjesë e mjeteve të luftimit mendohet se i përket periudhës së mesjetës. Në të dyja rastet ato ishin shumë pranë rrugës, midis saj dhe ambienteve private të parrethuara. 

Media Amfora mësoi në terren nga persona që kishin dijeni dhe folën në kushtet e anonimatit, se kolona prej mermeri kishte dale në dritë gjatë kohës që në këtë zonë punohej për shtrimin e një rruge dytësore, ndërsa gjylja ishte zbuluar gjatë punës për ndërtimin e një banese, në shtresat e dherave të Ish-Kënetës.

Një dëshmi kjo e krimeve arkeologjike të ndodhura në qytetin e Durrësit, ku kompanitë e ndërtimit pasi shkatërronin gjetjet arkeologjike për të mos vonuar procesin e ngritjes së godinave, i dërgonin dherat në periferi së bashku me objektet e shkatërruara me eskavator.

Kolonë prej mermeri, e dyshuar si objekt arkeologjik i periudhës së antikitetit, përbri Rrugës “Miqësia”, Durrës. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Për arkitektin Mikel Nushi kur objektet arkeologjike përfundojnë në rrugë tregojnë raportin e keq që ka administrata përgjegjëse dhe qytetarët me trashëgiminë kulturore. 

“Fakti që ky objekt antik gjendej pranë një rruge me fluks të konsiderueshëm lëvizje dhe që askush nuk është interesuar për të, dëshmon për raportin e keq që kanë banorët, por edhe administrata përgjegjëse me trashëgiminë”, shtoi Nushi. 

Media Amfora ju drejtua zyrtarisht Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë (DRTK), e cila në përgjigjen e parë nuk kishte arritur t’i identifikonte gjetjet në terren, deri në dërgimin e koordinatave gjeografike nga Amfora.

“Në lidhje me gjetjet rastësore në Spitallë, ju bëjmë me dije se nga ana e specialistit të DRTK Tiranë është bërë akt-konstatimi dhe nga informacioni i mbledhur në terren rezulton se të dy objektet nuk janë ‘in situ'[në vendin origjinal], por të vendosura në mënyrë artificiale nga vetë banorët”, u shpreh DRTK Tiranë. 

“Sipas ligjit nr. 27/2018 Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, informacioni do të përcillet në IKTK”, shpjegoi Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë. 

Gjyle prej guri, e dyshuar si objekt arkeologjik i periudhës së mesjetës, përbri Rrugës “Shkodra”, Durrës. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Ajo shtoi se vendndodhja e objekteve arkeologjike është përtej zonifikimit arkeologjik të qytetit të Durrësit dhe se gjetje të tilla nuk ishin hasur kohët e fundit nga ana e saj.

Për arkitektin Mikel Nushi objektet arkeologjike kanë rëndësinë e tyre dhe nuk meritojnë të flaken në rrugë “në mënyrë të shëmtuar” sipas tij. 

“Ato duhej të ishin nën kujdesin e specialistëve pranë ambienteve të posaçme të ruajtjes dhe studimit. Çdo objekt, sado i pavlefshëm në dukje, për studiuesit mund të jetë një dritare e çmueshme për të shikuar në të shkuarën dhe për të na e treguar”, rrëfeu Nushi. 

DRTK Tiranë nuk komentoi procedurat e ndjekura për gjetjet rastësore nga ata që ajo i identifikoi si “banorë që i kanë vendosur aty”. 

Sipas Ligjit për “Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” nëse një person gjen një objekt të dyshuar si arkeologjik duhet që brenda 3 ditëve të njoftojë insitucionet e vetëqeverisjes vendore dhe drejtoritë e trashëgimisë kulturore.

Për Nushin ka ardhur koha që edhe qytetarët të përmisojnë raportet me historinë, e cila do të frenonte përdhosjen e trashëgimisë dhe të rriste nivelin e tyre kulturor. 

“Mendoj se njerëzit e zakonshëm duhet të përmirësojnë raportet me historinë e vendit tonë, ta perceptojnë madje si ‘kuriozitete zbavitëse’. Kjo do të frenonte përdhosjen konstante të trashëgimisë dhe nga ana tjetër do të rriste nivelin e përgjithshëm kulturor”, përfundoi Nushi. 


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109