Video-dokumentari “Kultura në 1 Minutë” – Sezoni i parë

Media Amfora publikon video-dokumentarin e sezonit të parë të ciklit “Kultura në 1 Minutë”, dedikuar trashëgimisë kulturore dhe historisë së Shqipërisë, e cila nisi me ngjarje dhe personazhe që e zhvilluan aktivitetin në Durrës dhe ndikuan fatin e perandorive të kohës.

Media Amfora ka sjellë një format të plotë të video-serive “Kultura në 1 Minutë, duke përmbledhur sezonin e parë në një video-dokumentar që zgjat 30 minuta.

Videot kreative dhe të pasuruara me grafika janë fokusuar tek informimi i të rinjve për historinë dhe trashëgiminë kulturore, duke sjellë në rreth 1 minutë informacione për ngjarjet dhe personazhet e rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Sezoni i parë u fokusua në qytetin e Durrësit, nga momenti i themelimit deri në periudhën mesjetare, duke sjellë dëshmi, fakte dhe dokumente, një pjesë e të cilave u publikuan për herë të parë në media.

Video-dokumentari “Kultura në 1 Minutë – Sezoni i parë

Amfora publikoi 20 video-seri të ciklit “Kultura në 1 Minutë”, në të cilat u përfshinë me dëshmitë e tyre 13 ekspertë të fushave të ndryshme. Sipas radhës së video-serive të publikuara u intervistuan Rudenc Ruka, Dorian Hatibi, Ina Ajazi, Bledar Bica, Brikena Shkodra-Rrugia, Jani Koçillari, Enton Bido, Edmond Buharja, Ivo Moja, Erisilda Shpata, Dom Martin Thompson, Kseanela Sotirofski dhe Samet Vata.

Drejtori ekzekutiv dhe autori i ciklit “Kultura në 1 Minutë” është drejtuesi i Medias Amfora, Geri Emiri. Informacionet e përcjella u përzgjodhën nga studiuesi i historisë së Durrësit, Dorian Hatibi.

Realizimi i xhirimeve dhe post-produksioni u realizua nga Arlind Veshti (avmedia), me asistencën për xhirimet në terren të Xheni Shtemarit dhe të Livia Krekos, e Klaudio Hysenit, që realizuan shpërndarjen e video-produksioneve në kanalet e Medias Amfora.

“Kultura në 1 Minutë” është një risi e Amforës, që nisi të publikohet në vitin 2021 me mbështetjen e Programit “Media for All”, i financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe është realizuar nga partneriteti i udhëhequr nga “Këshilli Britanik” (“British Council”), së bashku me “Fondacionin Thomson”, “Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative” (BIRN) dhe INTRAC.    

Dokumentari ashtu si të gjitha video-seritë është paraqitur edhe në versionin e përkthyer me titra, si një mundësi për audiencën e huaj që ka dëshirë të njohë më tej identitetin e kombit shqiptar.

Amfora vijoi me sezonin e dytë të ciklit “Kultura në 1 Minutë” dhe për më shumë mund të ndiqni seritë e reja. Nëse ju pëlqejnë videot dhe puna jonë, ju mund të na mbështesni për të krijuar video-seri të reja dhe të kontribuoni në gazetarinë e pavarur përmes donacionit tuaj.