Pas advokimit qytetar dhe mediatik, Bashkia Durrës rikthen ndriçimin publik në zonën e stadiumit
Aktivistja Livia Kreko, banore e zonës, përgjatë vitit 2020 ndërmori fushatën “Qytete të sigurta për gratë dhe vajzat”, që u mbështet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.
Pas dorëzimit të një peticionit dhe shfaqjes të një serie video-dokumentarësh në muajin dhjetor të vitit 2020, Bashkia Durrës ndërhyri në rrugën “Mujo Ulqinaku”, duke zëvendësuar llambat e vjetra të amortizuara me “llamba LED”, në të gjithë segmentin rrugor.
Përveç ndriçimit, kryqëzimi në zonën e Stadiumit për herë të parë është pajisur edhe me sistem semafori dhe me sinjalistikë horizontale e vertikale.
Shqetësimi i banorëve u paraqit përmes 2 video-dokumentarëve të përgatitur nga media Amfora Production. Video-dokumentari i parë paraqiti dëshmi eksluzive mbi ngacmimet dhe sulmet seksuale që nxiten nga mungesa e ndriçimit në Zonën e Stadiumit në Durrës.
Ai pasqyroi edhe të dhënat e mbledhura nga anketimi i zhvilluar me gjimnazistët e disa prej shkollave të mesme në zonë, që raportojnë përjetimet në rrugët e lëna në terr nga Bashkia Durrës.
Ndërsa video-dokumentari i dytë analizoi punët publike, duke zbuluar fakte ekskluzive që lidhen me ndryshimin e destinacionit të fondit për ndriçimin dhe abuzime me paratë publike, në projekte të caktuara që lidhen me infrastrukturën.
Sulmet dhe ngacmimet seksuale u ilustruan përmes të dhënave të marra nga policia dhe prokuroria, që sipas njohësve të fushës janë fenomene që nxiten edhe nga mungesa e ndriçimit. Gjithashtu banorët dëshmuan se si pasojë e mungesës së ndriçimit kanë rënë pre e ngjarjeve kriminale.
Bashkia Durrës pas reflektimit mbi problematikën përveç investimit në rrugën “Mujo Ulqinaku”, në miratimin e buxhetit të vitit 2021-2023 ka përfshirë investime në dy rrugë që përshkojnë zonën e stadiumit dhe prekin lagjet numër 12 dhe numër 16, konkretisht rrugët, “Hysen Myshketa” dhe “Abaz Çelkupa”, me vlerë totale 29.240.000 lekë. Koha e planifikuar për shpalljen e procedurës së prokurimit publik është muaji korrik dhe shtator 2021.
______
*Foto në krye: Foto krahasuese e rrugës “Mujo Ulqinaku”, përpara dhe pas vendosjes së ndriçuesve të rinj. Foto: Amfora Production.