Legjenda e Rozafës dhe një qiri dedikuar jetës përkujton gratë e vrara këtë vit në Shqipëri

Artistët në qytetin e Durrësit përkujtuan gratë që janë vrarë përgjatë këtij viti në Shqipëri dhe përcollën mesazhin për ndalimin e dhunës ndaj grave. Instalacioneve në formë proteste ju bashkuan aktivistë, nxënës dhe qytetarë që shënuan mesazhet e tyre.

Dy artistë durrsakë Ivo Moja dhe David Kryemadhi të frymëzuar nga fushata “Këpucët e kuqe” sollën instalacione sensibilizuese për dhunën ndaj grave, në një nga vendet ku kjo duhet të parandalohet, në Drejtorinë e Policisë Durrës.

Një qiri që nëpërmjet flakët jep mesazhin se jeta duhet të vazhdojë me ngjyrat e jetës, u krijua nga skulptori Ivo Moja dhe do të qëndrojë në ambientet e jashtmë të Policisë Durrës.

“Vepra ime është një instalacion që lidhet me diçka shpirtërore, siç është qiriri dhe personifikon çdo jetë të humbur”, tha Moja për Median Amfora.

Dhuna me bazë gjinore vazhdon të mbetet një problem serioz në vendin tonë dhe sipas aktivistëve të tjera gra kanë humbur jetën gjatë këtij viti pasi janë vrarë nga partnerët e tyre.

Regjisorja durrsake Driada Dervishi në bashkëpunim me dy artistët zgjodhën t’i vendosin aty instalacionet aty ku mbërrijnë qindra denoncime për dhunë.

“Të gjithë biem dakord që nëpërmjet artit mund të përçohen më shumë dhe më lehtë mesazhe për të gjitha shtresat dhe besoj që ishte jo vetëm një pikturë që fton për të bërë komunitetin bashkë, duke shkruar edhe ata mesazhe”, tregoi regjisorja Dervishi.

“Sepse momenti që shkruhet do të thotë se e ke ndierë, e ke menduar dhe mbahet mend më gjatë se sa e folura”, përfundoi ajo.

Piktori David Kryemadhi solli legjendën e Rozafës dhe përmes imazhit të saj përcolli sakrificën e grave ndaj familjes, duke ftuar që pjesëmarrësit të shënonin aty mesazhe sensibilizuese.

Për skulptorin Ivo Moja jetët e humbura tregojnë se fenomeni nuk po ndalet dhe kërkon gjithmonë e më shumë vëmendje.

“Janë nëna, gra, motra të dikujt dhe është e trishtë që nuk po merremi me këtë fakt, por përkundrazi çdo gjë vazhdon në sy të të gjithë burrave të tjerë dhe më e trishta është që nuk protestohet”, tha Moja për Median Amfora.

Instalacioni i tij do të qëndrojë në Drejtorinë e Policisë, ndërsa mesazhet dhe instalacioni i Rozafës do të zhvendosen në Bashkinë Durrës, ku në datën 9 dhjetor do të dorëzohet një raport me kërkesa për situatën e grave dhe vajzave në Durrës, për t’i ndihmuar në momentin e parë që mbeten jashtë banesave.

Nisma “Këpucët e kuqe” ndërmerret çdo vit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, që kur artistja meksikane Elina Chauvet e nisi atë pasi e motra u vra në moshën 32 vjeçare nga bashkëshorti. 

Aktualisht po zhvillohen 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, që nisin më  25 Nëntor, me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor, Dita e të Drejtave të Njeriut.

_________

Foto në krye: Piktori David Kryemadhi përmes legjendës së Rozafës dhe imazhit të saj përcolli sakrificën e grave ndaj familjes. Foto Geri Emiri/ Media Amfora.