Mbështetja e gazetarisë së pavarur, “Media for All” organizoi konferencë rajonale në Tiranë
Programi “Media for All” mblodhi në Tiranë përgjatë muajit mars mbi 100 gazetarë e redaktorë nga Ballkani Perëndimor dhe ekspertë ndërkombëtarë që diskutuan për veprimtarinë e tyre dhe nevojën për gazetari të pavarur. Media Amfora u angazhua për 3 vite në këtë program, duke sjellë krijime kreative.
Programi “Media for All” mblodhi në Tiranë përgjatë muajit mars mbi 100 gazetarë dhe ekspertë nga Ballkani Perëndimor që diskutuan për mbështetjen e gazetarisë së pavarur dhe raporitmin për tema që lidhen me çështjet gjinore, të rinjtë, dezinfomimin dhe keqinformimin.
Në konferencën e titulluar “Gazetaria e pavarur ka rëndësi”, në fjalën e tyre, zëvendësshefja e misionit në Ambasadën Britanike në Tiranë, Mia Marzouk dhe udhëheqësja e ekipit të “Media for All” (“Media për të Gjithë”), Larisa Haliloviç, treguan nevojën që ka shoqëria për media të pavarur dhe për raportime të profesionale.
“Programi ka qenë si një akademi dhe solli një model unik mbështetje për mediat, të paktën në Shqipëri, ku përveç mbështetjes financiare dhe teknike, ofroi mentorim, trajnime dhe takime rajonale me qëllim rritjen e kapaciteteve të ekipeve mediatike”, komentoi Geri Emiri, drejtuesi i Medias Amfora.
“Përgjatë mbështetjes 3 vjeçare të programit edhe Amfora evoluoi, duke sjellë krijime kreative, si videot e ciklit ‘Kultura në 1 Minutë’, seritë e podcasteve ‘Zëri i Kulturës’ dhe raportimet me angazhimin e audiencës përmes pyetësorëve të ciklit ‘Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar’“, shtoi më tej Emiri, gjatë fjalës së tij në një nga panelet e takimit rajonal.
Programi “Media for All” ka mbështetur 139 media lokale në të gjithë Ballkanin Perëndimor në 3 vite, duke arritur së bashku 17 milionë përdorues në internet.
Ai ndihmoi në ndërtimin e qëndrueshmërisë së mediave të pavarura dhe fuqizoi mbi 1600 profesionistë të medias për të prodhuar përmbajtje cilësore, relevante dhe të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore, që angazhonin të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.
Programi “Media for All” është financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe është realizuar nga partneriteti i udhëhequr nga “Këshilli Britanik” (“British Council”), së bashku me “Fondacionin Thomson”, “Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative” (BIRN) dhe INTRAC.
Konferenca në Tiranë u organizua në datat 9 dhe 10 mars, në partneritet me projektin “Media for Youth” (të “British Council”), gjatë të cilit Amfora publikoi artikuj që përbëjnë risi në median shqiptare, të sjella me qasjen e “Gazetarisë së Zgjidhjeve“.
Përgjatë takimit rajonal gazetaret dhe gazetarët ndanë përvojat e tyre dhe arritjet përmes trajnimit, mentorimit dhe rrjetëzimit, duke theksuar solidaritetin, bashkëpunimin dhe empatinë, që ishin thelbësore për përmirësimin e pozitës së grave dhe të rinjve në redaksi e më gjerë.
Konferenca nxorri në pah edhe rëndësinë e marrëdhënieve më të mira të gazetarëve me komunitetet e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat po ballafaqohen mediat e vogla lokale këto kohë.