Në pikëpyetje fati i godinës ikonike të Hekurudhës Shqiptare në Durrës

Deklarata e deputetit të PD-së, Igli Cara, se godina historike e Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave “nuk do të ekzistojë më si e tillë”, ka rikthyer në vëmendje debatet mbi të ardhmen e ndërtesës simbolike të Durrësit. Edhe pse Hekurudha Shqiptare thotë se nuk ka një projekt të miratuar për transformimin e saj, përgjigja zyrtare nuk i shuan pikëpyetjet mbi planet afatgjata për godinën ikonike.

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, deklaroi më 28 prill përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale se godina historike e Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave në Durrës “nuk do të ekzistojë më si e tillë”, duke ngritur dyshime mbi të ardhmen e një prej ndërtesave simbol të qytetit.

“Jemi sot tek Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, e cila do të shpërngulet diku tjetër. A duhet të mbetet kjo ndërtesë për shërbim publik?”, tha Cara në video teksa ndodhej përpara godinës.

Reagimi i deputetit demokrat vjen pas diskutimeve të hershme në publik mbi fatin e godinës së Hekurudhës, ku prej kohësh qarkullojnë pretendime se në truallin ku ndodhet ajo mund të ndërtohet një kompleks pallatesh.

“Më mirë mendoj që të ishte për qytetarët e Durrësit sesa për projektet e Ramës dhe Sakos, që zakonisht pronat publike i kthejnë pikërisht në ndërtime, kulla të larta për përfitime personale për ta dhe miqtë e tyre”, shprehet deputeti demokrat në vijim të videos.

Vetë institucioni nuk e përjashton mundësinë e transformimit apo ndryshimit të funksionit të godinës, por sqaron se për këtë nuk ka ende një vendimmarrje përfundimtare.

“Në lidhje me pyetjet mbi mundësinë e prishjes, transformimit apo ndryshimit të funksionit të kësaj godine, ju informojmë se aktualisht nuk është miratuar asnjë vendimmarrje përfundimtare për prishjen apo transformimin e saj”, u përgjigj Hekurudha Shqiptare në kërkesën e Medias Amfora.

Institucioni theksoi se çdo ndërhyrje e mundshme në pronat që administron do të realizohet vetëm pas vendimmarrjeve nga organet kompetente dhe në funksion të zhvillimit të infrastrukturës hekurudhore në vend. Në përgjigje përmenden edhe projektet strategjike të modernizimit të rrjetit hekurudhor, mes tyre rehabilitimi i linjës Durrës -Tiranë dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Godina e Drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare konsiderohet një prej simboleve urbane të Durrësit dhe pjesë e historisë së transportit hekurudhor në vend. E përshtatur si stacion hekurudhor në vitet 1949-1950, rëndësia e saj lidhej ngushtë me portin e Durrësit dhe zhvillimin e rrjetit hekurudhor shqiptar.

Edhe pse i rezistoi pa dëmtime serioze tërmetit të 26 nëntorit 2019, godina ka pasur prej vitesh nevojë për mirëmbajtje, ndërsa ndërhyrjet e fundit të rëndësishme në të janë kryer rreth një dekadë më parë.

Në deklaratën e tij, deputeti Cara ngriti dyshime se godina historike e Hekurudhës mund të mos vijojë të mbetet në funksion publik pas largimit të Drejtorisë së Përgjithshme nga ndërtesa.

“A do të ishte më mirë që kjo ndërtesë të përshtatej, të adoptohej për shërbim publik?”, pyeti deputeti demokrat në videon e publikuar.

Institucioni sqaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt i miratuar që parashikon ndryshimin e funksionit të godinës apo përfshirjen e palëve të treta në zhvillimin e saj, duke lënë të kuptohet se çdo vendimmarrje për të ardhmen e ndërtesës mbetet ende e hapur.

“Për sa i përket pyetjeve mbi projekte konkrete të ndryshimit të funksionit të godinës, apo përfshirjes së palëve të treta, ju bëjmë me dije se deri në këtë moment nuk ka një projekt të miratuar që parashikon ndryshimin e funksionit të saj”, u përgjigj zyrtarisht institucioni.

Ndërsa për institucionin nuk ekziston ende një projekt i miratuar transformimi, godina ikonike e Hekurudhës Shqiptare mbetet në qendër të pikëpyetjeve mbi të ardhmen urbane dhe publike të një prej simboleve historike të Durrësit.