Shpallen fituesit e garës së gazetarëve të rinj nga “Media for All”, katër gazetarë nga Shqipëria në ekipet fituese
Katër gazetarë nga Shqipëria kanë qenë pjesë e ekipeve që kanë fituar çmimet e para të përbashkëta në “Garën e gazetarëve të rinj”, në kuadër të Programit “Media for All”.
Pjesëmarrësit kanë punuar në ekipe rajonale me nga tre persona dhe janë mentoruar dhe kanë marrë udhëzime profesionale për tetë javë për të zhvilluar historitë e tyre që reflektojnë çështje që lidhen me të rinjtë në ditët e sotme.
Gara e ekipeve mblodhi bashkë gazetarë nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Komisioni vlerësues , duke parë cilësinë e lartë të artikujve vendosi që me çmimin e parë të shpërblejë tri ekipe:
- Katarina Baletic dhe Nevena Petakovic nga Serbia, dhe Teodor Gjerga nga Shqipëria u vlerësuan për artikullin e tyre: Vështirësitë financiare vonojnë pavarësinë e të rinjve nga prindërit.
- Gentiana Ahmeti nga Kosova, Jona Koso dhe Xhoana Callaku nga Shqipëria u shpërblyen për artikullin: “Lufta” për një vend pune dërgon infermierët në Gjermani.
- “Të rinjtë zgjedhin alternativa të kushtueshme për të ruajtur shëndetin mendor”, e shkruar nga Erisa Kryeziu nga Shqipëria, An Djurdja Radulovic dhe Andrea Jelic nga Mali i Zi.
Erisa Kryeziu, pjesë e njërit prej ekipeve fituese, tha: “Bashkë me kolegët e mi nga Mali i Zi, kemi punuar për një shkrim për shëndetin mendor të të rinjve. Ishte momenti i duhur për ta trajtuar këtë temë, marrë parasysh pandeminë Covid-19″, tregoi ajo.
“Mendoj se gjenerata e re e gazetarëve të rinj në rajon është shumë profesionale në punën e tyre. Por, na duhet ende të mbulojmë tema që lidhen me të rinjtë për të mbështetur dinamikat e shoqërisë së sotme, sidomos në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Kryeziu.
“Pjesa më pozitive që kam marrë nga ky program është puna me kolegun nga Shqipëria dhe mentorin nga Bosnja dhe Hercegovina sepse kemi marrë njohuri më të zgjeruara për rininë, dhe kemi mundur të kemi një pasqyrë të situatës në rajon”, shtoi Katarina Baletic, nga Serbia.
Siç u përshkrua nga përfaqësuesja e jurisë së Konkursit të Gazetarëve të Rinj (YJC) Una Hajdari, shkrimet janë vlerësuar bazuar në nivelin e reflektimit të standardeve profesionale të gazetarisë, rrëfimit të mirë, origjinalitetit dhe relevancës së idesë.
“Juria ishte jashtëzakonisht e kënaqur me cilësinë e lartë të artikujve të dorëzuar dhe i inkurajon gazetarët të ndjekin publikimin për të gjithë artikujt e tyre. Më e rëndësishmja, artikujt paraqesin punën bashkëpunuese në mes vendeve të rajonit ku bashkëpunimi në gazetari mund të jetë gjithmonë më i madh dhe artikujt e dorëzuar janë një shembull për këtë. Urime për fituesit”, tha Hajdari.
Peter Brown, Drejtori i British Council për Ballkanin Perëndimor uroi ekipet fituese në konferencën rajonale të mbajtur online të “Media for All – Programi për të rinjtë”, të zhvilluar më 17 Dhjetor 2021.
Objektivi kryesor i konferencës ishte lehtësimi, forcimi dhe zgjerimi i rrjeteve për të rinjtë në media në Ballkanin Perëndimor.
Konferenca rajonale mblodhi bashkë mediat dhe gazetarët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duke mundësuar që ata të takohen dhe të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të eksplorojnë mundësi për bashkëpunim në të ardhmen.
Gara e të rinjve e “Media for All“
Gara ishte e hapur për ekipet e gazetarëve nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), që të punojnë së bashku në krijimin e përmbajtjeve relevante për të rinjtë nga mediet me fokus tek të rinjtë në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gara mblodhi dhe përkrahu 36 gazetarë të rinj që punuan në ekipe dhe realizuan 12 histori tejet relevante për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë ngjarjes, përfaqësuesja e jurisë së YJC-së, Una Hajdari, ofroi më shumë detaje për kriteret e vlerësimit dhe rezultatet e tij, e cila u pasua me prezantimin nga vetë autorët të tri storieve më të vlerësuara.
Programi Media for All ka për qëllim të rritë kapacitetin e mediave për të rinjtë për të krijuar përmbajtje cilësore, relevante, etike dhe të ndjeshme ndaj gjinisë, të rritë interesimin dhe angazhimin e të rinjve në media në nivel vendor dhe të lehtësojë rrjetet rajonale të të rinjve në media.
British Council punon në partneritet me Rrjetin Ballkanik të Raportimit Investigativ (BIRN), Thomson Foundation dhe INTRAC (Qendra Ndërkombëtare për trajnime dhe kërkime) në programin Media for All të financuar nga Qeveria Britanike.