Monumentet e kulturës drejt zhdukjes, KLSH evidentoi humbjen e 122 prej tyre

Kontrolli  i Lartë i Shtetit gjeti gjatë një auditimi tek institucionet e kulturës se në vendin tonë 122 monumente kulture nuk ekzistojnë më, pasi janë shkatërruar plotësisht dhe qindra të tjera kanë nevojë urgjente për ndërhyrje restauruese dhe janë aktualisht të rrezikuara.

Në shtator të këtij viti Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) publikoi raportin e auditimit të performancës, “Mbrojtja dhe Administrimi i Monumenteve të Kulturës”.

Raporti analizon punën e institucioneve më të rëndësishme për mbrojtjen dhe administrimin e monumenteve të kulturës, duke nisur me Ministrinë e Kulturës, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe  Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

Sipas raportit në territorin e Shqipërisë aktulisht ekzistojnë rreth 2159 monumente kulture dhe 174 zona të mbrojtura. Raporti i KLSH-së gjeti se 122 monumente nuk ekzistojnë më pasi janë shkatëruar plotësisht dhe qindra të tjerë kanë nevojë për restaurim.

“Pushtetet e të gjitha kohëve nuk kanë treguar vëmendjen e duhur për to. E kanë parë mbrojtjen e tyre si një detyrë të bezdisshme, pasi kjo është dhe një çështje kulture dhe edukimi, përveçse ligjore”, e komentoi punën për mirëmbajtjen e monumenteve, historiani dhe eksperti i monumenteve në Shqipëri, Gjerak Karaiskaj.

Sipas raportit 884 monumente janë në gjendje të pranueshme, por që kanë nevojë për restaurim, 745 objekte janë në gjendje të mirë dhe në nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, ndërsa 98 objekte janë tjetërsuar dhe 15 objekte sipas KLSH-së janë pa kartelë.

Për ekspertin Karaiskaj duhen vendosur prioritete çdo vit me qëllim ndërhyrjen periodike për mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës.

“Meqë fondet asnjëherë nuk janë të mjaftueshme, duhen zgjedhur çdo vit për restaurim monumentet më të rrezikuara dhe prej tyre në radhë të parë ato më të  rëndësishmet”, analizoi për Median Amfora, Karaiskaj.

Banesa e Shefki Kutit në Shupenzë, Bulqizë. Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Foto: Media Amfora.

“Në këtë mënyrë nuk do të kishim monumente të shkatërruara plotësisht, si për shembull në qytetin e Gjirokastrës dhe në vende të tjera, prandaj edhe numri i monumenteve të zhdukura shtohet vazhdimisht”, shtoi ai.

Auditimi evidenton se vendi ynë e konsideron si mjaft të rëndësishëm zhvillimin e turizmit, por se po bëhet pak për të mbrojtur monumentet e kulturës, si vlera dhe pasuri të trashëguara ndër shekuj.

KLSH argumenton më tej se, “institucionet përgjegjëse për menaxhimin e monumenteve të kulturës nuk e kanë orientuar veprimtarinë e tyre në mënyrë efektive, me qëllimin final, mbrojtjen, mirë administrimin, inventarizimin dhe vlerësimin e monumenteve në vendin tonë”.

Sipas Karaiskaj, numri i monumenteve të kulturës në vendin tonë nuk mund të krahasohet me numrin e monumenteve të kulturës së vendeve të tjera. Por edhe pse me një numër të tillë monumentesh sipas tij fondet asnjë herë nuk janë gjendur.

“Asnjëherë nuk kanë mjaftuar fondet për të mbajtur si duhet të gjitha monumentet, megjithëse numri i monumenteve të shpallura në Shqipëri nuk është më i madh se sa në një qytet të Italisë”, u shpreh ai.

Vitet e fundit monumentet e kulturës në vend janë përballur edhe me fatkeqësi natyrore, siç ishte tërmeti i vitit 2019, por sipas ekspertit shkaqet e dëmtimit mund të jetë të ndryshme, por ndërhyrja ka munguar.

“Monumentet mund të dëmtohen nga degradimi që sjell koha, katastrofat natyrore, braktisja, përdorime të papërshtatshme larg atij fillestar, mosmirëmbajtja, si edhe nga ndërhyrje restauruese të gabuara që ndryshojnë substancen e tyre historike”, përfundoi Karaiskaj.

_________

Foto në krye: Monumenti i Kulturës i Kategorisë së Parë, “Muret e Portës” në Porto-Romano, i cili u shkatërrua pjesërisht nga kompania koncesionare Porti MBM. Foto: 26 gusht 2020. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora