Gazetari dhe aktivisti Isa Myzyraj kërcënohet me jetë, “Safe Journalists”: Sulmon fuqishëm lirinë e medias  

Një email i mbërritur në adresën e punës dhe të televizionit ku punon gazetari dhe aktivisti Isa Myzyraj, përcolli kërcënimin e tij me jetë. Mesazhin që përmbante gjuhë urrejtjeje, antisemite dhe homofobike, e dënoi “Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt”, si një shqetësim të thellë që sulmon lirinë e medias. 

Gazetari i Televizionit “Ora News”, Isa Myzyraj, i njohur edhe si aktivist për të drejtat e njeriut, u kërcënua me jetë me anë të një emaili të mbërritur në postën elektronike të punës dhe të vetë televizionit.

“Në emailet e drejtuesve të televizionit ku unë punoj ka mbërritur sot një mesazh kërcënues ndaj meje”, shkroi Myzyraj në llogarinë e tij në “Facebook”.

“Sigurisht që do të ndërmarr hapat ligjorë, duke e denoncuar në Policinë e Shtetit këtë email të mbërritur tek drejtuesit e televizionit”, shtoi ai. 

Gazetari depozitoi kallëzim penal në Policinë e Tiranës dhe e lidhi kërcënimin gjithashtu me nxitjet që vijnë nga personazhe që gjejnë hapësira në mjedise publike dhe media. 

“Gjuha e urrejtjes ndaj aktivistëve sigurisht që nxitet nga personazhe të cilët kanë gjetur hapësira si në mjedise publike ashtu edhe në media”, shtoi ai. 

Përveç kërcënimit, teksti i emailit përmban gjuhë urrejtjeje, antisemite dhe homofobike për Myzyrajn, që njihet edhe si aktivist për të drejtat e njeriut dhe të komunitetit LGBTQ+.

Në lidhje me rastin reagoi nëpërmjet një deklarate Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor, “Safe Journalist” dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Sipas tyre mesazhi përmban një gjuhë të rrezikshme dhe antisemitiste, duke shpërndarë mesazhe jo vetëm kërcënuese ndaj integritetit profesional të gazetarit Myzyraj, por edhe duke përdorur narrativa të papranueshme, me bazë të orientimit seksual.

“Safe Journalist shpreh shqetësim të thellë në lidhje me këtë rast të paprecedentë, i cili sulmon fuqishëm lirinë e medias, si edhe integritetin personal dhe profesional të gazetarit Myzyraj”, shkroi rrjeti.  

Myzyraj është përballur edhe në të shkuarën me kërcënime dhe presione. Vetë gazetari e cilësoi mesazhin si kërcënim shqetësues jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut. 

“Pasojë e drejtpërdrejtë e fushatave të shpifjeve dhe dezinformimit nga grupacione ekstremiste janë këto kërcënime mjaft shqetësuese, jo vetëm ndaj meje por ndaj të gjithë aktivistëve të të drejtave të njeriut në Shqipëri”, shkroi Myzyraj. 

“Me këtë rast u bëj thirje institucioneve që t’i marrin me seriozitet këto akte dhe të vendosin para drejtësisë përgjegjësit”, apeloi ai. 

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt kërkoi që të merren hapa të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e gazetarëve.  

“Është e rëndësishme të adresojmë dhe të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve, duke kundërshtuar çdo formë të kërcënimit dhe dhunës në shoqërinë tone”, shtoi deklarata e tyre. 

Ky email kërcënues ndaj një gazetari vjen pas rastit të para pak ditëve të gazetares Ola Xama, e cila është vënë nën shënjestër të një fushate shpifjesh nga disa media, për shkak të investigimeve të saj mbi Incineratorin e Tiranës.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109