Marrja në pyetje nga SPAK dhe kontrolli i banesës së Elton Qynos ngre shqetësime për gazetarët shqiptarë
Vendimi i SPAK për të marrë në pyetje dhe për të kontrolluar banesën e gazetarit të Televizionit Ora News, Elton Qyno, krijoi një stuhi diskutimesh midis komunitetit të gazetarëve dhe të ekspertëve, të cilët kryesisht e dënuan veprimin që mendohet se synonte të nxirrte nga Qyno burimin e informacioneve për çështjen e Nuredin Dumanit.
Nga mbrëmja e së mërkurës deri mesditen e së enjtes në murin e “Facebook”-ut të gazetarit Elton Qyno u shkruajtën mbi 40 mesazhe mbështetëse dhe qindra komente, me frymën e sensibilizimit pas lajmit për shoqërimin e tij nga SPAK.
Gazetari i kronikës për institucionet ligjzbatuese në Tiranë u mor në pyetje për gati 7 orë të mërkurën dhe sipas një deklarate të tij për televizionin ku punon, Ora News, atij i ishte bërë presion për të treguar burimin, në vijim të hetimit të nisur nga Prokuroria e Posaçme, nën dyshimin e nxjerrjes së sekretit hetimor.
Në një lidhje direkte me emisionin “Wake Up” ditën e sotme, Qynoi shpjegoi se SPAK i kishte kërkuar që të dorëzonte telefonat dhe megjithëse ai e kishte kundërshtuar agjentët ja kishin sekuestruar. Sipas tij kontrollet kishin vijuar në banesë, automjet dhe në zyrë, deri në orën një të mëngjesit të së enjtes.
Qyno e cilësoi ngjarjen si të “paligjshme” dhe marrja e tij në pyetje nga SPAK-u krijoi një fortunë me shqetësime nga gazetarët që raportojnë ngjarjet e kronikës dhe ata që mbulojnë institucionin e prokurorisë dhe të gjykatës.
Gazetarët e njohur që punojnë çdo ditë me raportimet e ngjarjeve të kronikës, Anila Hoxha, Dorjana Bezat, Basir Çollaku dhe të tjerë, shkruajtën mesazhe mbështetëse për kolegun e tyre, duke theksuar se burimi duhet mbrojtur dhe jo të dekonspirohet nga gazetarët.
Jam me Elton Qynon dhe me çdo gazetar që i shërben publikut dhe të vërtetës”, shkruajti në mesazhin e saj në “Facebook”, Anila Hoxha.
“Kërkojnë të dinë përse ka publikuar pjesë të dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, pasi më herët kishin kërkuar me shkrim çuditërisht mospublikimin”, shkruajti në “Facebook” gazetari Basir Çollaku.
Elton Qyno është gazetar me një eksperiencë të gjatë në shtypin e shkruar dhe aktualisht punon si gazetar që mbulon fushën e krimit dhe të drejtësisë në televizionin Ora News.
Në një njoftim për mediat pasditen e së enjtes, SPAK sqaroi se gazetari ishte marrë në pyetje për artikujt që janë publikuar nga ai dhe që përmbanin bisedat e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, të cilat i kishte realizuar përmes platformës së kriptuar “Sky ECC”.
“…në ambientet e punës u gjetën dhe u sekuestruan dokumente dhe sende elektronike tek të cilat dyshohet të ketë gjurmë të veprës penale që po hetohet”, sqaroi deklarata e SPAK për mediat, duke shtuar se kishte arritur të gjurmonte dhe të sekuestronte edhe dy telefeonat celularë të gazetarit Qyno.