Natë në Shkodër, nën dritën e arkitekturës mesjetare
FOTOREPORTAZH/
Në veriperëndim të Shqipërisë, nga skajet e Alpeve Shqiptare, e deri në bregdetin e Adriatikut, shtrihet Qarku i Shkodrës. Qyteti përshkohet nga lumi Buna dhe së bashku me liqenin të prezantojnë peizazhin e një vendi me toka pjellore dhe mikpritës.
“Skodra”, është emri i qytetit që dokumentohet herët në monedhat e periudhës së antikitetit.
Në territoret e saj janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm (100.000-30.000 vjet më parë), ndërsa që nga neoliti (guri i ri) gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi të jetës.
Sipas informacionit në Wikipedia, në anën jugore të qytetit, materialet arkeologjike fillojnë nga bronzi i hershëm (2000 para erës së re). Në shekullin V-IV p.e.r. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopik, të puthitur pa llaç.
Banimi i Shkodrës nga ilirët, na shfaqet ndër autorët antik, ku Shkodra përmendet fillimisht tek Polibi, i cili na jep disa karakteristika të tij, ndërsa Tit Livi e cilëson Scodrën si “vendi më i fortë i labeatëve (fis ilir) dhe i vështirë për t’u afruar”.
Përgjatë mesjetës së hershme, me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe bëhet kryeqendër e shtetit të Gentës (Zetës), në vitin 1040. Me nisjen e fushatave të osmanëve, shteti i Balshajve e bë barrikadë për depërtimin e tyre. Tregtia dhe shkëmbimet e vazhdueshme me Venedikun, e kishin kthyer Shkodrën në një qendër të çmuar për ta, ndërsa në sytë e osmanëve shihej si plaçka e luftës që duhej marrë me çdo kusht.
Nga gjysma e shek. XVIII, Mehmet Pashë Plaku, i derës së Bushatllinjve, thirri për drekë pashën turk që sundonte Shkodrën dhe e mbajti aty peng, duke e detyruar t’i shkruante Portës së Lartë se kishte ardhur koha që vendi të qeverisej nga sundimtarët vendas. Stambolli e pranoi dhe e emëroi sundimtar të sanxhakut Mehmetin, të cilit iu dha titulli “Pashë” në vitin 1757-të, duke u bërë në vijim themeluesi i Pashallëkut të Shkodrës.
Pushtimi osman nuk e ndaloi Shkodrën që të vijojnte të ishte “djepi i kulturës”. Objektet e kultit, bibliotekat dhe tregtia sillnin panoramën e një qyteti mesjetar të zhvilluar. Trashëgimia e objekteve të kultit, sot në Shkodër paraqet një “mozaik” harmonie. Kishat dhe xhamitë ngrihen shumë pranë njëra-tjetrës.
Xhamia më komplekse në Shqipëri, është ajo e “Plumbit”, që gjendet në Shkodër dhe është ndërtuar në vitet 1773-1774, nga Mustafa Pashë Bushati. Tek ajo gjejmë vëllimin qëndror, të mbuluar me çati të ulura trekendëshe në qoshe ose me kupolë, prezencën e portikut dhe vendosjen në tre rradhë të dritareve. Ndërsa arkitektura e kultit të krishterë trashëgoi shumë tipare nga pararendesja e saj paleokristiane dhe duke filluar prej pjeses se dytë të shekullit të 16-të, filluan të ndërtohen kisha të vogla që vazhdojnë të ndertohen deri në pjesën e parë të shekullit të 18-të, ku arrijnë edhe kulmin.
Sot përshkrimi i pedonales së Shkodrës të fut në një “kapsulë kohe”, me një stil qytetar në ndërtimin e godinave, një arkitekturë të larmishme të stilit mesjetar dhe me dyqanet që ofrojnë shërbime të lloj-llojshme.