Edi Rama dhe dinjiteti i shqiptarit

Kryeministri Edi Rama i ka premtuar shqiptarëve dinjitetin përmes pasaportës së BE-së, duke nënkuptuar se deri më tani atyre i ka munguar dinjiteti. Mënyra se si ai ka qeverisur që nga viti 2013 i jep të drejtë të pohojë një gjë të tillë. Tani shqiptarët janë përballë sprovës përfundimtare nëse do ta pranojnë këtë logjikë apo nëse do të ndryshojnë kursin e historisë, duke i rrudhur pushtetin një autokrati dhe duke i hapur kështu mundësinë një elite të re politike për vendin.

Para disa javësh premtimi që Edi Rama artikulonte si kyç në programin e tij “Shqipëria 2030”, ishte edhe “Pasaporta e BE-së”. Shkonte lartë e poshtë, duke i thënë shqiptarëve se i duhej një mandat i katërt për t’i bërë me pasaportë evropiane. Me pak fjalë po i premtonte popullit të tij nje emigrim të lehtë, një mundësi punësimi më të madhe në Evropë dhe detyrimisht si pasojë një largim nga Shqipëria. Nuk jam i sigurt, por mendoj që ky është rasti i vetëm në botë që një parti politike ka emigracionin si thelb të programit të vet elektoral. 

Dikush me mend në kokë duhet t’i ketë thënë gjithsesi “Liderit tonë Suprem”, se një premtim i tillë ishte kontradiktor dhe qesharak, kështu ai e kalibroi goditjen duke saktësuar se “Pasaporta evropiane s’duhet për të ikur në BE, por për dinjitet e të drejta të barabarta”. Pra Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë prej 12 vitesh, në mënyrë të tërthortë pranon më në fund se ne deri tani nuk kemi pasur dinjitet. Premton se do të na e jap dinjitetin përmes një pasaporte…pas 5 vitesh! Pra në thelb premtimi i Edi Ramës nënkupton edhe 4 vite të tjera pa dinjitet. Ndoshta në 2030-ën do të kemi dinjitet. Deri atëherë do të jemi thjeshtë “zdromsa”.

Nuk ka faj Lideri Suprem. Fajin e kemi ne, populli. Ne që kemi vendosur ta votojmë përsëri edhe pse penisonin mesatar e kemi vetëm 19.000 lek, ne që pagën minimale e kemi 40.000 lek, ne që me zi mbyllim muajin, ne që jetojmë me borxhe dhe kredi, ne që nuk kemi ilaçe për të kuruar veten dhe fëmijët, ne që vidhemi, dhunohemi dhe shkatërrohemi. Fajin e kemi ne që votojmë “një shok” edhe pse ai “shok” na kthen krahët të nesërmen e zgjedhjeve. Fajin e kemi ne që lejojmë Liderin Suprem të na flasi për dinjitetin, kur dinjitetin ka 12 vjet që na e ka shkelur me këmbë, duke na prishur shtëpitë për të ndërtuar rrugë, e rrugët i ka ndërtuar për të na vjedhur taksat. 

Na premton paturpësisht dinjitetin në 2030-ën, na premton projekte madhështore, hekurudha, ujësjellës, rrugë e resorte. por në fakt ka që në 2013-ën që na ka dhënë padenjësisht pas shpine vetëm kumbulla, dardha, mollë dhe mbi të gjitha mish pule me salmonelë. Kërkon më shumë kohë për të bërë gjëra që kishte mjaftueshëm kohë për t’i bërë dhe nuk i bëri. Na premton paturpësisht dinjitetin sepse e di se atë sot ja ka hequr çdo shqiptari. Ja ka hequr kur i ka mohuar ilaçet e kimioterapisë, kur i ka mohuar strehimin duke lejuar rritjen e çmimit të pronës, kur i ka vendosur traun nëpër rrugë, kur e ka lënë në dorë të bandave dhe krimit, kur i ka hequr hapësirat publike, kur i ka vendosur mbi krye, lloj-lloj soji e sorollopi injorant, kriminel, mashtrues dhe defiçent.

Dinjiteti i shqiptarit mor Lideri Suprem nuk qëndron tek sasia e numrave të telefonit që ju keni në celularin tuaj. Dinjiteti i shqiptarit mor Lum Miku nuk ka të bëj me pasaportën që ai mban në xhep dhe as me medaljet që t’i i merr lartë e poshtë nëpër botë nga “vëllëzërit” e tu, që kushedi se ku i rreh çekani. Dinjiteti i shqiptarit nuk ka lidhje as me performancat e tua spektakolare në arenën ndërkombëtare dhe as me retorikën tënde patetike dhe të tejzgjatur në Pallatin e Kongreseve. 

Dinjiteti i shqiptarit rritet kur shkon në spital dhe mjekët nuk i kërkojnë para, kur pacientët nuk kanë nevojë të shkojnë tek privati për të blerë ilaçe, kur nuk kanë nevojë të presin 3 muaj për një rezonancë. Dinjiteti i shqiptarit rritet kur ai ha shëndetshëm, kur jeton i lumtur pa stresin e fundmuajit. Dinjiteti i shqiparit rritet kur diploma e tij universitare njihet në Evropë. Dinjiteti i shqiptarit rritet kur qeveria e tij nuk e vjedh, kur qeveriset nga më të mirët që as nuk shiten dhe as nuk blihen. Dinjiteti i shqiptarit rritet kur produktet shqiptare shiten e blihen pa merak nga bota. Dinjiteti i shqiptarit rritet kur botës i tregojmë më të mirën tonë, jo kur i dërgojmë banane me kokainë, mandarina me pesticide dhe plehra toksike. Dinjiteti i shqiptarit do të shkojë në vend kur të mos jetë më i detyruar t’i serviloset pushtetit për një copë rrogë, kur administrata të refuzojë të postojë foton tuaj si Mark Aureli në profilet e veta të depersonalizuara të “Facebook”-ut.

Të jemi të qartë, nuk mendojmë se alter ego juaj Sali Berisha, ka bërë apo do të bëjë më mirë. Por ne mendojmë se Shqipëria duhet të futet pas 11 majit në një rrugë pakthim të rinovimit total të skenës politike. Dhe ky rinovim nis me rrudhjen e pushtetit tuaj dhe të njerëzve tuaj në nivel lokal.