Gjykata e Durrësit shpall moskompetencën për ish-drejtoreshën e Postës, çështja e vjedhjes së pensioneve i kalon GJKKO-së
Gjykata e Durrësit ka vendosur të mos shqyrtojë kërkesën penale të Elisabeta Matajt, ish-drejtoreshë e filialit lokal të Postës Shqiptare, duke ia dërguar aktet Gjykatës së Posaçme. Vendimi vjen pasi SPAK mori në hetim dosjen për përvetësimin e dyshuar të 69 milionë lekëve nga fondet e institucionit, mes dyshimeve për përfshirjen e një grupi të strukturuar kriminal.
Godina e zyrës postare të Durrësit. Foto:Media Amfora
Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës penale të Elisabeta Matajt, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare në këtë qytet, duke vendosur që kërkesa të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.
“Dërgimin e akteve gjykatës kompetente, që është Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë”, shkruhet në vendimin e shpallur më 20 nëntor nga Gjykata e Durrësit.
Vendimi lidhet me çështjen e përvetësimit të dyshuar të 69 milionë lekëve nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës, për të cilën Mataj dhe dy ish-punonjëse të tjera të institucionit janë nën hetim.
Gjykata vendosi se nuk ka të drejtë ta shqyrtojë kërkesën penale të ish-drejtoreshës dhe urdhëroi dërgimin e dokumenteve në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në vendim përcaktohet gjithashtu se palët nuk kanë të drejtë ankimi.
Zhvillimi vjen pas kalimit të hetimeve nga Prokuroria e Durrësit te Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas raportimeve të 19 nëntorit, SPAK ka regjistruar procedimin penal dhe është caktuar prokurori që do të ndjekë çështjen.
SPAK do të vijojë hetimet, pasi dyshohet se paratë janë përvetësuar nga disa persona që kanë vepruar së bashku, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Çështja nisi në muajin korrik, kur Policia e Shtetit ndaloi ish-drejtoreshën Elisabeta Mataj, ish-shefen e financës dhe arkëtaren e institucionit gjatë një operacioni për përvetësimin e dyshuar të fondeve.
Siç ka raportuar Media Amfora, sipas policisë, gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti dyshohet se janë përvetësuar 69 milionë lekë, të planifikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në Shijak dhe Krujë.
Megjithatë, mes Policisë së Shtetit dhe Postës Shqiptare pati qëndrime të ndryshme për destinacionin e parave. Posta deklaroi se fondet e konstatuara nuk lidheshin me pensionet apo pagesat e pensionistëve, ndërsa policia këmbënguli se ato ishin planifikuar për këtë qëllim.
Hetimi nisi pas një kontrolli të brendshëm të Postës Shqiptare, gjatë të cilit u konstatuan mospërputhje në dokumentacionin financiar. Institucioni njoftoi se kishte marrë masa administrative dhe kishte bërë kallëzim në Prokurori.
Më 18 korrik, Gjykata e Durrësit caktoi masën “arrest në burg” për Matajn, ndërsa dy punonjëset e tjera u lanë në “arrest në shtëpi”. Në gusht, Gjykata e Apelit la në fuqi masën e sigurisë për ish-drejtoreshën.
Më 25 shtator, Gjykata e Durrësit ndryshoi masën ndaj Matajt, duke e kaluar nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet për paratë e dyshuara të përvetësuara vijuan.
Me zhvillimet e fundit, hetimi i çështjes është marrë nga SPAK, ndërsa kërkesa penale e Matajt do të shqyrtohet nga gjykata që ka kompetencën për çështjet e drejtësisë së posaçme.