Eurodeputetët rrisin presionin ndaj Shqipërisë: Nuk ka integrim pa respektuar natyrën
Në një rezolutë për Ballkanin Perëndimor, Parlamenti Evropian theksoi se mbrojtja e mjedisit dhe biodiversitetit në Shqipëri është thelbësore për integrimin në BE. Eurodeputetët kërkuan zbatimin e konventave ndërkombëtare dhe ndërprerjen e projekteve që sjellin pasoja të thella në mjedis.

Flamingo në Lagunën Vjosë-Nartë, e cila rrezikohet nga ndërtimi i Aeroportit të Vlorës. Foto: Media Amfora
Rezoluta më e fundit e Parlamentit Evropian lidhur me procesin e intergrimit të Ballkanit Perëndimor u shpreh përsëri se masat për mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit në Shqipëri janë thelbësore për integrimin e plotë në BE.
Në qëndrimet e eurodeputetëve u përcoll fryma se Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur trashëgiminë natyrore dhe duke ju përmbajtur konventave ndërkombëtare të “Aarhus” dhe “Espoo”, që kërkojnë përfshirjen e qytetarëve në vendimarrjen mjedisore.
Drejtuesi ekzekutiv i organizatës mjedisore evropiane, “EuroNatur”, Gabriel Schwaderer, u shpreh se është koha që qeveria shqiptare të tregojë sa seriozisht e ka marrë anëtarësimin në BE, duke marrë parasysh kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
“Ne mbështesim fuqimisht mesazhin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Qeveria duhet të tregojë seriozitet lidhur me anëtarësimin në BE, duke ndaluar projektet që shkelin ligjet e mbrojtjes dhe që dobësojnë ruajtjen e zonave të mbrojtura”, u shpreh Schwaderer.
Deri më tani Parlamenti Evropian megjithëse ka përshëndetur vendimin për shpalljen e Lumit Vjosa si Park Kombëtar, i ka bërë thirrje të vazhdueshme qeverisë shqiptare që të tërheqi ligjet dhe projektet kontroverse që rrezikojnë mjedisin.
Kritikat dhe kundërshtimet kryesore të organizatave mjedisore vendase kanë qenë të përqendruara në ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura dhe në projektet që sipas tyre po cenojnë rëndë mjedisin, si ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ky projekt kontrovers është kundërshtuar nga aktivistët dhe është referuar në Gjykatën e Lartë. Ndërsa rastësisht në regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtë informimi publikuar nga SPAK, u zbulua se në përgjigje të një kërkese për një qytetar, kontrata kontroverse e Aeroportit të Vlorës është nën hetim dhe aktualisht gjendet në fazën paraprake – projekt që pritet t’i kushtojë taksapaguesve rreth 138 milionë euro.
Në përmbledhjen e Rezolutës së Parlamentit Evropian konstatohen shqetësimet lidhur me ndryshimet e fundit në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që sipas tyre i hap rrugën infrastrukturave të mëdha turistike në zona të ndjeshme ekologjike.
“Deputetët e PE bënë thirrje që këto ndryshime ligjore të tërhiqen menjëherë në mënyrë që të sigurohet një përputhje me standardet mjesdisore të BE-së”, shkruhet në një përmbledhje të rezolutës të publikuar nga organizata “EuroNatur”.
Organizata theksoi se në një seri raportesh të Parlamentit të BE-së mbi Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, eurodeputetët bëjnë thirrje për veprime urgjente për të transpozuar dhe zbatuar legjislacionin kyç të BE-së për natyrën.
“Teksa negociatat intensifikohen, progresi në mbrojtjen e mjedisit duhet të vendoset në qendër të reformave të këtyre vendeve,” u shpreh Viktor Berishaj, oficer i politikave në organizatën mjedisore gjermane “EuroNatur”.