Çfarë mendoni për lyerjen e “Kinemasë Millennium” në Shkodër?!
Media Amfora fton qytetarët e Shkodrës dhe jo vetëm, që të shprehin opinionin e tyre për ngjyrën e re të kinemasë së qytetit. Ne duam të mësojmë nëse jeni të kënaqur me lyerjen e ish-Kinema Millenniumit.
Në komunitetin shkodran dhe në mediat sociale vijon diskutimi për ngjyrën e re të ish-Kinema Millennium, e cila nga 8 nëntori 2023 ka kaluar në administrimin e bashkisë, pas më shumë se njëzet viteve të administrimit nga privati.
Hapi i parë i Bashkisë Shkodër ishte rikonstruksioni i pamjes së jashtme, duke liruar hapësirën nga tavolinat e karriget, tendat dhe që kulmoi me bojatisjen e jashtme. Pikërisht tek ngjyra që ka transformuar imazhin historik të ndërtesës, që tashmë vjen në rozë, është përqendruar edhe debati midis atyre që e kritikojnë dhe që e pëlqejnë.
Ajo që përgjatë komunizmit quhej “Kinema Republika”, në vitin 2001 u rikonstruktua dhe funksionoi përmes një subjekti privat si “Kinema Millennium”. Pas ndryshimit të ngjyrës klasike të saj, gri dhe kafe, ne duam të mësojmë nëse ngjyra e re e kinemasë ka krijuar pakënaqësi apo vlerësohet si një ndërhyrje që e transformon për mirë objektin.
Për t’u bërë pjesë e raportimit tonë, gjithë sa duhet të bëni është të plotësoni pyetësorin e mëposhtëm ose të na kontaktoni përmes adresës sonë të emailit: amfora.al@gmail.com, si edhe përmes rrjeteve tona sociale, në Facebook dhe Instagram: @Amfora.al dhe në “X”: @AlAmfora.
Përgjigjet tuaja i presim deri më datë 5 mars 2024, ora 23:59.
Ky pyetësor është mbyllur pas përfundimit të afatit kohor për të mbledhur përgjigjet nga audienca jonë. Për të lexuar artikullin e publikuar për këtë temë klikoni këtu. Për më shumë mund të ndiqni edhe kategorinë Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar.