Emidio Tedeschini II, “aktivisti i parë modern” për mbrojtjen e kafshëve

Nisma “Qyteti që Rrëfen” sjell një tjetër profil të avokatit të guximshëm Emidio Tedeschini II. Ai mund të jetë ndër aktivistët e parë modern për mbrojtjen e kafshëve. Grupimi “Busulla e Trashëgimisë” ka publikuar së fundmi historikun e pëmbledhur të Familjes Tedeschini.

Qyteti 2700 vjeçar i Durrësit përveç historisë së pasur arkeologjike trashëgon ende brezat e familjeve të vjetra përmes së cilave kanë kaluar sfidat e pafundme të qytetit dhe sot janë kthyer në dëshmi të ekzistencës së tij.

Të rinjtë e Grupimit Informal “Busulla e Trashëgimisë” kanë zbuluar një tjetër dimension të një prej figurave të shquara të Familjes Tedeschini, e cila u vendos në Durrës në vitin 1767. Emidio Tedeschini II lindi në Durrës më 20 prill 1909. 

Ai ishte i veçantë jo vetëm për aftësitë e tij intelektuale dhe origjinën aristokrate, por edhe si një nga mendjet më të hapura e të guximshme që kishte Shqipëria asokohe. Ende sot banorët e Shkodrës kujtojnë këshillat që Emidio i jepte në lidhje me trajtimin dhe mbrojtjen e kafshëve.

Ai ishte një nga të paktët që protestonte, madje edhe ligjërisht, kundër dhunës që karrocierët ushtronin ndaj kuajve përmes fshikëllimit me kamxhik. Pasi përfundoi studimet e larta për drejtësi në Mynih të Gjermanisë, me shtëpinë e rrënuar në Durrës dhe ku nuk i kishte mbetur më pothuajse asnjë familjar i ngushtë, ai vendosi të transferohej në Shkodër.

Për një avokat të guxhimshëm si Emidio, që kundërshtoi sistemin komunist në gjyqet kundër klerit katolik, koncepti i lirisë ishte i shenjtë. Me veprimet e tij ai mund të quhet një nga aktivistët e parë për mbrojtjen e kafshëve në Shqipëri.  Në një rast tjetër në Shkodër, ende kujtohet se si Emidio bleu një gardalinë që e mbanin në kafaz, vetëm me qëllimin për ta liruar. 

Kujdesin për kafshët dhe shpendët e kishin edhe të parët e tij. Albanologu dhe studiuesi Johan Georg von Hahn, e kujton Giuseppe Tedeschinin në vitin 1850 gjatë vizitës së tij në Durrës, me përshkrimin, “Kumritë i ka sjellë në Durrës konsulli plak i Austrisë z. G. Tedeschini, i cili mbas disa provash të pafrytshme, mujti me i vendos këtu”.

Por kjo është vetëm një pjesë e vogël e aspektit human të Tedeschinëve. Të rinjtë e Grupimit Informal “Busulla e Trashëgimisë” dhe ekipi i Medias Amfora kanë mbledhur historinë e saj, duke e sjellë në një “pasaportë online”.

“Është më shumë se përgjegjësi. Një angazhim për të cilin vetë qyteti me atë që mbart dhe vlerat që ka të bën të ndjesh më shumë se përgjegjësi”, rrëfeu për Median Amfora, Anja Rakipi, një nga të rejat e angazhuara për mbledhjen e historive të familjeve të vjetra.

Me autor Dorian Hatibin dhe redaktor Geri Emirin, së bashku me 7 intervistues djem e vajza të apasionuar pas trashëgimisë së qytetit, historia e familjes u mblodh në bashkëpunim me trashëgimtarin e saj në Durrës, Josef Tedeschini IV. 

Publikimet e historive të përmbledhura të familjeve të vjetra që ndikuan në historinë e Durrësit janë pjesë e nismës “Qyteti që Rrëfen”, që është ndërmarrë nga Grupimi Informal “Busulla e Trashëgimisë”, me mbështetjen financiare të Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC dhe në bashkëpunim me Median Amfora.

“Grupi i të rinjve janë në qendër të nismës, duke mësuar më shumë për historinë e qytetit dhe duke u kthyer në ambasadorë të tij tek bashkëmoshatarët e tyre dhe jo vetëm”, tregoi Geri Emiri, përfaqësues i Grupimit Informal “Busulla e Trashëgimisë”.

“Hulumtimi për rrënjët e familjeve synon të dokumentojë memorien kolektive dhe ta sjelli atë përmes një cikli shkrimesh, podcast-esh, videosh, dhe 6 publikimeve historike dedikuar atyre”, shtoi Emiri.

_________

Grupimi Informal “Busulla e Trashëgimisë” publikon herë pas herë historikun e përmbledhur të familjeve të vjetra të Durrësit. Klikoni KËTU dhe ndiqni të gjitha publikimet e kategorisë “Qyteti që Rrëfen”.

Foto në krye: Avokati Emidio Tedeschini II, duke mbajtur në dorë një pëllumb. Burimi: Josef Tedeschini IV.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109