Libra shqip për shkollat e Ulqinit, Tuzit dhe Plavës, nisma e rotarianëve të Durrësit
Rotarianët e qytetit të Durrësit organizuan një fushatë për mbledhjen e librave në gjuhën shqipe për shkollat e mesme në komunat me popullsi shqiptare në Malin e Zi. Në përfundim ata mblodhën rreth 3000 libra për shkollat e komunave të Ulqinit, Tuzit dhe Plavës.

Librat e dorëzuara në Shkollën e Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz. Foto: Media Amfora
Rotary Club Durrës dhe Rotaract Club Durrës organizuan në muajt e fundit një fushatë për mbledhjen e librave në gjuhën shqipe për shkollat e mesme në komunat me popullsi shqiptare në Malin e Zi.
Në përfundim të fushatës vullnetare u mblodhën rreth 3000 libra për shkollat e mesme të Tuzit, Ulqinit dhe Plavës. Ato kishin përmbajtje të ndryshme, duke përfshirë tituj të larmishëm dhe që kontribuojnë në zgjerimin e të lexuarit shqip në këto komuna.
Rotary Club Durrës dhe Rotaract Club Durrës, në bashkëpunim me Rotary eClub Tirana Cosmopolitan realizuan dorëzimin e fondit të librave, në bashkëpunim me autoritetet në Malin e Zi. Klubet rotariane që u angazhuan janë pjesë e “Rotary International”, një organizim i pavarur dhe jofitimprurës që synon kontributin vullnetar për shoqërinë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Malin e Zi, Prof. Dr. Angjella Jakshiq-Stojanoviq dhe Albana Dedvukaj, drejtoreshë e Përgjithshme për Minoritetet në këtë ministri, pritën përfaqësuesit e klubit rotarian dhe rotaraktor të Durrësit.

Fillimisht rotarianët i dhuruan bibliotekës së Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz rreth 1000 libra. Drejtori i shkollës, Sead Lulanaj dhe kolegët e tij falënderuan rotarianët për këtë donacion dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin, me në fokus aktivitetet që përfshijnë lidhjen e nxënësve dhe të mësuesve nga Mali i Zi dhe Shqipëria.
Ndërsa pjesa tjetër e librave u destinua për bibliotekat e Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin dhe Shkollës së Mesme “Beqo Bashiq” në Plavë.
Librat e dhuruara u mblodhën nga rotarianët e Rotary Club Durrës, Rotaract Club Durrës, Rotary eClub Tirana Cosmopolitan dhe dashamirësit e tjerë, përfshirë shtëpi botuese. Me fushatën u bashkuan edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Durrësit.