Gazetari Geri Emiri vlerësohet me çmim për shkrimet më të mira gazetareske

Platforma “Porta Vendore”, e ngritur nga Lëviz Albania, mbrëmjen e 17 qershorit ndau çmimet për shkrimet më të mira gazetareske të realizuara gjatë një viti dhe të publikuara në këtë platformë. Projekti financohet nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim dhe implementohet nga koaliconi i 3 organizatave shqiptare.

Aktiviteti nxorri në pah mbështetjen që i ka dhënë nismave civile dhe mediatike gjatë katër viteve të shkuara. Tre gazetarë të pavarur morën çmime nga projekti, si njohje e punës së tyre raportuese.

Gazetari Geri Emiri, u vlerësua për raportimin e tij mbi qytetin e Durrësit në kategorinë “Analiza më e mirë”, me artikullin e titulluar, “Durrës, bregdeti i pushtuar nga ndërtimet e paligjshme”.

“I jam mirënjohës jurisë për vlerësimin dhe një falenderim i veçantë shkon për “Portën Vendore”, për mundësinë që na ka krijuar, për të raportuar mbi shqetësimet e jetës së përditshme të banorëve në qytetet e Shqipërisë dhe deri tek abuzimet që prekin pushtetin vendor, në shërbim të publikut. Ky është edhe një inkurajim për ne gazetarët e rinj, që raportojmë për qytetet ku jetojmë”, tha Emiri në fjalën e rastit.

Gazetari Geri Emiri, pas vlerësimit me çmimin “Analiza më e mirë”, për raportimit e tij mbi qytetin e Durrësit. Foto: Amfora.al

Ndërsa në kategorinë “Vëzhgimi më i mirë”, u vlerësua me çmim gazetari Sami Curri, me artikullin “Bulqizë, qendrat shëndetësore pa ujë dhe energji elektrike”. Çmimi për investigimin më të mirë, shkoi për gazetaren nga Elbasani, Fatbardha Nergjoni, me artikullin, “Elbasan, leje mjedisore me dëgjesë publike false”. Anëtarët e jurisë gjithashtu dhanë certifikata mirënjohjeje për redaktoren e Porta Vendore, Elisa Gjerani dhe gazetarin Artan Rama, për kontributin e tyre në këtë platformë.

“Lëviz Albania është një nga instrumentet me anë të së cilit Shqipëria dhe Zvicra bashkëpunojnë për të prodhur ndryshime demokratike. Unë kam parë përmes shembujve konkretë se si të rinj kanë qëndruar përballë bizneseve të mëdha dhe i kanë ndikuar për të përmirësuar standardet mjedisore. Të tjerë të rinj kanë qëndruar përballë kryetarëve të bashkive për t’i bërë ata që të marrin parasysh nevojat e komunitetit”, tha gjatë aktivitetit ambasadori zviceran Adrian Maître.

Vlerësimi i artikujve të publikuara në këtë platformë u realizua nga një juri profesionistësh në fushën e medias, e përbërë nga gazetari Lutfi Dervishi, Lira Çanga dhe Besar Likmeta.

Kryeredaktorja e medias “Porta Vendore”, Elisa Gjerani dhe gazetarët Geri Emiri, Sami Curri, të vlerësuar me çmime. Foto: Amfora.al