Nga tenderat te lejet e ndërtimit, KLSH evidenton shkelje në Bashkinë Durrës
Kompani që kanë fituar tendera pa plotësuar kriteret, pagesa për punime të pakryera dhe ndërtime pa leje që nuk janë referuar në prokurori janë disa nga gjetjet e auditimit të Bashkisë Durrës. KLSH ka konstatuar mbi 30 milionë lekë dëm ekonomik dhe i ka kërkuar bashkisë të marrë masa për rikuperimin e parave dhe nxjerrjen e përgjegjësive.
Godina e Bashkisë Durrës. Foto ilustruese Media Amfora
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar një sërë shkeljesh në veprimtarinë e Bashkisë Durrës, duke filluar nga tenderat dhe investimet publike deri te dhënia e lejeve të ndërtimit dhe kontrolli i territorit.
Në raportin përfundimtar mbi “Auditimin e Përputhshmërisë”, që daton në tetor të këtij viti, KLSH ka evidentuar 44 gjetje dhe ka dhënë 45 rekomandime për Bashkinë Durrës, e cila drejtohet nga Emiriana Sako.
Auditimi u zhvillua nga 14 nëntori 2024 deri më 27 janar 2026 dhe përfshiu veprimtarinë e bashkisë gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni që kontrollon mënyrën se si përdoren paratë dhe pasuritë publike, ndërsa raporti i auditimit pasqyron shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit dhe masat që rekomandohen për korrigjimin e tyre.
Shkeljet në tenderat dhe investimet publike
KLSH kontrolloi 27 tendera për të cilët Bashkia Durrës kishte parashikuar të shpenzonte deri në 2 miliardë e 850 milionë lekë. Në 11 prej tyre, sipas KLSH-së, bashkia kishte zgjedhur kompani që nuk plotësonin kushtet për të fituar tenderin.
Në shtatë tendera, bashkia kishte vendosur kushte të panevojshme, duke përjashtuar kompani që mund t’i kryenin punimet me më pak para. Një rast i tillë ishte ndërtimi i gjimnazit të Manzës, ku nga gjashtë pjesëmarrës në garë, pesë u përjashtuan.
Audituesit zbuluan gjithashtu se në pesë raste bashkia kishte lidhur kontrata për punime pa marrë më parë lejet përkatëse të ndërtimit ose të infrastrukturës, ndërsa në dy raste projektet ishin hartuar nga punonjës që nuk kishin licencë për ta bërë këtë punë.
Për rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës dhe të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, bashkia kishte parashikuar të shpenzonte 14,2 milionë lekë më shumë nga sa duhej.
Shkeljet nuk janë konstatuar vetëm në zhvillimin e tenderave, por edhe gjatë kryerjes së punimeve. Në 11 kontrata për investime publike, KLSH zbuloi se bashkia kishte paguar për punë që nuk ishin bërë ose ishin kryer pjesërisht, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej mbi 30 milionë lekësh.
Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, bashkia kishte paguar për 114 pajisje që sinjalizojnë praninë e tymit, por në godinë ishin vendosur vetëm 63.
Pagesa për punime të pakryera janë konstatuar edhe në pallatet e përforcuara pas tërmetit të vitit 2019. Në një prej tyre, bashkia kishte paguar për shtrimin e 216 metrave katrorë të shkallëve me pllaka mermeri, por nga kontrolli në terren rezultoi se pllakat nuk ishin vendosur.
Taksat e pambledhura dhe lejet e ndërtimit
Ndërkohë që bashkia kishte paguar për punime të pakryera, ajo nuk kishte arritur të mblidhte as një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të saj.
Në fund të vitit 2024, detyrimet e papaguara nga bizneset dhe familjarët ndaj Bashkisë Durrës arrinin në 1.86 miliardë lekë.
Sipas KLSH-së, vetë bashkia nuk kishte të dhëna të sakta për këto detyrime. Për mijëra biznese nuk ishin regjistruar në sistem taksa e ndërtesës dhe tarifat e pastrimit, ndriçimit e gjelbërimit.
Parregullsi janë konstatuar edhe në llogaritjen e taksës që paguajnë ndërtuesit për ndikimin e ndërtimeve të reja në infrastrukturë.
Në pesë raste, bashkia kishte llogaritur më pak para nga sa duhej të merrte prej ndërtuesve, duke i sjellë bashkisë të ardhura të munguara prej 18,7 milionë lekësh.
Përveç problemeve financiare, në nëntë raste nuk ishin respektuar rregullat për lartësinë e ndërtesave, distancat mes tyre dhe sipërfaqen e tokës që lejohej të zihej nga ndërtimi. Në dy raste, ndërtimet ishin kryer në kundërshtim me lejet e miratuara.
Ndërtimet pa leje
Shkelje janë konstatuar edhe në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Durrës, përgjegjës për kontrollin e ndërtimeve.
Në 200 raste, kryeinspektori nuk kishte nxjerrë urdhrat për zbatimin e vendimeve të prishjes së ndërtimeve të paligjshme, ndërsa në 23 raste nuk ishin referuar pranë organeve ligjzbatuese dyshimet për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm.
“Gjithashtu, nga auditimi rezultoi se, për raste të ngjashme, ishte ndjekur praktikë e ndryshme, duke evidentuar zbatim jo të njëtrajtshëm të procedurave”, shkruhet në raportin e KLSH-së.
Edhe kur inspektorati kishte vendosur gjoba, pjesa më e madhe e tyre kishte mbetur pa u paguar. Nga 79,49 milionë lekë gjoba të vendosura, ishin arkëtuar në mënyrë vullnetare vetëm 9,6 milionë lekë.
Në 252 raste, mungonin dokumentet që vërtetonin se personat ose subjektet e gjobitura ishin njoftuar për gjobat.
KLSH kërkon kthimin e parave dhe marrjen e masave ndaj përgjegjësve
Në përfundim të auditimit, KLSH i ka kërkuar bashkisë të rimarrë nga kompanitë paratë e paguara pa të drejtë për investimet publike dhe të marrë masa për mbledhjen e taksave e gjobave të papaguara.
KLSH i ka kërkuar gjithashtu bashkisë të mbledhë 18,7 milionë lekët e munguara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe të sigurojë sipërfaqen e banimit që ndërtuesit duhet t’i kalojnë për strehimin e familjeve në nevojë.
Inspektoratit i është kërkuar të zbatojë vendimet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe të referojë në prokurori rastet që përmbajnë dyshime për vepër penale.
Kryebashkiakes Emiriana Sako i është rekomanduar të nisë procedurat disiplinore ndaj punonjësve përgjegjës, ndërsa Agjencisë së Prokurimit Publik i është kërkuar marrja e masave ndaj personave përgjegjës për shkeljet në tenderë.
Kjo nuk është hera e parë që KLSH konstaton shkelje të tilla në Bashkinë Durrës, pasi edhe në raportin e auditimit për vitin 2022 kishte evidentuar se në pesë nga gjashtë tenderat e kontrolluar ishin shpallur fituese kompani që nuk plotësonin kriteret, ndërsa në 94 raste nuk ishin zbatuar vendimet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.