Objekte të rëndësishme arkeologjike, por të lëna rrugëve të Durrësit
Tre objekte arkeologjike, dy prej të cilave dëshmojnë për jetën në qytet mes viteve 1800-1900, janë konstatimet më të fundit rastësore në Durrës, të cilat raportohen nga profesionistët dhe jo nga institucionet e kulturës.
Objektet arkeologjike të shpërndara rastësisht në zona të ndryshme të qytetit të Durrësit vijojnë të konstatohen nga ekspertët dhe jo nga institucionet e kulturës që janë të ngarkuara për kontrollin e territorit.
Tre objekte arkeologjike janë konstatuar së fundmi në dy vende të ndryshme të qytetit, raste të cilat arkitekti Mikel Nushi, i referoi në Median Amfora, me qëllim ndërgjegjësimin për vlerat që ato mbartin.
“Së fundmi kam konstatuar tre objekte arkeologjike, një trung kolone prej graniti nw ngjyrw gri dhe dy gjyle katapulte prej guri”, tregoi Nushi.
“Kolona prej graniti gjendej në një cep rruge në zonën e ish-Kënetës dhe zbulimi ishte rastësor, kur po shkoja tek një kantier ndërtimi. Ndërsa dy gjylet e gurta ishin zbulim i rastësishëm në një prej rrugicave fare pranë ‘Bulevardit Dyrrah’”, shtoi ai.
Arkitekti durrsak referoi më herët edhe objekte të tjera arkeologjike që mendohet se i përkasin periudhës së antikitetit dhe të mesjetës, të konstatuara gjithashtu përbri rrugëve të Durrësit. Pas vënies në dijeni pwr rastet, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë u mjaftua me konstatimin e tyre dhe deklaroi se objektet ndodheshin përtej zonifikimit arkeologjik të qytetit.
Për aktitektin Nushi kolona prej graniti në ngjyrë gri e konstatuar së fundmi nuk është gjetja e parë e këtij lloji sepse të tjera të ngjashme me të ruhen sot në Muzeun Arkeologjik dhe në lulishten pranë “Shëtitores Taulantia”.
“Me shumë mundësi kolona në fjalë i përkiste një ndërtese të rëndësishme. Një material i tillë mund të nxirrej nga kavat e Sardenjës, deri në Egjipt”, analizoi Nushi për Median Amfora.
Gjithashtu dy gjylet që shërbenin si municion ushtarak sipas tij kanë vlera të rëndësishme arkeologjike dhe që dëshmojnë për zhvillimet në qytet. Gjithashtu këto objekte janë ripërdorur për funksione të ndryshme ndër vite nga qytetarët që i kanë gjetur.
“E veçanta e tyre qëndron në faktin se kanë nga një vrimë, çka dëshmon për ripërdorimin e mundshëm të tyre si dekor mbi muret e oborreve, fakt ky i dëshmuar nga shumë foto të fundit të 1800-ës dhe të fillimit të 1900-ës në qytet”, rrëfeu Nushi.
Arkitekti Nushi shprehu zhgënjimin për punën e autoriteteve, që sipas tij nuk kanë ndërhyrë për evidentimin dhe mbledhjen e këtyre objekteve.
“Të dyja rastet i referova në Median Amfora, tashmë e afirmuar dhe e besueshme për menaxhimin e rasteve të ngjashme. Këto gjetje rastësore nuk i referova aspak në institucionin kompetent, pasi është provuar se interesi i tij për të tilla gjetje është në nivele dëshpëruese”, përfundoi Nushi.