Institucioni i ri për parkimet në Durrës rihap debatin për punësime para zgjedhjeve

Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi krijimin e institucionit “Durrës Parkim” me 20 punonjës për administrimin e parkimeve publike me pagesë. Vendimi rihapi debatin për punësimet në administratën vendore para zgjedhjeve, ndërsa këshilltarët e opozitës kundërshtuan ngritjen e strukturës së re, duke kujtuar se vetëm dy muaj më parë ishte miratuar shtimi i 20 punonjësve të Policisë Bashkiake për kontrollin e parkimeve.

Administrimi i parkimeve me pagesë në Durrës do t’i besohet një institucioni të posaçëm në varësi të bashkisë, ngritja e të cilit solli debate mes këshilltarëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak për muajin nëntor.

“Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve lokale, ne e shohim thjesht si qëllim të pastër elektoral shtimin e këtyre personave, se i shohin si hambar votash për zgjedhjet e bashkisë, ndaj shprehim votën tonë kundër për këtë propozim”, tha këshilltari demokrat Ardian Muka gjatë mbledhjes.

Krijimi i institucionit “Durrës Parkim”, me 20 punonjës, u kundërshtua nga këshilltarët e opozitës, të cilët sollën në vëmendje vendimmarrjen e muajit shtator, kur ishte miratuar shtimi i 20 punonjësve të Policisë Bashkiake, kryesisht për kontrollin e parkimeve.

Në mbledhjen e 16 shtatorit, krahas përcaktimit të rreth 100 shesheve për parkimin e rezidentëve brenda blloqeve të banimit, Këshilli Bashkiak kishte miratuar edhe shtimin e personelit të Policisë Bashkiake, me kërkesë të kryebashkiakes Emiriana Sako.

Në përgjigje të kundërshtimeve të demokratëve, këshilltarja socialiste Jonida Musarja mbrojti nevojën për shtimin e punonjësve.

“Shërbimi i mirë ecën paralelisht me burimet njerëzore. Nuk di të ketë shërbim të ri pa burime njerëzore”, tha Musarja gjatë diskutimeve.

Këshilltarja demokrate Edlira Shemsi e lidhi mungesën e besimit ndaj administratës së bashkisë me shkeljet e konstatuara në auditimin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa këshilltarët Flutura Kasa dhe Jonuz Byshketa mbështetën administrimin e parkimeve nga institucioni publik, duke argumentuar përkatësisht përmirësimin e shërbimit dhe gjenerimin e të ardhurave për bashkinë. 

Kur kanë mbetur më pak se gjashtë muaj nga zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, në auditimin e fundit të Bashkisë Durrës, që drejtohet nga Emiriana Sako, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë shkeljesh në administrimin e fondeve publike, përfshirë edhe abuzimet në procesin e rindërtimit. 

Pavarësisht kundërshtimeve të këshilltarëve të opozitës, krijimi i “Durrës Parkim” u miratua me shumicë votash në mbledhjen e 24 nëntorit.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak për muajin nëntor. Foto: Bashkia Durrës

Në relacionin që shoqëroi projektvendimin, Bashkia Durrës e argumentoi nevojën e krijimit të këtij institucioni me shtimin e numrit të automjeteve, fluksin e turistëve dhe zhvillimin ekonomik të qytetit, që kanë sjellë një kërkesë gjithnjë e në rritje për hapësira parkimi.

Përmes organizimit të parkimeve sipas zonave, tarifave dhe orareve të përcaktuara, bashkia synon të shfrytëzojë më mirë hapësirat ekzistuese, të rregullojë kohëzgjatjen e parkimit të automjeteve dhe t’u mundësojë banorëve, vizitorëve dhe bizneseve akses në këto hapësira.

Krahas administrimit të parkimeve publike me pagesë në rrugë, sheshe dhe ambiente nëntokësore, institucioni i ri do të kujdeset edhe për hapësirat e dedikuara për parkimin e rezidentëve.

“Durrës Parkim” do të ketë gjithashtu për detyrë të planifikojë investimet në infrastrukturën e parkimeve, të instalojë dhe të mirëmbajë pajisjet dhe sinjalistikën rrugore, si dhe të vendosë gjoba në bashkëpunim me Policinë Bashkiake për mospagimin e tarifës apo tejkalimin e kohës së parkimit.

Referuar dokumentacionit të përgatitur nga bashkia, institucioni do të ketë një drejtor, katër sektorë për inspektimin e parkimeve, shërbimin ndaj rezidentëve, financën dhe burimet njerëzore, si dhe punonjës për ruajtjen, pastrimin dhe mirëmbajtjen e objekteve.

Bashkia argumentoi në relacion se përmes krijimit të këtij institucioni synon gjithashtu të garantojë transparencën në administrimin e të ardhurave nga parkimet me pagesë dhe të forcojë kontrollin mbi veprimtarinë e institucionit.

Shpenzimet për krijimin dhe funksionimin e “Durrës Parkim” do të përballohen nga buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2027.

Sipas dokumentacionit që shoqëroi projektvendimin, paga mujore bruto e drejtorit të institucionit të ri do të jetë 114 mijë lekë, ndërsa përgjegjësit e sektorëve do të paguhen me nga 94 mijë lekë. Pagat e specialistëve do të variojnë nga 80 deri në 84 mijë lekë, në varësi të nivelit të kualifikimit, ndërsa punonjësit e pastrimit dhe rojet do të paguhen me nga 54 mijë lekë. Në këto shuma nuk përfshihen shtesat për vjetërsinë në punë.

Në projektvendim nuk përcaktohet kostoja e përgjithshme vjetore për pagat e 20 punonjësve, ambientet ku do të vendoset institucioni i ri dhe as shpenzimet e tjera që do të nevojiten për funksionimin e tij.

Skema e parkimeve me pagesë, që tashmë po zbatohet në qytetin bregdetar, pritet të zgjerohet edhe me ndërtimin e tri parkimeve nëntokësore, në shëtitoren “Taulantia”, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe në sheshparkimin e autobusëve pranë Stacionit të Trenit, projekte që kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike të qytetit.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për muajin nëntor u miratuan edhe shtatë projektvendimet e tjera të rendit të ditës, që lidheshin kryesisht me procesin e rindërtimit, ndihmën ekonomike dhe çështje të tjera të administrimit vendor.