Bashkëbisedim rreth arkeologjisë, teksa tingujt e muzikës gjallëruan Muzeun Arkeologjik Durrës

Arkeologët Lida Miraj dhe Saimir Shpuza sollën në një bashkëbisedim vlerat historike të qytetit të Durrësit, në takimin e organizuar nën moton “E ardhmja është në origjinë”. Rëndësia e zbulimeve arkeologjike dhe kontekstet që ato përfaqësojnë sollën lavdinë e qytetit që prej periudhës helenistike.

“Sensibilizimi i qytetarëve, studentëve është parësori për të përcjellë njohuritë që kemi për të shkuarën dhe rëndësinë e saj për të ndërtuar të ardhmen, identitetin tonë”, rrëfeu për “Amfora.al”, arkeologu Saimir Shpuza.

Durrësi është një prej qyteteve mesdhetarë ku jeta nuk është ndërprerë asnjëherë. Qytetërimet janë shtresëzuar njëri mbi tjetrin dhe si rrjedhojë zhvillimi i përhershëm ka sjellë edhe humbjen e disa prej monumenteve më të rëndësishme të periudhës helenistike, romake dhe jo vetëm.

“Është shumë i vështirë për ta gërmuar dhe për të arritur ta prezantosh tek publiku. Arkeologjia sot nuk është më vetëm shkencë që mjafton ta përmendësh dhe je në rregull, por duhet që edhe ta përcjellësh, ta prezantosh tek publiku, të kthehet në vlerë dhe të jetë i vizitueshëm”, analizoi arkeologu Shpuza.

Të pranishmit ju bashkuan me pyetje bashkëbisedimit të dy arkeologëve përgjatë takimit të titulluar, “E ardhmja është në origjinë”. Foto: Amfora.al

Të pranishmit ishin kryesisht studentë, të cilët u njohën me historinë mijëra vjeçare të Durrësit, në aktivitetin e organizuar nga institucionet e kulturës dhe Organizata Jo-qeveritare “Albanian Society in Development”.

Pas reflektimit rreth arkeologjisë së qytetit, të pranishmit u gjallëruan nga “koncerti-duo” i artistëve Pjetër Guralumi dhe Arven Pjetri, duke interpretuar tre vepra që i përkasin kompozitorëve me prejardhje ilire dhe arbërore, Niketa i Remesianas (335 – 414), Jan Kukuzeli (1280 – 1370) dhe Gjergj Danush Lapaçaja (1495 –  1570).

Përgjatë koncertit të titulluar “Zëri njerëzor dhe violonçeli si dëshmitar”, duetet e përpunuara nga studiuesi Edmond Buharaja u interpretuan mjeshtërisht, duke krijuar atmosferën muzikore mesjetare.

_______

*Foto në krye: Bashkëbisedimi i arkeologëve në takimin e titulluar, “E ardhmja është në origjinë”. Foto: Amfora.al